Maroku ndalon mbulesën «burka»?

Mbretëria e Marokut, një vendi me shumicë myslimane, ka vendosur të ndalojë «burkën», një lloj thesi me të cilin gratë mbulojnë gjithë trupin, përfshirë edhe fytyrën.

Nën këtë mbulesë, të quajtur «burka», supozohet se gjendet një grua.



Maroku ka vendosur të ndalojë shitjen, prodhimin dhe importimin e «burkës». Lajmi është publikuar nga portali maroken 360.ma dhe RFI, radioja ndërkombëtare e Francës. Ndonëse nuk është dhënë një njoftim zyrtar, mediat citojnë një nëpunës të ministrisë së Brendshme të Marokut të ketë thënë: «Kemi ndaluar importimin, prodhimin dhe tregtinë me këtë rrobë në të gjitha komunat dhe qytetet e Mbretërisë. «Burka» është një lloj thesi, të cilin e bartin gratë konservatore në shoqëritë e prapambetura dhe patriarkale arabe. Gratë që e bartin mund të shohin vetëm përmes disa grilave të endura, ndërsa fytyra është e mbuluar tërësisht.

Si arsye për ndalimin e «burkës» përmenden shkaqet e sigurisë. Qarqe të ministrisë së Brendshme thanë se «burka» shpesh ishte përdorur për të kryer krime. Në Marok mbulimi i plotë i grave nuk është aq i përhapur. Mbreti Mohamed VI përfaqëson një variant të moderuar dhe tolerant të islamit.

Nëse ndalimi i «burkës» konfirmohet edhe zyrtarisht, atëherë Maroku do të ishte vendi i parë me shumicë myslimane që ndërmerr një hap të tillë. «Burka» është e ndaluar të bartet në Francë dhe Holandë. Parlamenti i Zvicrës ka votuar për ndalimin e kësaj rrobe mesjetare, ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar një vendim të njëjtë. Kosova dhe Shqipëria nuk njohin një ndalesë të tillë. Në traditën e myslimanëve shqiptarë «burka» është diçka e panjohur, por viteve të fundit në sheshet e Kosovës bien në sy gra që vishen me këtë thes të zi. (-lli)