Markoviq: Kosova nuk është shtet dhe ajo nuk ka shoqëri të qytetëruar

Nënkryetari i SPS-së dhe historiani Predrag Markoviq thotë se «padrejtësia dhe poshtërimi po na përgatitet e ato janë pranimi i Kosovës në UNESCO dhe ky pranim mund të evitohet vetëm me ndonjë mrekulli».




«Nga pikëpamja e forcave perëndimore, pranimi i Kosovës në UNESCO është hap logjik pas njohjes së Kosovës shtet. Sikur ato të mos e pranonin Kosovën në UNESCO, kjo do të thoshte se do të anulohej vendimi i tyre për njohje të Kosovës», ka thënë ai, njofton B92, transmeton Koha.net.

Markoviq ka shtuar se Serbia për këtë arsye duhet të jetë në pozicionin e forcave perëndimore edhe pse, ka thënë ai, «shkatërrimi i objekteve kulturore në Kosovë tregojnë se ajo nuk është as shtet, as shoqëri e qytetëruar dhe atje as që ekziston vetëdija qytetëruese».

«Natyrisht se frikohemi. Njerëzit që 50 vjet kanë ndezur kisha serbe tani duan t’i ruajnë. Kjo është sikur ujkun ta lini te ruajë vathën me dele», ka thënë ai duke shtuar se Serbia ndoshta do të mund të zbatonte disa masa në mënyrë që Kosova të mos bëhet anëtare e UNESCO-s.

«Ndoshta anëtarësimi në UNESCO do të mund të ndërlidhej me bisedat në Bruksel», ka përfunduar ai.