Marrëveshje bashkëpunimi mes përmbaruesve të Kosovës dhe Maqedonisë

Oda e Përmbaruesve të Maqedonisë ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Odën e Përmbaruesve të Kosovës, që ka për qëllim, krijimin e lidhjeve për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave.




Kryetari i Odës së Përmbaruesve të Maqedonisë, Zoran Petreski, tha se me nënshkrimin e sotëm ata rrumbullakojnë procesin e vendosjes së bashkëpunimit me Odat e rajonit, përveç me Greqinë, transmeton Koha.net.

»Me nënshkrimin e sotëm, fillon bashkëpunimi nga afër me përmbaruesit e Kosovës. Vlerësoj se mund të japim kontribut dhe përkrahje për Odën e Përmbaruesve të Kosovës, ndërsa ne, mund të shfrytëzojmë njohuritë tona që të lidhim Kosovën me Internacionalen Botërore të Përmbaruesve», deklaroi Petreski.

Kryetarja e Odës së Përmbaruesve të Kosovës, Emine Sherifi-Lubeniqi, tha nga ana e saj se nënshkrimi i këtij memorandumi do të jetë i mirëseardhur posaçërisht për OPPK-në meqë sistemi i përmbarimit në Maqedoni ka filluar shumë më herët.

»Sikurse të gjitha sistemet e reja edhe sistemi të cilit i jemi qasur ne si përmbarues privat ka sfidat dhe problemet e veta prandaj vetëm bashkërisht këto sfida dhe probleme do t’i tejkalojmë më lehtë», tha ajo.

Siç konstatuan bashkërisht përfaqësuesit e Odave të Përmbaruesve, njëra ndër sfidat është përmbarimi tej kufitar ose bashkëpunimi në realizimin e kërkesave të kreditorëve ndaj debitorëve me seli apo vendbanim në Maqedoni ose Kosovë, gjë e cila mbetet të rregullohet në nivel më të lartë shtetërorë.