Mbahet pezull demarkacioni me Malin e Zi

Nuk është iniciuar procesi i fuqizimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, as një muaj pas firmosje së saj në Vjenë. Qeveria po e mban pezull, nga frika se s’mund ta bëjë ratifikimin e saj në procedurë kushtetuese.




Janë dy rrugë nëpërmjet të cilave bëhet ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. E para është nëpërmjet votimit në Kuvend. Pa votën «për» të dy të tretave të deputetëve, nuk mund të fuqizohet asnjë marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë me territorin. Ndërkaq, ka marrëveshje për një listë çështjesh të tjera, e ku nuk hyn territori, të cilat ratifikohen pas nënshkrimit nga presidenti i Republikës, shkruan sot «Koha Ditore».

Marrëveshja e parafuar më 26 korrik, ende nuk është proceduar nga Qeveria, qoftë për ratifikim në Kuvend apo për t’u nënshkruar nga presidenti i Shtetit.

Zyra e Kryeministrit nuk u është përgjigjur pyetjeve që gazeta ia ka përcjellë të hënën, sikur as pyetjeve që i janë dërguar edhe më përpara, përkitazi me procesin e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje.