Masat e ashpra pas grushtit të dështuar të shtetit shkaktojnë frikë dhe përçarje në Turqi

Ndërsa kundërpërgjigjja e qeverisë turke ndaj atyre që akuzohen se orkestruan grushtin e shtetit shtrihet në një shkallë të gjerë ndaj kundërshtarëve, dhjetëra mijëra turq e gjejnë veten të zënë ngushtë mes dy palëve.

Foto: Orlok / Shutterstock.com

Grushti ushtarak i shtetit në Turqi, i cili dështoi, dhe kundërpërgjigjja pasuese e qeverisë mbi të dyshuarit si nxitës dhe mbi opozitën, kanë krijuar frikë dhe ndasi mes shumë shtetasve në vend.

Ndërsa disa besojnë verbërisht te presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe vazhdojnë të dalin në rrugë për të treguar mbështetjen për të, të tjerë e gjejnë veten në skajin tjetër të arrestimeve që ende vazhdojnë dhe e shohin këtë si një grusht të ndryshëm të shtetit.

«Babai im u pezullua dy ditë pas grushtit të dështuar të shtetit (më 15 korrik) dhe u arrestua javën e shkuar pa arsye. Ai gjithnjë e ka respektuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut», tha për BIRN vajza e një zyrtar të lartë të ministrisë së brendshme.

Ai ishte mes dhjetëra mijëra njerëzve të cilët u pezulluan nga puna apo u arrestuan në javët e fundit, si pjesë e operacionit të gjerë «spastrimi», që Erdogan dhe qeveria e tij e filluan pothuajse menjëherë pas përpjekjes për grusht shteti.

«Jemi të bindur se babai ynë është i pafajshëm dhe se familja jonë është një viktimë e këtij pastrimi politik», shtoi vajza e zyrtarit, duke theksuar se familja e saj nuk ka lidhje me klerikun mysliman me bazë në SHBA, Fethullah Gylen, i cili akuzohet se fshihet pas përpjekjes për grusht shteti.

Duke folur për BRIn në një kafe në qendër të Ankarasë, ku këmbënguli për anonimitet, ajo vazhdoi: «Nuk e di se si do ta provojë familja jonë se babai është i pafajshëm; presioni publik është jashtëzakonisht i lartë dhe turma që pasoi thirrjen e Erdogan po na sulmon gjerësisht.»

«Familja jonë është kundër çdo grushti shteti… nëse grushti i dështuar do të dilte me sukses, ne do të kishim vuajtur njëlloj si po vuajmë tani», tha ajo, duke përfunduar se vala e arrestimeve duket se është një grusht më vete, kryer ndaj njerëzve të pafajshëm.

«Nëna ime është një mësuese në një shkollë publike dhe vëllai im më i madh një inxhinier në një kompani private», tha ajo.

«Nëna gjithashtu u pezullua pas arrestimit të babait. Nuk e di se si do të mbijetojmë këto kohë kur kemi vetëm rrogën e vëllait, ndërsa unë jam studente».

Ajo thotë se madje fqinjët nuk i flasin më pasi janë shpallur publikisht si tradhtarë.

«Nuk kam shpresa», përfundoi ajo.

Vazhdon kundërpërgjigjja masive

Duke folur për mediat gjatë natës së tentativës së grushtit të shtetit, Erdogan deklaroi se ishte nxitur nga Gylen dhe organizata e tij, të cilët ai pretendonte se kishte vendosur përkrahësit e tyre brenda ushtrisë dhe institucioneve të tjera shtetërore.

Erdogan e përshkroi këtë organizatë si «shtet paralel» dhe e quajti atë «Organizata terroriste Fethullah», ose FETO.

Ai në mënyrë të përsëritur tha se nuk do të ndalet derisa të zbulohej edhe anëtari i fundit i FETO, ndërsa qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme tre-mujore për ta bërë këtë proces më të lehtë.

Deri më tani, më shumë se 70’000 njerëz janë pezulluar nga ushtria, policia, gjyqësori, byrotë, sistemi i arsimit, OJQ-të dhe mediat. Qeveria ka revokuar edhe licencat e mësimdhënies së 30’000 mësuesve në sektorin privat.

Numri i personave që kanë punuar për OJQ-të, mediat dhe kompanitë e tjera tashmë të mbyllura është i paqartë, por vlerësohet të jetë disa dhjetëra mijëra.

Ministri i Brendshëm Efkan Ala njoftoi më 29 korrik se ishte arrestuar 9’677 persona, përfshirë gjeneralë të ushtrisë, oficerë, gjykatës, policë, mësuesi, gazetarë dhe punonjës të OJQ-ve, përveç 18’044 personave të cilët janë dërguar tashmë në paraburgim gjatë ose menjëherë pas përpjekjes për grusht shteti.

«Qeveria u ka anuluar pasaportat 49,211 personave për të parandaluar largimin e terroristët FETO», shtoi ai.

Can Yılmaz ishte kontabilist në një prej kompanive që qeveria ka mbyllur për shkak të dyshimit për lidhje me «gylenistët».

