Mattis europianëve: Ndani më shumë para për mbrojtje

Gjatë vizitës së parë në selinë e NATO-s në Bruksel si shefi i Pentagonit James Mattis u ka bërë thirrje europianëve të ndajnë më shumë para nga buxheti i tyre për fushën e mbrojtjes.

James Mattis.



Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, u kërkoi sot aleatëve të NATO-s të rrisin shpenzimet e tyre, përndryshe SHBA-ja do të zvogëlonte angazhimin e saj brenda Aleancës Atlantike. «Dëshiroj të jem i qartë për realitetin politik në SHBA, si dhe t’iu komunikoj kërkesën e drejtë të shprehur nga populli im», deklaroi James Mattis para homologëve të NATO-s, sipas një teksti të komunikuar nga shërbimet e tij. «Amerika do të respektojë përgjegjësitë e saj, por nëse kombet tona nuk dëshirojnë ta shohin Amerikën të reduktuar në angazhimin ndaj kësaj Aleance, secili prej kryeqyteteve tuaja duhet të tregojë mbështetjen e tij për mbrojtjen tonë të përbashkët», theksoi Mattis.

Ndarja e barrës së shpenzimeve ushtarake mes aleatëve është shfaqur si çështja numër një që në takimin e parë të NATO-s, ku James Mattis mori pjesë. Presidenti amerikan, Donald Trump, këmbënguli mbi këtë temë gjatë fushatës zgjedhore dhe javët e para në pushtet. Ai përsëriti disa herë që SHBA-ja do të mendohej dy herë për të respektuar detyrimet e saj ndaj NATO-s, nëse aleatët europianë nuk i afroheshin sa më shpejt objektivit të shpenzimeve prej të paktën dy për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mes 28 vendeve anëtare të Aleancës, vetëm SHBA-ja, Greqia, Britania e Madhe dhe Polonia respektojnë këtë prag.

Gjatë vizitës në Bruksel Mattis tha se NATO-ja mbetet një shtyllë thelbësore për SHBA-në dhe presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur një mbështetje të fortë. «Aleanca mbetet një shtyllë themelore për SHBA-në dhe për të gjithë komunitetin transatlantik, të lidhur ashtu si jemi me njëri-tjetrin», garantoi sekretari amerikan i Mbrojtjes në krahë të shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg. Ish-shef ushtarak i NATO-s, gjenerali Mattis e konsideroi Aleancën si «shtëpinë e tij të dytë». (AFP/ATSH)