«Marubi» hap dyert për koleksionet e rralla të fotografëve shqiptarë

Fondi i fotografive të muzeut kombëtar «Marubi» është shtuar me koleksionet private të dhuruara, ndërsa synon «të kthejë në shtëpi» edhe fotografitë e panjohura dhe të paekspozuara të mjeshtrit Kolë Idromeno.

Muzeu kombëtar i fotografisë «Marubi» në Shkodër. Foto: Anila Dushi



I njohur gjerësisht si një ndër piktorët më të mëdhenj të Shkollës Shkodrane të arteve pamore, pasioni për fotografinë i Kolë Idromenos ka mbetur më në hije. Në muzeun kombëtar të fotografisë «Marubi» në Shkodër gjenden pak foto të shkrepura prej tij-të panjohura dhe të paekspozuara më parë.

Një koleksion i plotë i fotografive të Idromenos është pronë e Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, por drejtori i «Marubi»-t, Luçjano Bedeni thotë se ato duhet të jenë pjesë e muzeut.

«Më 26 janar ne do të hapim një ekspozitë për Kolë Idromenon, pasi në fondin ekzistues kemi identifikuar foto të panjohura të tij. Edhe koleksioni në Tiranë, në dijeninë time është i pashfaqur», thotë Bedeni për BIRN, duke zbuluar ambicien e tij që arkiva fotografike e Idromenos t’i bashkohet fondit të vyer të muzeut «Marubi».

Përfshirja e fotografive të Kolë Idromenos në muzeun kombëtar të fotografisë «Marubi» është një projekt i hershëm i drejtorit Bedeni. Në moshë ende të re, Idromeno pati marrë mësime për pikturë nga Pietro Marubi dhe në studion e këtij të fundit ai zbuloi më pas pasionin për fotografinë.

Bedeni mendon se në muze, arkiva fotografike e mjeshtrit Idromeno do të ketë mundësinë e dixhitalizimit dhe ekspozimit për publikun dhe njëherazi do të jetë një vlerë e shtuar për muzeun.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë «Marubi» është i njohur në Shqipëri dhe Europë si pasuria më e madhe e arkivuar dhe e konservuar e fotografisë shqiptare në 160 vitet e ekzistencës së saj. Arkivi i Fototekës «Marubi», tashmë Muzeu Kombëtar i Fotografisë  ka një fond prej  493’823 negativësh, ndërsa prej vendosjes së tij në ambientet bashkohore në qendër të Shkodrës ky fond po shtohet me koleksione private të fotografëve të njohur shqiptarë.

Luçjan Bedeni i tha BIRN se fondit i është shtuar koleksioni i familjes Kallfa në Tiranë, i cili përbëhet nga 2’200 fotografi të vëllezërve Osman dhe Mehmet Kallfa. Dhurimi është bërë nga dy djemtë e fotografëve, nën mbikëqyrjen e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, shoqëruar dhe me aktet juridike përkatëse.

Përveç fotografive të vëllezërve Kallfa, muzeut i janë shtuar edhe 4’100 imazhe të fotografit Pitto Mosi-i lindur në Shkodër por që aktivitetin e tij e ka ushtruar në Sarandë. Gjatë verës së 2016, fotografi 92 vjeçar erdhi nga Shtetet e Bashkuara në Shqipëri dhe mori pjesë në ceremoninë e dhurimit të fotografive të tij-filma në rrul dhe në letër fotografike për muzeun «Marubi».

Pas dhurimeve të fundit, muzeu numëron mbi 500 mijë foto-për të cilat ekziston informacioni i plotë për formatin, tabelën e të dhënave dhe numrin e kutive ku ato ruhen. Megjithatë, dixhitalizimi i plotë mbetet sfida e re e punonjësve të muzeut-të cilët synojnë ta përfshijnë atë në programet e UNESCO-s.

«Ne kemi studiuar procedurën e aplikimit dhe mënyra më e mirë është përfshirja në  Fondin Botëror të Muzeumeve. I kemi parë të gjitha pikat dhe i plotësojmë të gjitha kriteret», thotë Bedeni.

Bashkë me shtimin e fondit të fotografive në muze, stafi i tij i kushton një rëndësi të veçantë edhe promovimit jashtë kufinjve të Shqipërisë. Muzeu Kombëtar i Fotografisë «Marubi» është një ndër muzetë e përzgjedhur për European Museum Year Aëard (EMYA), një ndër çmimet europiane më prestigjoze, që kontribuon në tërheqjen e audiencës duke u dhënë vizitorëve një atmosferë unike e duke i kushtuar vëmendje të veçantë edukimit të brezave.

Në Shkodër, drejtuesit e muzeut «Marubi» janë entuziastë për këtë çmim, të frymëzuar edhe nga suksesi i korrur në ekspozitën e nëntorit në Amsterdam. Në këtë ekspozitë, fotografitë e Marubit tërhoqën numrin më të madh të vizitorëve, rreth 54 mijë, një sukses i paparashikuar nga organizatorët.

«Na u konfirmua që ekspozita jonë kishte numrin më të madh të shikuesve dhe kjo tashmë përbën  një standard për ne që të mund të ekspozohemi në aktivitete të nivelit të lartë dhe jo vetëm në hapësira të vogla në Europë», përfundon Bedeni.

(https://www.reporter.al/marubi-hap-dyert-per-koleksionet-e-rralla-te-fotografeve-shqiptare/)