Marrëveshja e Ohrit – temë diskutimi edhe pas 15 vitesh

Edhe pas një dekade e gjysmë nga nënshkrimi, Marrëveshja e Ohrit është temë debatesh. Ende konstatohet diskriminim i shqiptarëve – nga ndarja e parave të shtetit e deri te përfaqësimi në institucione, përdorimi i gjuhës shqipe dhe të tjera. Dështimet konstatohen edhe nga vetë ndërmjetësit dhe përpiluesit e këtij dokumenti që i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni.

Moment nga përkujtimi i 15-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit

Tre nga nënshkruesit e marrëveshjes së Ohrit, ish presidenti Boris Trajkovski, kreu i PDSH-së – Arben Xhaferi dhe ai i PPD-së – Imer Imeri, nuk jetojnë më. Dy të tjerët, Branko Cërvenkovski dhe Ljupço Georgievski – njëri ish kryetar i LSDM-së, kurse i dyti ish kryetar i VMRO-DPMNE-së – kanë dalë në pension politik. Ndërkaq, edhe pas 15 viteve ky dokument mbetet i papërmbylluyr dhe pjesë debati nëpër koloare të politikës.

Bashkimi Demokratik për Integrim, edhe pse nuk ishte nënshkrues i këtij dokumenti, mbetet subjekti i vetëm i cili thirret më se shumti në këtë marrëveshje dhe është bartës i shënimeve të përvjetorëve të nënshkrimit të saj që i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave të armatosura të Republikës së Maqedonisë. Për zbatimin e këtij dokumenti u formua edhe një sekretariat i veçantë në Qeverinë e Maqedonisë, Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Por, në 15 vjetorin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ka lindur kërkesa për formimin e një ministrie të veçantë që do të merret me zbatimin e saj.

Ministria për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit

«Bashkim të SIMKO-s dhe ARDK në një resor të vetëm për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive (Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndëretnike) bazuar në parimin e përfaqësimit të drejtë dhe aktiv që përfshin në mënyrë proaktive të gjitha bashkësitë. Të sigurohet që Ministria e re ka qasje të drejtpërdrejt dhe automatike deri te të gjitha të dhënat relevante për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Të sigurohet me kompetenca për të zhvilluar një politikë të plotë të integrimit social, si dhe kompetenca për të monitoruar, inspektuar dhe zbatuar», thuhet në tekstin e rekomandimeve që dalin nga analiza për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit e publikuar për herë të parë që nga nënshkrimi i saj. Në këtë analizë janë konstatuar edhe shumë prej ngecjeve të cilat fshiheshin në fjalorin politik të pushtetit dhe vetë partisë e cila e ka drejtuar për dhjetë vite këtë dikaster.

Përfaqësimi në institucione

Një nga shtyllat kryesore të kësaj marrëveshje, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i bashkësive etnike, has në probleme të mëdha dhe mospërfillje. Janë gjithsej 88 institucione të cilat jo vetëm refuzojnë ta respektojnë Marrëveshjen e Ohrit, por edhe të japin informacionet që i kërkon në vazhdimësi Sekretariati për Implementimin e saj lidhur me përfaqësimin bashkësive në to. Nga institucionet e tjera të cilat i janë përgjigjur kërkesës së Sekretariatit, përqindja e shqiptarëve rrezulton të jetë 21,78 për qind. Por edhe në vetë analizën e Sekretariatit konstatohet se kjo nuk është pasqyrë e drejtë për të gjitha institucionet. Aty pontencohet se në këtë shifër kanë ndikuar disa ministri, drejtori dhe ndërmarrje shtetërore, ku përqindja e shqiptarëve është mbi 40 për qind; përderisa në disa institucione të tjera ajo bie nën 10 për qind.

Shumë institucione në Maqedoni nuk kanë asnjë të punësuar shqiptar. Edhe më skandaloze është pasqyra e përfaqësimit të shqiptarëve në hierarkinë drejtuese të institucioneve. Përfaqësimi në nivel qëndror i pjesëtarëve të bashkësisë maqedonase është 81,41 për qind, ndërsa ai shqiptarëve është 14,4 për qind; në nivel lokal bashkësia maqedonase është e përfaqësuar me 78,41 për qind në nivele të larta, kurse ajo shqiptare me 17,9 për qind – del nga analiza e publikuar nga sekretariati. Përfaqësimi më i lartë vertikal i shqiptarëve është kryesisht në ato ministri që udhëhiqen nga ministrat shqiptarë, siç janë: Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ku shqiptarët përfaqësohen me 38,5 për qind në postet udhëheqëse, ajo e Ekonomisë me 25 për qind. Në ministritë që udhëhiqen nga maqedonasit përqindja e shqiptarëve në pozicione udhëheqëse qëndron më poshtë se 5 për qind.

