Maurice Bavaud – heroi zviceran që u përpoq të vrasë Hitlerin

Një ditë vjeshte të vitit 1938 Maurice Bavaud mori 600 franga nga arka e nënës së tij në Neuenburg të Zvicrës dhe udhëtoi në Gjermani – për ta vrarë Adolf Hitlerin. Përpjekjet e tij dështuan dhe ai u dënua me varje.

Maurice Bavaud.



Ata që flasin gjermanisht e quajnë Neuenburg, ata që flasin frëngjisht e quajnë Neuchâtel. Në shqip do të mund të quhej Kështjella e Re. Ky qytet në Zvicrën perëndimore ka 33 mijë banorë, një ekonomi të zhvilluar (si mbarë Zvicra), një muze që kujton shkrimtarin e famshëm Friedrich Dürrenmatt (disa romane të tij janë përkthyer edhe në shqip), një muze për art dhe histori, një universitet në bregun verior të liqenit të Neuenburgut, një kishë nga shekulli ’12. Ky qytet është edhe vendlindja e Maurice Bavaud, i njohur si atentatori i Adolf Hitlerit. Bavaud u lind më 15 janar 1916.

Më 9 tetor 1938 Bavaud u zhduk nga shtëpia e tij. Nga arka e nënës ai mori 600 franga dhe pas la një letër: «Të dashur prindër, mos u shqetësoni për mua, unë do t’i dalë të sigurojë ekzistencën time. Bavaud bleu një revole, një të kalibrit të vogël, që atëherë quhej «pistoletë damash». Nisi të lexojë me vëmendje gazetat mbi vendndodhjen e Adolf Hitlerit. Pa ndonjë plan i riu zviceran shkoi në Berlin, ku bleu 25 fishekë për revolen e tij.

Në Ammersee, një liqen në Bavari, zvicerani nisi të ushtrojë për ditën e madhe, kur Hitleri do t’i dilte para tytës së revoles. Për këtë qëllim ai bënte anije prej letre, i vendoste në liqen dhe i merrte në shenjë, pastaj shtinte me revolen e tij. Kur iu afrua fshatit Berteshgaden, ku Hitleri kishte një rezidencë alpine, ai vërejti se rrugët ishin të bllokuara, i riu zviceran s’mund të shkonte më tutje. I dëshpëruar vazhdoi rrugën për në Mynih. Këtu, në kryeqytetin e Bavarisë, ai shpresonte se më në fund do të realizonte planin e tij të madh.

Më 9 nëntor 1938, kur orgjia nacionaliste po merrte hov kundër hebrenjve në mbarë Gjermaninë, nazistët festonin 9 nëntorin e vitit 1923, kur Hitleri kishte provuar të marrë pushtetin përmes grushtit të shtetit. Në atë festë ishte i pranishëm edhe Bavaud, pasi u deklarua si simpatizant i Hitlerit. Pasi zuri vend në tribunën e nderit, Maurice Bavaud u bë gati për atentat dhe dështoi, sepse mbështetësit e Hitlerit filluan të brohorasin, të përshëndesin liderin nazist dhe të valëvitin flamujt. Kështu zviceranit iu bllokua pamja për ta marrë në shenjë vrasësin e mëvonshëm masiv.

I dëshpëruar dhe pa para ai mori trenin drejt Parisit – pa biletë. Në tren i tha konduktorit se e kishte humbur biletën. Policia e trenit e dorëzoi atë te policia sekrete, e cila te zvicerani naiv gjeti 19 fishekë, një hartë të rrethinës së Berteshgaden, dokumente të falsifikuara, një letër të zbrazët dhe një zarf me shënimin «Monsieur le chancelier Adolf Hitler». Fillimisht Bavaud u dënua me disa ditë burg, por policia zgjeroi hetimet dhe më 18 dhjetor 1939 ai pranoi para gjyqit se kishte planifikuar një atentat.

Në dokumentet e gjykimit studenti i teologjisë nga Zvicra citohet të ketë thënë se Hitleri ishte një «rrezik për njerëzimin, para së gjithash për Zvicrën». Me veprën e tij ai besonte se «do t’i bënte një shërbim njerëzimit dhe të gjithë të krishterëve». Pendimi para gjykatës nuk i solli asgjë. Më 14 maj 1941 Bavaud u ekzekutua me varje në burgun Berlin-Plötzensee.

Bavaud përshkruhet si njëri i vetmuar dhe majtist, i cili lexonte Anton Çehovin, Nikolai Gogolin dhe Mahatma Gandin. Në Neuenburg një pllakë në shtëpinë e tij përkujton përpjekjen e tij për vrasjen e Adolf Hitlerit. Zvicra një kohë të gjatë nuk ka shprehur respektin e duhur ndaj Bavaud. Pas arrestimit ambasadori zviceran në Berlin nuk kishte ndërmarrë asnjë hap, madje e kishte quajtur veprën e planifikuar nga Bavaud si «të përbuzshme». Pas luftës familja e tij kërkoi nga drejtësia gjermane ta rehabilitojë. Por, pa sukses. Në drejtësinë gjermane në vitet ’50 kishte plot nazistë të vjetër. Kodi penal nuk parasheh të drejtën për vrasjen e diktatorit, mendonin juristët gjermanë në vitin 1955. Më vonë Gjermania i pagoi familjes së Bavaud 40 mijë franga dëmshpërblim.

Pasi mori vesh për planin e zviceranit për atentat, Adolf Hitleri vendosi të ndalojë dramën «Wilhelm Tell» në skenat gjermane. Drama e shkruar nga Friedrich Schilleri përshkruan heroin zviceran Tell, i cili kishte vrarë zyrtarin habsburgas Hermann Gessler – me shigjetë.