Marrëzi falas për një popull të varfër

Kjo klasë politike ka një synim: ta bëjë shumicën e popullit siç është vetë – injorante. Andaj i jepet aq shumë hapësirë fesë dhe aq pak shkencës dhe dijes në përgjithësi. Kush beson verbërisht, nuk ka arsye të shtrojë pyetje.



«Njeriu i ka dy këmbë dhe dy bindje: një kur është mirë dhe një tjetër kur nuk është mirë. Kjo e fundit quhet fe». Shkrimtari gjerman Kurt Tucholsky ishte një vëzhgues i mprehtë i kthesave shoqërore, i ndikimit të ideologjive dhe feve mbi njerëzit, i popullizmit dhe nacionalizmit që nxiste urrejtje. Ky miks e çoi Gjermaninë në katastrofën e Luftës së Dytë Botërore.

Kosova është e vogël dhe dëme të mëdha nuk mund t’i bëjë botës. Ajo mund të jetë vetëm e zeza e vetes – me këtë klasë politike po se po, sepse ajo duke shfrytëzuar varfërinë e madhe në vend përpiqet të manipulojë popullin duke i dhënë fesë hapësirë të pamerituar në jetën publike. Kush beson verbërisht, nuk shtron pyetje kritike. Mjerimin e percepton si nafakë të keqe, si diçka të shkruar nga një fuqi mbinjerëzore. Andaj, sipas kësaj logjike jologjike, duhet pranuar se gjërat nuk ndryshojnë dhe duhet pritur, sepse një ditë shpirti do të rehatohet në një sferë tjetër.

Të mos keqkuptohemi: askush nuk po kërkon as ndalimin e feve, as luftimin e tyre, por kjo fushatë e politikanëve sidomos atyre të diskredituar dhe injorantë, për t’i dhënë fesë sa më shumë hapësirë nuk ka qëllim tjetër përveç se ta mbajë popullin në një nivel të injorancës, e cila pastaj mundëson që njerëzit të manipulohen. Rrjedhimisht, nuk është fare befasi që një injorant, i cili nga dita e djeshme falë kompromiseve të ndyra të Vetëvendosjes bëhet nënkryetar i Prishtinës, kërkon rrëzimin e objekteve universitare, rrafshimin e fakulteteve për t’i lëshuar vend xhamive, qendrave islamike, 70 apo 700 kupolave, minareve. Mos u befasoni nëse së shpejti nga kjo strukturë politikanësh eunukë nga mendja kërkohet edhe hapja e ndonjë haremi.

Ky vend nuk vuan për xhami, kisha e teqe – ky vend vuan për institucione cilësore arsimore, për objekte të kulturës, për investime në shkencë, për përhapje të dijes. Por politikanët janë të mençur: ata e dinë se një popull i ditur nuk do të votonte kurrë për ta. Regjimi komunist ishte represiv dhe nuk lejonte vendimmarrje demokratike, por komunistët së paku kishin ambicie që populli të dilte pak nga kishat dhe xhamitë dhe të shihte botën dhe të mësonte diçka. Po të shfletojmë revistat dhe gazetat e Kosovës të viteve ’70, për shembull, atëherë do të vërejmë se kush janë modelet publike. Janë sportistët që arrijnë suksese të mëdha, është mësuesja e parë e Karadakut, është punëtorja e parë e fabrikës, është gruaja e parë që bëhet inxhiniere, janë sukseset e Bekim Fehmiut, janë manifestimet me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit (përndryshe një ngjarje e organizuar nga regjimi komunist i krahinës së Kosovës). Edhe atëherë kishte djem që kryenin medresenë, pse jo, kishte edhe djem që u pëlqente dhe bëheshin priftërinj dhe bëheshin, por model shoqëror ishte ai njeri që mund t’i jepte diçka vendit – inxhinieri një urë, mjeku një operacion, agronomi një studim për punimin e tokës, sociologu një punim për shtresëzimin e shoqërisë. Asgjë nga këto s’mund të bëjnë dinjitarët e shtëpive të zotit. Mirë që janë, por për shumë punë tokësore janë të padobishëm, sepse detyrë e tyre është të lavdërojnë e propagandojnë botën hyjnore.

Paramendojeni nëse në kohën e socializmit shtetëror një politikan do të kërkonte prishjen e universitetit. Regjimi diktatorial apo autokratik do ta internonte. Mirë që ato kohëra kanë perënduar. Në demokraci edhe hajvani mund të thotë mendimin e vet – qoftë ky edhe absurd, i marrë. Por kjo nuk domethënë që për këtë të shpërblehet me votë a post, siç po bën vaki në viset tona, në Kosovën e post-pavarësisë. «Në kohërat e errëta», sipas Heinrich Heines, «popujt më së miri orientoheshin me anë të fesë, ashtu si gjatë natës së errët kur i verbri është udhërrëfyesi ynë më i mirë; atëherë ai i njeh rrugët dhe shtigjet më mirë se ai që sheh. Por është budallallëk që sapo të bëhet ditë, t’i përdorësh të verbrit e vjetër si udhërrëfyes». Është koha për t’i ndezur dritat – edhe në Kosovë. Dhe për t’i thënë stop injorantëve.