Dygjuhësia – një ndër pritjet bazë

Vetë Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në analizën e përpiluar me kontribut edhe të ekspertëve të fushave përkatëse, ka konstatuar ngecje të mëdha dhe mangësi edhe në respektimin e dygjuhësisë. Në raport potencohet se mungon një mekanizëm i qartë për zbatimin e ligjit për gjuhët, si dhe se disa institucione përballen me mungesë të përkthyesve të kualifikuar dhe me përvojë. Për këtë arsye Sekretariati pas 15 vitesh vlerëson se është e nevojshme një analizë mbi shkaqet (kapacitetet financiare, burimet njerëzore, etj.) të cilat janë pengesë për realizimin e kësaj përgjegjësie ligjore nga ana e komunave.

Në këtë fushë dalin në dritë jo vetëm problemet me respektimin e dispozitave ligjore, por edhe ato me vetë ligjet e miratuara. Për shumë vite nënkryetarit të Kuvendit nuk i lejohet të drejtojë seancat parlamentare në gjuhën shqipe, ashtu siç iu lejohet deputetëve të diskutojnë në gjuhën shqipe. Gjatë gjithë kohës problemi u karakterizua si keqinterpretim i ligjit. Por, në fund, vetë Sekretariati pranoi se problemi qëndron tek ligji i miratuar për përdorimin e gjuhëve, i cili pësoi ndryshime në vitin 2008 me qëllim pikërisht avancimin e gjuhës shqipe dhe eliminimin e mangësive. «Ligji lejon kryesimin e seancave të parlamentit në gjuhën shqipe, por jo edhe ato plenare. Ndalimi i seancave plenare në gjuhën shqipe shpesh problematizohet nga ana e përfaqësuesve nga bashkësia shqipëtare», thuhet në analizën e Sekretariatit.

Ndarja e buxhetit

Shqiptarët dhe komunat që dominohen nga shqiptarët nuk e ndejnë efektin që pritej nga Marrëveshja e Ohrit në fushën e ndarjes së parave të cilat mblidhen nga të gjithë qytetarët njëlloj. Vetë Qeveria konstaton ndarje joproporcionale të buxhetit. Si në fushën e arsimit, investimet kapitale e deri te gjërat më triviale ka komuna shqiptare që nuk kanë marrë as edhe një qindarkë nga arka e përbashkët. «Gjithashtu nuk ka transparencë, sesi janë përzgjedhur projektet në bazë të aplikimeve. Kur u rillogaritën të dhënat për grantet kapitale në fushën e arsimit duke u bazuar në banorët, dolën dallime të mëdha dhe të dukshme në shpenzime. Në periudhën 2006-2015 disa komuna, përfshirë atë të Sarajit, nuk kanë marrë asnjë fond për ndërtimin, përmirësimin ose rindërtimin e shkollave fillore, ndërsa për shembull Vevçani mori 26’436 denarë maqedonas për banor», thuhet në analizën e publikuar nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Shqiptarët diskriminohen edhe në ndërtimin e fushave futbollit e sallave të sportit. Përqindja më e madhe e terreneve sportive është ndërtuar në rajonin e Shkupit dhe atë lindor të vendit, kurse përqindja më e vogël – në rajonin e Pellagonisë dhe atë jug-perëndimor. Edhe kjo konfirmohet nga Sekretariati i Qeverisë për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në analizëne  tij. Aty në mënyrë të tërthortë konstatohet ndikimi politik në ndarjen e buxhetit: «Mungesa e transparencës mund të krijojë përceptime se grantet nuk janë ndarë në bazë të nevojave të infrastrukturës dhe prioriteteve lokale, por në bazë të faktorëve të tjerë jorelevantë, duke përfshirë edhe ndikimin politik».

