Marshi i djalërisë

Liqeni i Pogradecit.



(Himn kombëtar)

Urdhëroj i Madhi Zot:
Zu ndrin yll’ i Shqipërisë;
Ndrin e më s’përmbahet dot,
Se që sot e jetë-plot
Po rreth zemr’ e Djalërisë.

Djalëri, lart për liri!
Lart për Zonjën Shqipëtare!
Yll në ballë-e zjarr në gji,
Zjarr në gji për Shqipëri,
Digj-u! zemra djaloshare!

Qjell me shkaba shqipëtar!
Male mbushur me dragona!
Këto fusha derdhur n’ar,
Deti plot margaritar —
Këto janë viset t’ona!

Këtu leu që në fillim
Trim’i dheut si zog i shkruar;
Leu dh’ u la për trashëgim
– Me nderim e me qëndrim —
Besa jon’ e shentëruar.

Ha! dh’e bukura liri
Këtu mbretëroj për jetë:
Mbretëroj: e plot mëri,
Bëri në rezik të zi
Prej kujtdo një trim me fletë.

Lithni besën për Atdhe,
Ju me gjak të Kastriotit!
Lithni-e shpejt e bëni be:
Be që vret posi rrufe
Para Kombit — para Zotit!

Djalëri, heu! yll i ri!
Djalëri, këng’ e shëndetit!
Për liri, për lumtëri,
Rrofsh! e lumja Djalëri!
Rrofsh e qofsh sa val’ e detit!