«Kompania ime u mbyll nga qeveria nën gjendjen e jashtëzakonshme», tha ai për BIRN. «Unë nuk jam në dijeni që pronarët e kompanisë të kenë ndonjë lidhje me FETO».

Ai tha se ishte i shqetësuar për mënyrën se si ai dhe familja e tij tani do të mbijetojnë pa punën e tij, që siguronte të ardhura për të gjithë familjen.

»Askush nuk do të më punësojë në qoftë se më etiketojnë si ‹terrorist› dhe ‹tradhtar›», tha ai.

«Kjo tradhti (grushti i dështuar i shtetit) ishte destinuar të dështonte, por nuk ka dallim mes një grushti shteti dhe gjërave që kam përjetuar që kur kompania ime u mbyll», shtoi ai.

Nëna e një togeri në ushtri i tha BIRN se ajo nuk kishte asnjë ide përse ia kishin arrestuar djalin ngaqë ishin me pushime gjatë asaj kohe.

«Djali u thirr nga njësia e tij ushtarake të nesërmen e grushtit të shtetit dhe shkoi atje me vullnet sepse nuk kishte kryer asnjë krim. Ai më vonë u arrestua dhe u akuzua si pjesë e grushtit të shtetit», kujton ajo.

Gruaja thotë se familja gjeti një avokat, që ishte gati të merrte përsipër rastin e djalit, por turma që ka qëndruar në rrugë që nga data 15 korrik, siç kërkoi Erdogan, qëlloi me gurë zyrën e avokatit, duke shkaktuar dëme serioze. Turma e ka akuzuar avokatin si tradhtar për marrjen përsipër të çështjeve të tilla, kështu që ai përfundimisht hoqi dorë.

Ajo pohoi se një tjetër avokat brenda turmës, përkrahës Erdogan, i kishte nxitur njerëzit.

«Unë nuk e di se çfarë do të bëjmë tani e tutje pasi që nuk ka asnjë avokat që dëshiron ta mbrojë djalin tim», tha ajo. «Unë besoj se Erdogan po përdor djalin tim dhe ushtarë të tjerë për të konsoliduar pushtetin e tij.»

Ashtu si qindra njerëz të tjerë të afërmit e të cilëve u arrestuan pas dështimit të grushtit të shtetit, ajo nganjëherë shkon në burg Sincan të Ankarasë, ku po mbahen shumica e komplotuesve të grushtit të shtetit dhe ku të burgosurit mund të vizitohen çdo dy javë apo një herë në muaj.

Gruaja e një gjenerali që erdhi për të vizituar të shoqin më korrik 26, iu drejtua të tjerëve që ishin duke pritur për të vizituar të afërmit e tyre. Ajo tha se si një grua e një Pashai (Gjenerali) ajo ndjen detyrën të mbështesë dhe ngushëllojë të tjerët.

«Burri im, Pashai juaj i nderuar, ndali tankët e rebelëve dhe automjete të tjera të blinduara të ushtrisë (të komplotuesve të grushtit të shtetit) me ushtarët e tij besnikë në provincën e tij», tha ajo për njerëzit. «Gjatë një nate plot terror, ai nuk ishte në anën e rebelëve».

«Megjithatë, pavarësisht nga përpjekjet që bëri, ai u arrestua mëgjesin tjetër. Ai u torturua dhe disa kocka iu thyen. Drejtësia do të vijë herët ose më vonë», shtoi ajo.

Ajo pohoi se qeveria kishte hartuar një listë të kundërshtarëve të mundshëm edhe para grushtit të shtetit, dhe po përdor gjendjen e jashtëzakonshme pas grushtit të dështuar të shtetit si justifikim për të eliminuar kundërshtarët nga institucionet e ushtrisë dhe shtetit.

«Ju nuk mund të besoni në drejtësinë e kësaj bote, por besoni në drejtësinë e Zotit; të afërmit tanë janë të pafajshëm. Po luhet një lojë më e madhe, të cilën ne ende nuk e kuptojmë», përfundoi ajo.

Ana tjetër e medaljes

Në anën tjetër të ndasisë së thellë që ka përçarë publikun turk gjatë dhe menjëherë pas grushtit të dështuar të shtetit, miliona njerëz besojnë në mënyrë të pamohueshme dhe mbështesin Erdoganin, qeverinë e tij dhe veprimet e tij të fundit.

Disa humbën të afërmit ose miqtë gjatë natës së tentativës së grushtit të shteti, ndërsa të tjerët thonë se kanë vuajtur për shkak të Gylenit dhe përkrahësve të tij edhe para 15 korrikut.

Dhjetëra mijëra njerëz në Ankara, Stamboll, Bursa, Izmir dhe në qytete të tjera të mëdha dhe të vogla në Turqi kanë zaptuar rrugët dhe sheshet e qytetit që natën e grushtit të shtetit. Grupet bëhen më të vogla gjatë ditës, por rriten gjatë natës.

