MAShT: Testi i arritshmërisë është proces teknik-profesional, mos të politizohet

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) përmes një komunikate për medie ka sqaruar hapat për zhvillimin e testit të arritshmërisë për klasat e nënta, duke e quajtur gjithë procesin teknik-profesional dhe me kërkesën që ai të mos politizohet.




Sqarimi vjen pas reagimeve dhe kërcënimeve që erdhën nga Gjilani, pasi anulimit të rezultateve në komunat Dragash, Gjilan dhe Hani i Elezit, ku ekspertët gjetën shpërputhje me rezultatet e komunave tjera dhe me mesataren e përgjithshme në nivel të vendit.

Po e japim të plotë komunikatën.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), në bazë të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës Nr. 04/L-032, këtë vit, ka organizuar testin e arritshmërisë në të gjitha shkollat e mesme të ulëta në Republikën e Kosovës. Testi është organizuar me 21 maj dhe rezultatet janë publikuar me 30 maj 2016.

Pas përpunimit të rezultateve nga Divizioni për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim (DVSM) në kuadër të MASHT, janë publikuar rezultatet e testit në shkallë vendi, sipas të cilave ka rezultuar se shkalla e përgjithshme e kalueshmërisë është 64.7%.
Pas përpunimit dhe vlerësimit profesional të rezultateve nga zyrtarët kompetentë në DVSM, sipas fushave lëndore dhe sipas komunave, ekipi i ekspertëve ka vlerësuar se shkalla e arritshmërisë në komunat: Dragash, Gjilan dhe Hani i Elezit, është në shpërputhje me rezultatet e komunave tjera dhe me mesataren e përgjithshme në nivel të vendit. Mbi këtë bazë, ekipi i ekspertëve të DVSM-së, ka konkluduar se rezultatet në këto tri komuna nuk janë reale, si pasojë e lëshimeve dhe monitorimit joadekuat gjatë procesit të testimit.

Në bazë të vlerësimeve profesionale të ekipit të ekspertëve të DVSM-së, u.d. Sekretari i Përgjithshëm i MASHT-it, ka marr vendim më datë 30.05.2016, për përsëritjen e testimit në komunat përkatëse me datën 8 qershor 2016, në ora 10:00, ndërsa publikimi i rezultateve do të bëhet me 10 qershor 2016.
MASHT, në ndërkohë është duke e analizuar gjithë procesit të organizimit dhe administrimit të testimit me qëllim të marrjes së masave dhe adresimit të përgjegjësisë në raport me gjithë zyrtarët dhe administruesit e testit, dhe mbi bazën e kësaj analize do të ndërmerr masat dhe veprimet adekuate ligjore dhe administrative për të gjithë ata që nuk kanë zbatuar detyrat dhe obligimet zyrtare.

MASHT, është e zotuar që asnjë nxënës të mos penalizohet, përkundrazi, përmes procesit të ritestimit ata do të kenë mundësi për një vlerësim real dhe proces korrekt dhe transparent.
Të gjithë nxënësit e klasave të IX, në këto komuna duhet t`i nënshtrohen sërish testimit me të njëjtat teste, në të njëjtat klasë dhe në të njëjtat shkolla, pa asnjë ndryshim apo ndërhyrje nga askush.

Sipas planit të MASHT për regjistrimin e nxënësve në shkolla të mesme të larta në klasën X, afati i parë i regjistrimit do të jetë në datat 13,14 dhe 15 qershor 2016.

Sipas Udhëzimit Administrativ nr. 07/2015 për Kalendarin Shkollor 2015/16, Gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e klasave të 9,10 dhe 11 mbaron më 3 qershor 2016. Asnjë institucion shkollor nuk mund të lëshoj dokumentacion pedagogjik shkollor para përfundimit të viti shkollor sipas kalendarit shkollor 2015/16.

MASHT është e përkushtuar që në bazë të autorizimeve të përcaktuara me Ligjin për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe objektivave të Strategjisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar 2016-2020, të angazhohet maksimalisht për përmirësimin dhe avancimin e cilësisë në arsim.

Vlerësojmë shqetësimet e nxënësve, prindërve, mësimdhënësve nga tri komunat ku është vendosur që testi të përsëritet dhe i sigurojmë që qëllimi i vetëm i këtij vendimi është mbrojtja dhe zbatimi i standardeve profesionale në vlerësimin e drejtë dhe adekuat të arritjes së nxënësve tanë.

Në fund, vlerësojmë lartë punën dhe përkushtimin e autoriteteve komunale në përpjekjet e tyre serioze dhe rezultatet konkrete për përmirësim dhe avancim të cilësisë në arsimin parauniversitar, por njëherit kërkojmë mirëkuptimin që procese të tilla kryekëput të karakterit teknik-profesional të mos përdoren në asnjë mënyrë për çfarëdo interpretimi politik.

Jemi të bindur në vullnetin dhe synimet e përbashkëta të gjithë akterëve, që brenda përgjegjësive ligjore instiucionale, të gjitha palët do të angazhohen maksimalisht në funksion të interesit të përgjithshëm shoqëror për përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë në arsim.