Mbështetësit e qeverisë maqedonase shtojnë presionin ndaj Komisionit Zgjedhor

Në një atmosferë të tensionuar, mijëra mbështetës të partisë në pushtet VMRO DPMNE u mblodhën të enjten në mbrëmje përpara Komisionit Shtetëror Zgjedhor në Shkup, ndërsa ky shqyrtonte ankesat e partive opozitare.

Nikola Gruevski, kryeministri shumëvjeçar dhe i kontestuar u Maqedinisë, bashkë me kolegë partiakë.



Teksa komisioni Zgjedhor i Maqedonisë, DIK, u mblodh të enjten në mbrëmje në Shkup për të diskutuar ankesat e opozitës rreth zgjedhjeve të përgjithshme, mijëra mbështetës të partisë VMRO DPMNE në pushtet mbërritën me autobusë nga qytete më të vogla në mision për të «mbrojtur» fitoren e tyre zgjedhore.

Politikanë dhe mbështetës të VMRO DPMNE iu drejtuan turmës duke akuzuar partinë kryesore në opzotë se po përpiqet «të tradhtojë» Maqedoninë.

«Ne nuk do të lejojmë vendin të drejtohet nga njerëz që janë të gatshëm të kryejnë tradhtinë më të madhe kundër Maqedonisë», tha deputeti i VMRO DPMNE, Ilija Dimovski për protestuesit.

«Anëtarët e DIK duhet të dinë se mbajnë përgjegjësinë më të madhe dhe do të vendosin nëse ky vend do të jetë normal dhe i begatë», shtoi ai.

«Ata duhet ta dinë se këta njerëz nuk kanë më forcë të tolerojnë të tilla gjëra. Ne respektojmë demokracinë dhe zërin e njerëzve. Nuk ka kthim mbrapa», vazhdoi Dimovski.

Nën një presion të tillë, DIK nuk arriti që të enjten mbrëma të përfundojë të gjitha shqyrtimet e ankesave. Puna vazhdon të premten.

Tubimi lidhet me «Natën e thikave të gjata»

Protesta jashtë DIK pati pjesëmarrje jo vetëm nga politikanët, por edhe nga zyrtarë që drejtojnë institucione kyçe në vend dhe mbështetës të afërt të partisë në qeveri. Kreu i Komisionit Shtetëtor për Marrëdhëniet me Komunitetet Fetare, Valentina Bozhinovska – si për çudi – e krahasoi protestën me spastrimet naziste të «Natës së thikave të gjata» në 1934, kur regjimi nazist kreu një seri ekzekutimesh politike të jashtëligjshme në Gjermani për të konsoliduar pushtetin absolut të Adolf Hitler. «Më lini të përshëndes mbrojtësit. Kjo natë është nata e heshtave. Kjo natë është ose një natë e arsyetimit ose e çmendurisë së një burri, tradhtarit të fundit maqedonas Zoran Zaev», tha ajo.

«Zaev, nëse ti guxon [të përballesh] me VMRO DPMNE, do të përballesh me popullin, me Maqedoninë… Do të vijë një ditë kur ne do të themi, ejani motra e vëllezër, të mblidhemi dhe të shohim se kush do të jetë mbreti ynë dhe kush është një spiun», deklaroi ajo. Në fjalimin e saj teatral, Bozhinovska gjithashtu shpalli dy anëtarë të DIK, Aleksandar Ciciakovski dhe Violeta Duma si tradhtarë të kauzës kombëtare. «Ciciakovski dhe Duma gjithashtu duhet ta dinë se këtë natë po vrasin Gocen dhe Centon me dy plumba», tha ajo duke iu referuar heronjve kombëtar.

Ambasadorit i thuhet të qëndrojë larg çështjeve kombëtare

Në linjë me pretendimin e partisë qeverisëse se disa ambasadorë të perëndimit po ndërhyjnë me punën e DIK për të kthyer rezultatin e zgjedhjeve të favor të opozitës, Filip Petrovski, ish deputet i VMRO DPMNE dhe kreu aktual i Arkivës Kombëtare, paralajmëroi një ambasador që nuk ia tha emrin të mos përzihej. «Më lejoni t’i dërgoj përshëndetje personale ambasadorit. Mos i ndotni marrëdhëniet mes dy vendeve… Shumë shpejt do të largoheni gjithsesi», tha ai.

«Një ambasador do të vijë, i cili e respekton vullnetin e Maqedonisë. Largohuni nga DIK, mos i jepni atyre [opozitës] fuqi për të shkaktuar trazira. Nuk kemi nevojë për një Taksim tjetër dhe një Kiev të ri», shtoi ai duke iu referuar protestave dhe revolucioneve në Turqi dhe Ukrainë. «Populli maqedonas fitoi në Maqedoni, ndaj mjaft vazhduat me provokimet», tha Petrovski te turma që brohoriti «hajdutë!»

Media pro-qeveritare në Maqedoni vazhdimisht ka akuzuar ambasadorin e SHBA, Jess Baily, për ndërhyje në punë të brendshme, akuza që ambasadori i ka hedhur poshtë. Petrovski gjithashtu e quajti opozitën «thjesht hajdutë», duke shtuar: «Kur ne themi mjaft, mjaft. Asgjë nuk do të na ndalojë nëse kryesojmë ne. Durimit po i vjen fundi».

Vendimi i DIK mund të vendosë kush formon qeverinë e re

Mes grindjeve të ashpra dhe ndërprerjeve të shpeshta, DIK ka refuzuar tashmë shtatë nga tetë ankesat zgjedhore të dërguara nga partia opozitare shqiptare BESA, si dhe katër nga tetë ankesa nga opozita Social Demokrate. Komisioni pranoi një ankesë të Besës. Besa dhe Social Demokratët këmbëngulin për parregullsi në disa zona, që nëse korrigjohen mund të përmbysin rezultatin e zgjedhjeve në favorin e tyre. Rezultatet deri tani tregojnë se SDSM ka fituar 49 vende dhe partia VMRO DPMNE 51. Kjo e bën situatën shumë të pavendosur pasi vetëm një apo dy deputetë bëjnë të gjithë diferencën se cila parti do të formojë qeverinë e ardhshme.

(Botuar fillimisht nga: https://www.reporter.al/mbeshtetesit-e-qeverise-maqedonase-shtojne-presionin-ndaj-komisionit-zgjedhor/)