Mashtrimi i heqjes së vizave me SHBA-në ngatërron maqedonasit

Një uebsajt për lajme të rreme që pretendoi se presidenti amerikan Donald Trump kishte hequr vizat për shtetasit maqedonas ka shkaktuar ngatërrim në disa media dhe rrjete sociale.

Ambasada Amerikane në Shkup. Foto: Wikimedia Commons/Qeveria Amerikane



Pasi disa uebsajte lajmesh në Maqedoni përsëritën një lajm fals rreth heqjes së vizave me Amerikën, që fillimisht u publikua në një uebsajt lajmesh të rreme me emrin USA Television, ambasada amerikane në Shkup qartësoi se ishte një mashtrim.

«Nuk është e vërtetë. Lista e vendeve që janë pjesë e programit të heqjes së vizave nuk ka ndryshuar», tha ambasada në faqen e vet të Facebook të hënën.

Artikulli fals i vizave u publikua fillimisht më 29 mars dhe u përhap shpejt në rrjetet sociale dhe vazhdon të dali në disa portale lajmesh maqedonase.

Ai pretendon se presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të lejuar pacientët e Maqedonisë të udhëtojnë në SHBA pa vizë.

Gjithashtu artikulli pretendon se Trump tha se heqja e regjimit të vizave ishte projektuar për të nxitur tregtinë mes Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë.

Megjithatë, artikulli fals pretendon se maqedonasit me dyshtetësi nga Siria, Irani, Jemeni, Sudani dhe Somalia, do të ndalohen nga hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Ky informacion fals u mor edhe nga stacioni televiziv rajonal Orbis dhe nga sajti i lajmeve Business News.

Të dyja përsëritën historinë me tituj të njëjtë lajmesh: «Presidenti Amerikan ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të lejuar shtetasit maqedonas të udhëtojnë në SHBA pa viza?»

Të dyja faqet, në raportime identike, theksuan se «ky lajm nuk është konfirmuar ende zyrtarisht», por dështuan të kundërshtonin origjinalitetin e burimit.

Raporti i rremë ka vazhduar të pështjellojë disa maqedonas.

Një përdorues i Twitterit i quajtur «Makedonija» shkroi: «Urime, pa viza për Maqedoninë!»

Një përdorues i quajtur «Knigovogja» pyeti ndërkohë: «Trump hoqi vizat për Maqedoninë. Është kjo e vërtetë apo shaka?»

Lajmi i rremë vjen në një kontekst të krizës së thellë politike në Maqedoni, që gjithashtu ka parë thashetheme rreth ndryshimit të mundshëm të politikës amerikane kundrejt Maqedonisë.

Pas fitores së Trump, VMRO DPMNE ka mbështetur presidentin e ri, ndërsa kritikoi administratën Obama, si dhe OJQ-të e financuara nga miliarderi amerikan George Soros, me pretendimin se ai po bën konspiracion kundër Maqedonisë dhe qeverisë së drejtuar nga VMRO DPMNE.

(https://www.reporter.al/mashtrimi-i-heqjes-se-vizave-me-shba-ne-ngaterron-maqedonasit/)