Mbi 35 vjet burg për terroristët që planifikuan të vrasin futbollistët e Izraelit në Shqipëri

Drejtësia kosovare ka dënuar tetë veta për përgatitjen e një sulmi terrorist kundër ekipit të futbollit të Izraelit në vitin 2016.

Masa të rrepa sigurie në Elbasan gjatë ndeshjes së Shqipërisë kundër Izraelit në vitin 2016.



Një gjykatë në Prishtinë të premten dënoi me burg tetë kosovarë për planifikim të një sulmi terrorist kundër ekipit izraelit të futbollit ndërsa ata luanin një ndeshje në Elbasan, Shqipëri. Gjykata Themelore e Prishtinës ka burgosur tetë shtetas të Kosovës të cilët u shpallën fajtorë për planifikim të kryerjes së sulmeve në Shqipëri kundër ekipit kombëtar izraelit të futbollit. Katër imamë u liruan nga akuzat për terrorizëm në çështje gjyqësore më vete.

Gjykata i dënoi nëntë të pandehurit me një total prej 35,5 vitesh burg dhe i gjobiti me më shumë se 5000 euro për planifikim të sulmeve terroriste ndaj ekipit izraelit të futbollit në nëntor 2016, gjatë ndeshjes së tyre në qytetin e Elbasanit në Shqipëri në nëntor 2016. Visar Ibishi u dënua me dhjetë vjet burg dhe u gjobit me 1800 euro, Lulzim Gashi me gjashtë vjet burg, Leutrim Vojvoda dhe Flamur Gashi me pesë vjet, Leutrim Musliu me tre vjet e gjashtë muaj, Burim Istrefi me tre vjet dhe Kenan Plakaj dhe Arton Ahmeti me nga 18 muaj burg. I pandehuri i nëntë dhe i fundit, Besart Peci, u gjobitën vetëm me 2500 euro.

Dy nga nëntë të pandehurit u akuzuan gjithashtu për sulme të planifikuara në Kosovë. Policia e Kosovës arrestoi 19 vetë – 18 shqiptarë të Kosovës dhe shtetas maqedonas – të dyshuar se po planifikonin sulme terroriste në Kosovë dhe Shqipëri, kundër futbollistëve izraelitë që do të luanin në Elbasan në nëntor 2016. «Këta persona po planifikonin akte terroriste në Republikën e Kosovës dhe kundër ekipit izraelit të futbollit dhe tifozëve të tyre që morën pjesë në ndeshjen Shqipëri-Izrael», tha policia në një deklaratë.

Policia duke punuar në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, AKI, dhe Prokurorinë Speciale të Kosovës, si dhe autoritetet në Maqedoni dhe Shqipëri, i penguan sulmet. Gjatë arrestimeve u gjetën sasi të konsiderueshme mjetesh plasëse, përfshirë 281 gramë TATP, 2,5 kilogramë lëndë të tjera shpërthyese, si dhe armë personale dhe pajisje komunikimi me radiolidhje.

Personat e arrestuar ishin ndarë në disa grupe dhe po koordinoheshin nga dy operativë të Kosovës për Shtetin Islamik, ISIS, Lavdim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi, tha policia. Muhaxheri dhe Haqifi ishin anëtarë të lartë të ISIS-it përgjegjës për Kosovën dhe luftëtarët shqiptarë. Të dy kanë nxjerrë video kërcënuese për Kosovën dhe Shqipërinë, sepse të dyja qeveritë janë pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS. Megjithatë, Muhaxheri u raportua i vdekur vitin e kaluar.

Raportet thonë se rreth 300 shqiptarë të Kosovës i janë bashkuar ISIS-it që kur filloi konflikti i armatosur në Siri në vitin 2011. Në një tjetër çështje, Gjykata Themelore e Prishtinës liroi nga akuzat pesë të pandehur, përfshirë katër imamë, të akuzuar për terrorizëm. Javën e kaluar, Ministria e Drejtësisë dhe Komuniteti Islamik i Kosovës nënshkruan një marrëveshje për të angazhuar 20 imamë në programe për të deradikalizuar ekstremistët islamikë që vuajnë dënimet në burgje. (BIRN)