MAShT e KEDS me Marrëveshje për praktikën profesionale të nxënësve

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, dhe drejtori i përgjithshëm i Kompanisë kosovare për distribuim dhe furnizim me energji elektrike (KEDS), z. George Karagutoff, nënshkruan sot Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila ka për qëllim ofrimin e praktikës profesionale në ndërmarrje për nxënësit e shkollave të mesme profesionale, në arritjen e kompetencave profesionale të parapara në kurrikulën kombëtare.




Nënshkrimi i kësaj Marrëveshje Bashkëpunimi është vazhdim i angazhimit të MAShT për të krijuar partneritet në mes të shkollave profesionale me ndërmarrjet publike dhe private të Kosovës, me qëllim që të rinjtë (nxënësit dhe studentët) tanë të përfitojnë përvojë në punë praktike, për të qenë më afër tregut të punës, transmeton Koha.net.

Ministri Bajrami, me këtë rast ka vlerësuar se bashkëpunimi i Ministrisë së Arsimit me KEDS- in është shembull i mirë i aftësimit të të rinjve për tregun e punës.

«Është bashkëpunim i shkëlqyeshëm që kemi tash e disa vite, një shembull i mirë i investimit të kësaj kompanie në edukimin e të rinjve, duke marrë në vazhdimësi një numër të caktuar të nxënësve, duke u ofruar mundësinë që ata të ushtrojnë praktikën profesionale për gjashtë muaj, duke ndërtuar kompetencat dhe shkathtësitë dhe duke i punësuar. Ky është shembulli më i mirë i MAShT me bizneset», ka thënë ministri Bajrami.

Ministri Bajrami po ashtu ka folur edhe për rëndësinë e krijimit të një partneriteti të fortë të shkollave profesionale me bizneset, për mundësuar që secila shkollë të ketë kompaninë, e cila u ofron nxënësve praktikën profesionale.

«Ajo çfarë pretendojmë në fushën e Arsimit dhe Aftësimit Profesional është arsim cilësor për punësim. Qëllimi i MAShT është që të krijojmë 100 partner të fortë të biznesit, në mënyrë që secili nxënës të plotësojë nevojat dhe shkathtësitë e veta duke punuar dhe duke u aftësuar në kompani», është shprehur ministri Bajrami.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i KEDS- it, z. George Karagutoff, tha se të rinjtë e përfshirë në këtë program i cili ofron kurse teorike dhe praktike janë shndërruar në menaxher të së ardhmes. «Jam i kënaqur që i shoh këta të rinjë duke marrë përgjegjësi të reja dhe duke marrë udhëheqje të reja në kompani. KEDS do të vazhdoj me këtë projekt, duke i ofruar të rinjve mundësi të reja për punësim», është shprehur Karagutoff.

Ndryshe, KEDS, përkatësisht Universiteti Bogazici i Turqisë ka tri vite që organizon Akademinë Profesionale për nxënësit dhe studentët nga Kosova, duke u ofruar aftësim teorik dhe praktik në ndërmarrje brenda një periudhe gjashtë mujore, certifikim dhe punësim, varësisht nga nevojat e kompanisë dhe performanca e të rinjve.