Marrëveshja me EULEX-in është arritur, pritet vetëm konfirmimi nga Brukseli

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Isa Mustafa ka pranuar se është arritur marrëveshja me EULEX-in për vazhdimin e mandatit të tij.

Mirëpo, ka thënë se po e presin edhe konfirmimin nga Brukseli.

«Është arritur marrëveshja me EULEX-in. Sot presim ta marrim konfirmimin nga Brukseli, letërkëmbimin. Kur ta marrin, do ta mbajmë një mbledhje pasdite për ta miratuar Ligjin në procedurë të rregullt, e nesër t’ia procedojmë Kuvendit», ka thënë Mustafa, raporton Koha.net.

Ndërkaq, Hajredin Kuçi ka thënë se ligji i ri për vazhdimin e mandatit të EULEX-it do të ketë një ndryshim «dhe presim që nesër ta shtojmë për pikë të rendit të ditës në seancë të Kuvendit, në mënyrë që EULEX-it t’i vazhdohet mandati».

Qeveria pritet të mbajë edhe një mbledhje tjetër gjatë ditës së sotme, rreth orës 18:00, nga ku pritet të procedohen vendimet për në Kuvend.