Mbetet peng funksionimi i bordeve të ndërmarrjeve publike në Prishtinë

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Halim Halimi, ka akuzuar të hënën kreun e Prishtinës, Shpend Ahmeti, për shpërfillje të interpretimit ligjor të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).




Kjo ministri ditë më parë ka kërkuar nga Ahmeti t`i emërojë anëtarët e komisioneve të ndërmarrjeve publike. «Një ditë pasi i ka tërhequr anëtarët e komisioneve të ndërmarrjeve, edhe ligjërisht është dashur që t’i emëronte të rinjtë, kryetari nuk e ka bërë një gjë të tillë», ka thënë kryesuesi i KK-së, Halimi, të hënën, për «Kohën Ditore», teksa ka shtuar se kryetari nuk po e ndërmerr një hap të tillë. Sipas tij, Ligji për ndërmarrjet publike e parasheh një gjë të tillë.

«Ai nuk e ka asnjë arsye që të veprojë në këtë mënyrë, kurse, në anën tjetër, i vlerëson si të paligjshme veprimet e komisioneve të aksionarëve, të cilat janë zgjedhur me shumicë në KK», ka shtuar ai, teksa ka shfaqur mendimin se një situatë e këtillë në Komunën e Prishtinës nuk i shkon për shtati askujt, shkruan sot «Koha Ditore».

Kryetari i Prishtinës, Ahmeti, ndërkaq, i pyetur se pse nuk po bëhet emërimi i anëtarëve të komisionit, nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Disa ditë më parë një interpretim ligjor i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, pos konstatimit se shumica e thjeshtë në komisionet e aksionarëve për ndërmarrjet publike mund të marrë vendime, i ka kërkuar kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, që sa më shpejt t’i emërojë anëtarët e komisioneve që janë në kompetencë të tij, pas dorëheqjes së tyre nga anëtarësia e të gjitha komisioneve të aksionarëve. Në atë përgjigje është saktësuar se komisionet e aksionarëve përbëhen nga tre anëtarë, një që emërohet nga kryetari i Komunës dhe dy nga Kuvendi Komunal.

Në Komunën e Prishtinës autoritetet e saj asnjëherë nuk kanë sqaruar se pse nuk ndodh emërimi i anëtarëve të komisioneve, derisa të vetmen përgjigje që e thonë është se vetëm dy anëtarët e komisioneve të zgjedhur nga KK-ja nuk mund të marrin vendime. E pak ditë pas publikimit të interpretimit të MAPL-së, Komisioni i Aksionarëve i Termokosit, i përbërë nga përfaqësues të LDK-së dhe PDK-së, kanë shkarkuar nga Bordi i Drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje dy anëtarë komisioni, duke e lënë bordin pa kuorum të mjaftueshëm.

Nuk ka vonuar e kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, u ka dërguar letër bordeve të drejtorëve dhe kryeshefave ekzekutivë të ndërmarrjeve lokale publike të Prishtinës, duke iu kërkuar që të mos i zbatojnë urdhrat e komisioneve të aksionarëve. «Çdo vendim i marrë në emër të komisioneve komunale të aksionarëve në ndërmarrjet publike lokale, të cilat nuk kanë përbërje të plotë të anëtarëve, është i paligjshëm», ka thënë Ahmeti, duke e vlerësuar plotëninë me anëtarin e emëruar nga vetë ai. Në këtë letër Ahmeti sqaron se «përfaqësimi i anëtarëve në këto komisione të zgjedhura nga ana e Kuvendit Komunal është i kontestueshëm dhe të njëjtit nuk gëzojnë legjitimitet». Letra e kryetarit Ahmeti ndaj ndërmarrjeve lokale publike ndërkaq është cilësuar e jashtëligjshme nga partitë opozitare LDK e PDK.

«Letra e Shpend Ahmetit drejtuar ndërmarrjeve publike të Komunës së Prishtinës është letër që vjen jo nga ai vetë, por nga zyra politike e ‘Vetëvendosjes’, e cila e ka futur kryetarin e kryeqytetit në një qorrsokak politik dhe administrativ, duke e vënë në pozitën e një eksponenti që duhet t’i shkelë normat më elementare të demokracisë për të zbatuar urdhra politike e partiake të VV», ishte reagimi i grupit të këshilltarëve të LDK-së ndaj letrës së kryetarit, gjatë fundjavës që shkoi. Vlerësim të njëjtë ka dhënë edhe grupi i këshilltarëve të PDK-së, i kryesuar nga Lirak Çelaj. «Shpendi po mendon që në këtë mënyrë i bllokon vendimet për ndërmarrjet publike, por për këtë ekzistojnë ligjet dhe ai duhet t’i respektojë», ka theksuar Çelaj.

«Ne dëshirojmë që ta denoncojmë një shkelje që po e bën Shpend Ahmeti, që nuk është hera e parë në raport me ndërmarrjet publike. Ai sot ua ka dërguar një shkresë bordeve të ndërmarrjeve publike komunale dhe kryeshefave ekzekutivë, që të shpërfillin vendimet e aksionarëve, të cilët janë ata që kanë përgjegjësi për ndërmarrjet publike. Neni 5, pika 2 e Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike thotë qartë që kryetari ushtron kontroll nëpërmjet aksionarit. Pra, ai nuk ka drejtë që drejtpërdrejt të komunikojë në këtë formë siç ka ndodhur tash me këto ndërmarrje publike dhe ai po konteston diçka të cilën e ka konfirmuar edhe gjykata, pra që aksionarët aktualë janë legjitimë, përbëjnë shumicën e 66 për qind të komisionit të aksionarëve», tha Çelaj. Edhe ky interpretimin e Ministrisë së Pushtetit Lokal e ka cilësuar në favor të aksionarëve ekzistues.