Mbështetja popullore për BE-në mbetet e fortë sipas sondazhit

Një sondazh i ri nga Bertelmann’s Stiftung tregon se dy e treta e popullsisë në BE mbështet projektin europian, megjithëse më pak mbështesin integrimin e mëtejshëm apo thonë se punët po shkojnë mirë.

Parlamenti Europian në Strasburg. Foto: David Iliff



Ndërsa 60-vjetori i Traktatit të Romës i nënshkruar më 1957 – që krijoi një treg të përbashkët europian do të shënohet të shtunën, një sondazh i ri i opinioneve të njerëzve në 28 shtetet anëtare i kryer nga Bertelmann’s Stiftung në Gjermani ofron material për liderët e BE-së dhe aktivistët anti-BE.

Nga ana tjetër, vazhdimësia e ekzistencës së BE-së gëzon mbështetje të madhe nga njerëzit në të 28 vendet anëtare, ku dy e treta e atyre që morën pjesë në studim – rreth 65 për qind – thanë se do të votonin për të qëndruar në Bashkimin Europian.

Mendimet ishin shumë të ndryshme mbi integrimin e mëtejshëm në BE, ku vetëm gjysma e atyre që u morën në pyetje thanë se do ta mbështesnin.

Nuk është çudi, që vetëm 37 për qind e britanikëve mbështetën integrimin e mëtejshëm në gusht 2016, pas votimit Brexit, por shifra nuk ishte më e lartë as në Francë, me 41 për qind.

Të vetmet nivele të larta të mbështetjes për integrim të mëtejshëm ishin në Spanjë dhe Itali, veçanërisht, ku ishin dakord pothuajse 70 për qind e personave.

Pikëpamjet ishin më optimiste në lidhje me pyetjen nëse gjërat po lëviznin «në drejtimin e duhur» në BE në përgjithësi, ku ishin dakord vetëm një e katërta e atyre – 17 për qind në Itali dhe vetëm 20 për qind në Francë.

Brenda vendeve gjendja ishte më pesimiste, me vetëm 14 për qind të atyre që u pyetën në Itali dhe 15 për qind e të pyeturve në Francë ranë dakord që gjërat po shkonin në «drejtimin e duhur» në atdhe.

Për më tepër, niveli më i lartë i optimizmit në Britani në gusht 2016 – 40 për qind – mund të jetë influencuar nga ata që votuan pro-daljes nga BE-ja të cilët po festonin fitoren e tyre në referendumin e qershorit 2016.

«E thënë thjeshtë, njerëzit mbështesin idenë e një Europe të bashkuar, por janë gjithnjë të pavendosur rreth  drejtimit të saj aktual», shkruan autorët e studimit Catherine de Vries dhe Isabell Hoffmann.

«Mbështetja për drejtimin e politikës së përgjithshme në BE është shumë më e ulët sesa mbështetja për anëtarësim dhe integrim të mëtejshëm. Gjatë periudhës së studimit vetëm një e katërta e popullatës së 28 vendeve mendonin se BE-ja po lëviz në drejtimin e duhur. E njëjta gjë është e vërtetë për nivelin kombëtar».

Kërkimi u krye duke u bazuar te 10,000 persona të pyetur në të gjitha vendet e BE-së nga gushti 2015 në gusht 2016.