Një disbalans i madh vërehet edhe në shumat që ndahen për kokë banori, ku komuna me shpërndarjen më të ulët merr 4’014 denarë për banor, ndërsa komuna me shpërndarjen më të lartë merr 9’926 denar për banor. Në fushën e arsimit fillor, disa komuna marrin tre fish më shumë mjete për nxënës, sesa komunat tjera. Ky dallim në dëm të shqiptarëve vërehet edhe në fusha të tjera. «Për shembull, në fushën e mbrojtjes nga zjarri, komuna e Strugës me një popullsi kryesisht shqiptare prej 63’376 banorë dhe një territor prej 469 metrash katrorë ka marrë 6’040’000 denarë, ndërsa komuna e Ohrit, me një popullsi kryesisht maqedonase prej 55’749 dhe një territor prej 392 metrash katrorë ka marrë shumën prej 9’415’000 denarësh për qëllime të mbrojtjes nga zjarret», thuhet më tej në analizën e Marrëveshjes së Ohrit të publikuar nga Sekretariati për implementimin e tij.

Dështimet konstatohen edhe nga autorët dhe ndërkombëtarë

Kontradiktat dhe ngecjet në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit janë konstatuar edhe nga vetë ndërmjetësuesit e bisedimeve të vitit 2001, që ndryshe njihen edhe si autorë të Marrëveshjes së Ohrit. Ish negociatori Piter Fejt ka dhënë një konstatim të këtillë pikërisht në konferencën e mbrëmshme të organizuar me rastin e 15 vjetorit të marrëveshjes së Ohrit: «15 vite më vonë, narracioni paqësor i Ohrit ka ende kontradikta e përjashtime dhe shumë zhgënjime për shumë qytetarë në këtë vend, ndërsa rrugëtimi për t’u bërë anëtar në NATO dhe BE është shumë i ngadaltë». Ambasadori amerikan në Shkup, Xhes Bejli, ka folur për seriozitetin dhe rreziqet nga moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, duke u kujtuar politikanëve të pranishëm vitin 2001: «Duke i lënë pikat kritike të paprekura për një kohë të gjatë, ato mund të marrin një kahje shumë të paparashikuar dhe rrugë të keqe. E patë këtë në vitin 2001».

Politika fajson «politikën anonime», vërshimet prishin festën

Vërshimet e fundit në Shkup, me ç’rast humbën jetën 22 persona dhe ende kërkohen të zhdukur, kanë qenë shkaku i prishjes së festës në vitin jubilar, 15 vjetorin e nënshkrimit të Marrvëeshjes së Ohrit. Andaj këtë vit përvjetori i saj u shënua vetëm me një konferencë zyrtare, ku u bënë vlerësime për të arriturat e deritanishme nga politikanë e zyrtarë vendorë e ndërkombëtarë.

Gjatë një fjalimi para të pranishmëve, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili nga viti 2002 – me një ndërprerje vetëm 18-muajshe – është në koalicionin qeveritar, Ali Ahmeti, ka fajsuar politikën për mungesë të vullnetit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Por ai nuk ka përmendur asnjë emër subjekti, apo politikani në këtë rast. Ahmeti vlerësoi se megjithatë ka të arritura. «Sot shqiptarët kanë 4’000 forca të armatosura në polici dhe ushtri. Unë kam takuar komandantë të forcave të armatosura si të policisë edhe të ushtrisë që komunikojnë dhe bashkëpunojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, por fajet i ka politika. Poshtë njerëzit jetojnë bashkë, por ka elita që nuk ia duan të mirën vendit, ka elita në shërbim të qarqeve të ndryshme», deklaroi Ahmeti.

Duke folur për të arriturat e deritanishme dhe rolin e Marrëveshjes së Ohrit, zëvendës-kryeministri për implementimin e këtij dokumenti, Festim Halili, tha se Marrëveshja e Ohrit do të jetojë sa të jetë gjallë vetë shteti. «Marrëveshja e Ohrit me vetë faktin që tanimë është vetë kushtetuta e këtij shteti do të jetojë sa të ekzistojë shteti dhe sa të jemi gjallë ne, sepse kjo marrëveshje është shndërruar në një shtyllë kryesore të organizimit shoqëror dhe institucional të këtij vendi», u shpreh Halili.