Mbajeni në mendje këtë datë: 6 tetor 2016

Më 1998 gëzoheshim kur Ardian Kozniku mori pjesë në Kampionatin Botëror të Futbollit me Kroacinë. Tani Kombëtarja e Kosovës do të luajë kundër Kombëtares së Kroacisë.

Në vitin 1998 s’kishim gati asnjë arsye për gëzim. Kosova po bëhej shkrumb e hi nga terrori i Beogradit, qindra-mijëra njerëz tashmë ishin përndjekur nga vatrat e tyre dhe bënin jetën e refugjatit – brenda Kosovës, në Shqipëri, Maqedoni dhe në shumë vende perëndimore. Klasa politike dhe ajo ushtarake e Kosovës nuk ishin në nivel të përgjegjësisë historike. Përballë rrezikut të madh nga ushtria dhe policia serbe, politikanët dhe «komandantët» tanë grindeshin për cikërrima, për fonde, për bajraktarizëm.

Ibrahim Rugova organizonte «zgjedhje parlamentare» në kushte lufte, Jakup Krasniqi përbetohej se synim i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është jo vetëm bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, por edhe çlirimi i Çamërisë. Në një aksion aventurier UÇK mori për pak orë Rahovecin, një komandant i UÇK-së tha se do të lëshoheshin letërnjoftime në komunën e Malishevës, në Prishtinë gjenerata e snobëve i fërkonte duart për të hyrë në punë në ndonjë «organizatë ndërkombëtare» si përkthyes a shofer, të rrallë ishin ata që dëshironin të mbronin pragun e shtëpisë me armë. Për këtë mbase as nuk mund të akuzohen, sepse, siç u tha, klasa politike e kishte përçarë shoqërinë. Në atë kaos secili përpiqej të mbijetonte.

Në vitin e tmerrshëm 1998 shqiptarët e Kosovës kishin vetëm një arsye të vogël, shumë të vogël për gëzim: në Kampionatin Botëror të Futbollit në Francë merrte pjesë një shqiptar. Emri i tij: Ardian Kozniku. Ai ishte pjesë e Kombëtares së Kroacisë, një shteti të sapodalë nga lufta. Për fat të keq Kozniku nuk luajti fare gjatë turnirit në Francë, ai mbeti në bankën rezervë. Gjatë karrierës së tij në Kombëtaren kroate Konzinku luajti në shtatë ndeshje dhe dha dy gola. Në finale gjenerata e artë e futbollistëve francezë mposhti Brazilin (3:0). Në atë vit Zinédine Zidane u shpall futbollist i vitit në Francë, futbollist i vitit në Europë dhe futbollist i vitit në botë. Davor Shukeri mori titullin futbollist i vitit në Kroaci.

E largët duket ajo kohë. Dhe sa afër është. Këtë na e përkujtojnë mijëra të vrarë në Kosovë dhe qindra të pagjetur ende. Viktima të një lufte të pabarabartë mes një agresori mizor dhe viktimave shqiptare pa prijës të vërtetë politikë dhe ushtarakë.

Më 6 tetor 2016, kur Kombëtarja e Republikës së Kosovës do të luajë kundër Kroacisë në kualifikimet për Kampionatin Botëror në Rusi më 2018, të gjithë shqiptarët, e veçanërisht ata në Kosovë, duhet ta kujtojnë vitin 1998, kur mes lajmeve të Zërit të Amerikës, BBC, CNN, Radios Europa e Lirë, Radios Ndërkombëtare të Francës (RFI), Deutsche Welles dhe ndonjë radiostacioni tjetër shikonim ndeshjet e Kroacisë në Kampionat dhe shpresonim se trajneri kroat do ta fuste në lojë Koznikun, yllin e KF Prishtinës, yllin e Hajdukut të Splitit dhe Dinamos së Zagrebit.

Më 6 tetor djemtë e Kosovës do të luajnë kundër Kroacisë. Është një moment historik, pas barazimit historik kundër Finlandës në fillim të kësaj jave. Të dalë nga lufta dhe nga vitet e rënda të transicionit, të dalë nga izolimi shumëvjeçar – futbollistët e Kosovës po e pushtojnë fushën e blertë jo me përvojë të madhe, por me zemër të madhe, me sakrificë, me dëshirë për të luftuar deri në dihatjen e fundit për vendin e tyre. Kjo gjeneratë futbollistësh është me fat, sepse po e fut Kosovën në hartën e futbollit botëror. Dhe njëkohësisht po jep shpresa se shteti i Kosovës mund të bëhet. Për këtë dhe miliona arsye të tjera kjo përfaqësuese e Kosovës, ky reprezentacion, kjo Kombëtare meriton përkrahje të parezervë. Nga bijtë dhe bijat e Kosovës, që u ngrit si feniks nga hiri i historisë.