Bashkitë e qeverisura nga partia në pushtet, AKP, e ofrojnë falas transportin publik ose ulin çmimet gjatë «ruajtjes së demokracisë». Ata gjithashtu ofrojnë ushqim falas, ujë dhe pije të tjera për turmën.

Mitingje pro-Erdogan kanë ndodhur edhe jashtë vendit, në atë që ekspertët e shohin si një nismë të qëllimshme dhe të mirëorganizuar për të përforcuar pozitën e Erdoganit, si në nivel lokal ashtu edhe ndërkombëtar.

Rreth 50’000 vetë u mblodhën të dielën në Këln, një qytet me një nga përqindjet më të larta të turqve në Gjermani. Turma valëviti flamuj turq, gjermanë, boshnjakë dhe palestinezë së bashku portretin e Erdoganit.

Erdogani synonte të dilte vetë përpara turmës, por Gjykata e Lartë Gjermane e bllokoi këtë, duke përkeqësuar marrëdhëniet tashmë të tensionuara ndërmjet qeverive të Turqisë dhe BE-së.

Ngjarje të ngjashme kanë ndodhur në qytetet e tjera europiane, përfshirë Londrën, Parisin dhe Vjenën, si dhe në qytetet ballkanase me popullsi të madhe myslimane, si Sarajeva në Bosnje, Shkupi dhe Gostivari në Maqedoni dhe Presheva në Serbi.

Ali Orak, anëtar i degës së Stambollit të partisë AKP dhe pronar i një dyqan të vogël kafeje në Stamboll, tha për BIRN se autorët e grushtit të shtetit mbetur në tentativë duhet të dënohen.

Ai tha se në natën e grushtit të shtetit, ai dhe gruaja e tij, iu përgjigjën thirrjes së Erdoganit, të përsëritura nga minaret e xhamive, dhe dolën në rrugë për të luftuar rebelët. «Gruaja dhe unë mbrojtëm demokracinë tonë gjatë gjithë natës», kujton ai.

«Ne humbëm disa miq përpara ndërtesës qendrore të Bashkisë së Stambollit. Helikopterë rebelë qëlluan me ne, por ne e mbrojtëm demokracinë tonë deri në vdekje, siç na kërkoi presidenti ynë Erdogan», tha ai.

«FETO padyshim që e bëri këtë», shtoi ai. «Besoj se gylenistët po përdoren nga të gjitha fuqitë e huaja që nuk duan një Turqi të fortë. Atë natë, ata kishin si qëllim të parë të arrestonin ose të vrisnin Erdoganin, por dështuan dhe pastaj Erdogani mobilizoi popullin turk. Ne fituam, demokracia turke fitoi.»

Sipas Orak, Erdogani e bëri aleancën e tij të parë me Gylen sepse ai ishte i vetëm dhe i besoi atij dhe përkrahësve të tij, por ata e përdorën aleancën për të vënë «spiunët» e tyre në pozita të larta në ushtri dhe brenda shtetit.

«Gylen na mashtroi neve dhe Turqinë. Gylenistët treguan fytyrën e tyre të vërtetë [më 15 korrik] dhe me siguri që nuk janë në favor të këtij vendi», tha Orak dhe përfundoi: «Ne do të jemi në rrugë për të ruajtur demokracinë derisa Erdogan të thotë ndryshe. FETO dhe mbështetësit e saj, si dhe njerëzit që nuk e pranojnë se FETO bëri këtë tradhti janë tradhtarët».

Cagatay Ozer, një ish-student i akademisë ushtarake, u bë një shembull publik i turqve që kanë vuajtur si rezultat i përhapjes së përkrahësve të Gylenit në ushtri, duke folur në kanalin e lajmeve TRT më 31 korrik.

Ai pohoi se gylenistët kishte bërë që ai të shkarkohej nga akademia ushtarake pa arsye. «Të gjitha pyetjet e provimit iu dhanë studentëve të FETO [më parë] dhe ata janë sponsorizuar të ngrihen në detyrë», tha ai.

«Rinia jonë është vjedhur nga FETO. Unë u shkarkova nga akademia për mungesë disipline. Mijëra studentë ishin në të njëjtën pozitë si unë», shtoi ai.

Ai pohoi se qëllimi i vërtetë i FETO doli në dritë me grushtin e dështuar të shtetit dhe ai tha se shpreson të jetë në gjendje të kthehet në ushtri.

«Qeveria duhet të ndëshkojë të gjithë terroristët FETO dhe ne duam të ndihmojmë në identifikimin e anëtarëve të FETO», tha ai.

«Ëndrra jonë e të qenët një oficer dhe gjeneral i ushtrisë turke u rrëmbye prej nesh… Tani, është koha të shkatërrojmë ëndrrat e anëtarëve të FETO», përfundoi ai.

(reporter.al: http://www.reporter.al/masat-e-ashpra-pas-grushtit-te-deshtuar-te-shtetit-shkaktojne-frike-dhe-percarje-ne-turqi/)