Mbajeni në mend mirë këtë emër: Osman Ejupi!

Ky person është anëtar i Bordit të Telekomit. Ky person dyshohet se punësoi në këtë ndërmarrje publike 4 fëmijët e tij. Brenda një muaji! Mund ta quajmë këtë nepotizëm. Ose edhe më saktë: krim. Një krim që tregon se si para syve tanë po shembet shteti i Kosovës dhe një ndërmarrje publike që dikur thuhej sa ka vlerë mbi 1 miliardë euro sot gjendet para kolapsit.

Foto: Shutterstock



Mirë se vini në parajsë. Mirë se vini në parajsë. Mirë se vini në parajsë. Tri herë – mirë se vini! Parajsa quhet Telekomi i Kosovës. Thonë se është i Kosovës, por Telekomi, kjo ndërmarrje publike, është në të vërtetë pronë e njerëzve si Osman Ejupi dhe bandave (para)politike. Ky person është anëtar i Bordit të Telekomit. Anëtarët e Bordit duhet të kujdesen që ndërmarrja publike të menaxhohet sa më mirë, të gjenerojë sa më shumë fitime dhe të ofrojë shërbime cilësore për qytetarët, për taksapaguesit.

Duket se Osman Ejupi ka pasur shqetësime të tjera. Ai është zgjedhur anëtar i Bordit të Telekomit më 29 mars 2018. Pas më pak se tre muajve Osman Ejupi ka filluar një operacion që mund të hyjë në historinë më të re të Kosovës si shembull i nepotizmit, në fakt si shembull i krimit, i plaçkitjes, i grabitjes, i mentalitetit primitiv e zhvatës. Siç raporton televizioni KTV Osman Ejupi brenda një muaji ka arritur të punësojë në Telekom katër fëmijët e tij. Nuk dihet nëse ka fëmijë të tjerë ky person. Nëse ka, ndoshta edhe ata do të punësohen së shpejti në Telekom.

Mirë se vini në parajsë: Artina Ejupi-Tolaj, Arxhina Ejupi-Islami, Ardian Ejupi dhe Armend Ejupi. Ju nuk keni faj. Ju vetëm keni shfrytëzuar atë mundësi që ua ka krijuar babai juaj. Dhe bordi kriminal i Telekomit të Kosovës, bashkë me menaxhmentin dhe politikanët e korruptuar e të kriminalizuar që sundojnë Kosovën. Para katër fëmijëve të Osman Ejupit në Postën dhe Telekomin e Kosovës janë punësuar bijë e bija politikanësh të Kosovës, bijë e bija komandantësh, kushërinj e farefis hajdutësh muskuloz që rrjepin vendin prej 12 qershorit të vitit 1999. Këta rrjepës flasin shqip, rrjepësit deri më 1999 flisnin serbisht. Dallime të tjera të mëdha mes tyre nuk ka (në këtë krahasim nuk përfshihen përfaqësuesit e aparatit represiv serb).

Kur lexon këtë lajm të KTV-së të vjen të pyesësh: si është e mundur kjo? Si është e mundur që një anëtar bordi të jetë kaq i paturpshëm dhe i pangopshëm? Si është e mundur që ai të mos ketë fare frikë se ndokush mund t’i dalë përpara dhe t’i thotë: stop! Si është e mundur të mos ketë frikë nga autoritetet, nga ligji? Nga reagimi i opinionit? Përse kanë heshtur anëtarët e tjerë të bordit kur njëri pas tjetrit brenda pak ditësh u punësuan në Telekom katër fëmijë të Osman Ejupit? Në këtë ndërmarrje punojnë rreth 3 mijë punëtorë me pagë mesatare 980 euro.

Sipas rregullave profesionale KTV ka pyetur Osman Ejupin mbi fushatën e tij për punësimin e familjes në Telekom. Ai ka kërkuar që gazetarja ta marrë në telefon «pas gjysmë ore» – dhe pastaj nuk e ka hapur më telefonin. Një metodë e njohur kjo e zyrtarëve që kanë për të fshehur diçka. Ose nuk duan të ballafaqohen me pyetje të pakëndshme. Edhe menaxhmenti i Telekomit ka refuzuar të përgjigjet. Sepse të gjithë këta e shohin veten mbi ligjin. Tallen me ligjin. Tallen me shoqërinë, paratë e së cilës i përdorin për agjenda private nepotiste.

Ndërkohë: vlera e Telekomit, sipas disa parashikimeve, ka rënë në 22 milionë euro. Dikur kjo ndërmarrje vlerësohej se kishte vlerë prej 300 deri 600 milionë euro. Në vitin 2007 menaxhmenti i Postës dhe Telekomit thoshte se vlera e ndërmarrjes është mbi një miliard euro. Tani Telekomi gjendet para kolapsit! Kjo është meritë e komandantokracisë së PDK-së dhe partive si LDK, AAK e Nisma që po aq barbarisht janë shquar në zhvatjen e kësaj ndërmarrjeje. Osman Ejupi ndoshta është personi më së paku i fajshëm për këtë masakër menaxheriale. Ai thjeshtë sapo ka hyrë në bord të Telekomit i është përshtatur kulturës së punës. A ka prokurori në këtë vend? A ka qytetarë që protestojnë? A ka njerëz që revoltohen?