Marrëveshja e Maqedonisë lëvdohet jashtë vendit dhe kritikohet brenda tij

Ndërsa liderët botërorë e mirëpritën marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Greqisë për emrin e Maqedonisë, të dyja qeveritë po përballen me kritika nga kundërshtarët e tyre politikë në vend.

Zoran ZAev dhe Aleksis Cipras gjatë takimit të tyrë të parë në Davos të Zvicrës në janar.



Ndërsa liderët në Bruksel, Washington dhe rajon kanë lavdëruar marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Greqisë në lidhje me çështjen e emrit të Maqedonisë, marrëveshja ka hasur një reagim të ftohtë nga partitë opozitare në vend. Marrëveshja, e shpallur nga qeveritë e majta në Athinë dhe Shkup të martën, parashikon që Maqedonia të ndryshojë emrin e saj në Republika e Maqedonisë Veriore, me kusht që të miratohet në një referendum në Maqedoni që mund të mbahet më vonë këtë vit.

Komisioneri i zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn, dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, e mirëpritën me entuziazëm marrëveshjen, e cila pritet të hapë ofertat e bllokuara të Shkupit për anëtarësim në BE dhe NATO. «Ne përgëzojmë me gjithë zemër kryeministrin grek dhe atë maqedonas për vendosmërinë dhe udhëheqjen e tyre për arritjen e kësaj marrëveshjeje historike midis vendeve të tyre, që kontribuon në transformimin e të gjithë rajonit të Europës Juglindore», thanë Hahn dhe Mogherini në një deklaratë të përbashkët. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg e mirëpriti «ngrohtësisht» lajmin e përfundimit të mosmarrëveshjes së gjatë të Ballkanit. «Unë tani u bëj thirrje të dy vendeve që të finalizojnë marrëveshjen e arritur nga të dy liderët. Kjo do ta vendosë Shkupin në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe do të ndihmojë në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë Ballkanin Perëndimor», tha Stoltenberg.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se Washingtoni është gati të mbështesë marrëveshjen, siç kërkohet nga të dy vendet. «Kjo rezolutë do të jetë në dobi të të dy vendeve dhe do të forcojë sigurinë dhe prosperitetin rajonal. Kryeministrat Zaev dhe Cipras treguan vizion, guxim dhe këmbëngulje në ndjekjen e tyre për një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët. Ne gjithashtu përgëzojmë angazhimin e ndërmjetësit të OKB-së Matthew Nimetz për përpjekjet e tij të palëkundshme gjatë më shumë se dy dekadave për t’i dhënë fund kësaj mosmarrëveshjeje», tha të martën Departamenti i Shtetit në një deklaratë.

Vendet fqinje, si Bullgaria, Shqipëria dhe Kosova, gjithashtu e mirëpritën marrëveshjen.

Bullgaria tha se e mirëpriti përparimin, duke vënë në dukje se ai «i hap rrugën e integrimit euroatlantik fqinjit tonë» dhe i jep «një mundësi të vërtetë që deri në fund të presidencës bullgare të BE-së, të ketë progres dhe një horizont nga ana e BE-së që të fillojnë negociatat e anëtarësimit».

Sofja shtoi se ndryshimi i emrit nuk duhet të interpretohet si bazë për të pretenduar një ndryshim në territorin, gjuhën, kulturën, historinë dhe identitetin e asnjërit prej fqinjëve të saj.

Sipas marrëveshjes, Maqedonia do të duhet të ndryshojë kushtetutën e saj për të zbatuar emrin e ri për përdorim ndërkombëtar dhe të brendshëm. Nga ana tjetër, Greqia do të heqë bllokadën e saj për të lejuar që fqinji i saj t’i bashkohet NATO-s dhe BE-së.

Përkufizimi i gjuhës së vendit do të mbetet «maqedonas», siç këmbënguli Shkupi në bisedime. Shtetësia e popullit do të përkufizohet si «Maqedonas/Qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut». Ndërsa dy qeveritë këmbëngulin se marrëveshja është e drejtë dhe mbron interesat e tyre kryesore, forcat opozitare në të dy vendet e kanë dënuar atë si një kapitullim dhe si humbje.

«Nëse e ashtuquajtura marrëveshje nënkupton pranimin e një ndryshimi kushtetues si dhe përdorimi ndërkombëtar dhe të brendshëm të emrit të ri, atëherë kjo është një marrëveshje e Zoran Zaevit për kapitullim! E përsëris! Një marrëveshje për kapitullim», tha të martën kreu i partisë opozitare maqedonase VMRO DPMNE, Hristijan Mickovski. Ngjashëm, partitë greke të opozitës dhe madje edhe një nga partitë partnere të Ciprasit e quajtën marrëveshjen një turp.

Kyriakos Micotakis, kreu i partisë kryesore të Greqisë, Demokracia e Re, tha se çdo marrëveshje për «gjuhën maqedonase» dhe «etninë maqedonase» ishte «e papranueshme». Panos Kammenos, kreu i partisë më të vogël greke në pushtet, Grekët e Pavarur, gjithashtu tha se nuk do të mbështesë një emër kompromisi që përfshin fjalën «Maqedoni». Pavarësisht kësaj, shumica e ekspertëve nuk mendojnë se kryeministrat grekë dhe maqedonas do ta kenë problem të kenë mbështetjen në parlament për marrëveshjen. Një çështje më e madhe varet nga referendumi në Maqedoni, i cili ka gjasa të mbahet në vjeshtë. (BIRN)