Marshimi i huliganëve rusë të futbollit

Moska duhet të marrë masa për luftimin e dhunës dhe mashtrimit me drogë në sport, shkruan gazeta prestigjioze britanike Financial Times.

Është e zakonshme pamja e huliganëve që u turren me sulme adhuruesve rivalë brenda dhe jashtë stadiumeve europiane të futbolli. Por rrallëherë ndodh që sulmeve të ngjashme t’u hidhet benzinë prej autoriteteve të futbollit, që u bëjnë thirrje huliganëve të ndërmarrin sulme të tjera.

Ndeshja e së shtunës në Europian ndërmjet Rusisë dhe Anglisë në Marseille mbeti nën hijen e dhunës para, gjatë dhe pas lojës në fushë. Telashet nisën me adhuruesit anglezë, që ishin dehur dhe kishin nisur përplasjen me policinë para ndeshjes.

Ajo që ka rënë më së shumti në sy në mesin e huliganëve rusë ishin mjetet e forta dhe pajisjet e arteve luftarake me të cilat kishin dalë në hapësirën e brendshme të stadiumit. Ndërsa Federata Angleze e Futbollit u bëri thirrje adhuruesve anglezë që të përmirësonin sjelljen e tyre, Igor Lebedev, deputet rus që është edhe pjesë e Federatës Ruse të Futbollit, çoi në qiell rrugaçët e atdheut të tij, duke i lavdëruar për shpirtin luftarak. Vitaly Mutko, ministër rus i Sportit, lavdëroi tifozët që kishin marrë pjesë në përleshje.

Kremlini ka dënuar më në fund të martën dhunën, që nuk ka dyshim se ishte vendim i lidhur me verdiktin e UEFA-s, organizatës europiane të futbollit, që shqiptoi gjobën prej 150 mijë eurosh dhe e kërcënoi Rusinë se mund ta largojë prej Europianit nëse përsëriten skena të ngjashme huliganizmi.

Por UEFA dhe organizatat e tjera ndërkombëtare të sportit nuk duhet të lëshojnë pe pas deklaratave të ngjashme të zyrtarëve të lartë rusë. Mashtrimet që janë bërë me përdorim të substancave të ndaluara narkotike në Lojërat Olimpike dhe sjelljet e fundit të huliganëve rusë tregojnë se Rusia duhet të reagojë si shtet.

Sjellja e papranueshme e adhuruesve të dehur dhe agresivë të Anglisë në qendër të Marseille para ndeshjes përfundimisht e ka ndryshuar perceptimin për tifozët anglezë si viktima. Megjithatë huliganizmi rus është më i egër dhe ka natyrë specifike, dhe ndryshon prej natyrës së huliganizmit të tifozëve anglezë të viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë. Dhuna e huliganëve rusë brenda stadiumeve është pjesë e një kulture të organizuar tifozësh gjithnjë e më të dhunshëm. Grupet huligane shpeshherë janë të lidhura me politikën e së djathtës ekstreme dhe nganjëherë me krimin e organizuar.

Afërmendsh, grupet e tilla «ultras» mund të gjenden anembanë Europës Lindore dhe Perëndimore, përfshirë edhe Italinë e Spanjën. Ajo që e bën të veçantë dhunën e tifozëve rusë është urrejtja e tyre nacionaliste dhe sensi se bota është në luftë, duke rrezikuar të vënë pengesa udhëtimi edhe për tifozeritë dhe kultura që dëshirojnë të udhëtojnë jashtë vendit për të përcjellë skuadrat e zemrës së tyre.

Njëherësh, rikthimi i përmasave të skandalit të dopingut si në kohën e Bashkimit Sovjetik ka vënë në pah zotimin rus për sportin si simbol i fuqisë kombëtare, pavarësisht kostos që mund të ketë. Nëse Rusia nuk merret me spastrimin e sportit, atëherë duhet të veprojnë organizatat ndërkombëtare.

UEFA kishte të drejtë që e kërcënoi Rusinë me largim prej Europianit dhe duhet ta çojë në shtëpi përfaqësuesen ruse nëse përsëritet dhuna. Atletëve rusë duhet t’u ndalohet pjesëmarrja në Lojëra Olimpike sivjet nëse autoritetet nuk tregojnë gatishmëri për adresimin e problemeve me dopingun. Dhe duhet të sfidohet edhe vendimi për organizimin e Botërorit të vitit 2018 në Rusi nëse përsëriten skenat e dhunshme të huliganëve rusë.

Skenat në Marseille ishin të papranueshme, ato poshtërojnë cilindo vend që i pranon. Rusia duhet ta dëshmojë se është e përkushtuar t’i japë fund mashtrimeve dhe dhunës së tifozëve nëse dëshiron të jetë pjesë e komunitetit sportiv ndërkombëtar.