Masakrat e përditshme të burrave kosovarë

Zejnepe Berisha, Dafina Zhubi, Diana Kastrati dhe dhjetëra gra të tjera u vranë apo keqtrajtuan viteve të fundit nga burrat apo partnerët e tyre në Kosovë. Vrasja e dytë atyre po u bëhet me neglizhencën e shoqërisë ndaj krimit dhe me një sistem drejtësie që vrasësit i trajton me dorëza mëndafshi.



Në një këngë latine të Mesjetës përshkruhet se si në kohëra të anarkisë robërit përpiqen të ikin, budallenjtë gëzohen, të mençurit vajtojnë, të pandershmit avancohen – dhe rregullat thyhen pa u dënuar askush. Kjo këngë do të mund të këndohej edhe sot në Kosovë. Krahas qeverisjes së keqe, korrupsionit të pushtetarëve, terrorit të haraçmbledhësve të opozitës, intrigave mesjetare, shoqëria kosovare po ballafaqohet edhe me një fenomen të llahtarshëm: dhunën ndaj grave. Dhunë që ushtrohet për çdo ditë nga burrat e tyre (me kurorë a pa kurorë), nga partnerët, nga të dashurit e rrejshëm.

Të hënën portali «Insajderi» ka zbuluar një skandal të madh të drejtësisë kosovare. Duke iu referuar një raporti të një mjeku specialist zviceran, njoftohet se shtetasja zvicerane dhe kosovare Dafina Zhubi nuk e ka vrarë veten më 17 shkurt 2016, siç besonte prokurorja e rastit Fitore Sadikaj. Raporti i një instituti zviceran thekson se e ndjera ishte vrarë nga Astrit Dibra. Ai, sipas «Insajderit», është liruar nga paraburgimi. A do të marrë ndokush përgjegjësi për këtë skandal? A do të kalojë edhe ky krim në heshtje? Si plot raste të tjera. Nuk do të ishte kurrfarë befasie. Kosova ka një kryetar parlamenti që grave u drejtohet me fjalor vulgar («ma hongsh»), një kryeministër që gratë i përshkruan si kafshë që kullosin fonde, ndërsa të ashtuquajtur komandantë me ndikim në sistemin politik hetohen nga Gjykata Speciale edhe për dhunime.

Po bëhen gati 7 vite që nga vrasja e Diana Kastratit nga burri i saj. Ajo kishte kërkuar mbrojtje dhe masë sigurie, por gjykata kishte refuzuar. Vrasësi ka ikur në Spanjë dhe ky vend nuk e ekstradon në Kosovë. Ndërkohë gjykatësi që kishte hedhur poshtë kërkesën e Diana Kastratit për mbrojtje, është dekretuar sërish gjyqtar – madje nga një presidente. Kundër mosndëshkimit të vrasësit të Diana Kastratit kanë protestuar disa aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të grave, por shoqëria kosovare ka heshtur.

As vrasja e Zejnepe Berishës nuk e zgjoi nga kllapia opinionin e gjerë. Më 23 tetor 2015 kjo grua ishte therur disa herë me thikë nga burri i saj. Me atë rast ishte lënduar edhe e bija e Zejnepe Berishës, e cila po përpiqej të shpëtonte të ëmën nga bestialiteti i babait të saj. Javën që shkoi Gjykata Themelore në Prizren e dënoi me sall 12 vjet burg dorasin Nebih Berisha. Një dënim i lehtë, kur të merret parasysh brutaliteti i veprës. Sërish kundër këtij vendimi skandaloz të drejtësisë kosovare në rrugë nuk dolën më shumë se një grusht njerëzish (kryesisht gra), që prej vitesh tërheqin vëmendjen mbi masakrat e përditshme të burrave kosovarë. Së paku prokurori ka paralajmëruar se do të ankohet.

Shyhrete Berisha, një grua tjetër, e cila fatmirësisht është gjallë, por me shumë plagë shpirtërore pas masakrës së tmerrshme të forcave serbe mbi familjen e saj, vazhdon të luftojë nëpër gjykata për të shfrytëzuar shtëpinë, ku jetonte me burrin dhe fëmijët e saj. Këtë shtëpi asaj ia ka marrë kunati, sepse Shyhrete Berisha ka mbetur pa burrë e pa fëmijë, natyrisht jo për fajin e saj.

Kështu shoqëria kosovare po i injoron viktimat e luftës si Shyhrete Berisha dhe po i vret për së dyti gratë si Zejnepe Berisha, Dafina Zhubi, Diana Kastrati. Ndërkohë vrasësit mund të gëzohen se ky sistem i drejtësisë po i trajton ata me dorëza mëndafshi.