Markusz premton angazhimin e ushtrisë hungareze për FSK-në

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Haki Demolli, priti sot në një takim zyrtar ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz.




Me këtë rast, Demolli e njoftoi ambasadorin Markusz me të arriturat e FSK-së, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rajonal që ka FSK-ja, duke u fokusuar në veçanti me përgatitjet rreth transformimit të FSK-së në FAK.

Gjatë takimit, Ministri theksoi bashkëpunimin e mirë që ka Kosova me Hungarinë si dhe në kuadër të këtij bashkëpunimi shtroi nevojën për thellimin e bashkëpunimit të MFSK- FSK-së me ushtrinë e Hungarisë si dhe përcaktimin e fushave përkatëse, me interes të dyanshëm, të bashkëpunimit.

Nga ana e tij, ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz shprehu kënaqësinë për pritjen që iu bë nga ministri Demolli.

Ai premtoi angazhimin e tij për vazhdimin e bashkëpunimit në mes të dyja shteteve, në veçanti në mes ushtrisë së Hungarisë dhe FSK-së.