Maqedonia zgjohet me Qeveri të re, shumë shpresa dhe premtime

Pesë minuta para mesnatës mes së mërkurës dhe të enjtes Maqedonia u bë me Qeveri të re të cilën do ta drejtojë kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev. Ai premtoi zhvillim ekonomik, barazi mes qytetarëve pa dallime, debllokim të integrimeve euro atlantike dhe departizim të gjyqësorit. Përveç LSDM-së, në Qeverinë e re do të bëjnë pjesë edhe BDI dhe Aleanca për Shqiptarët.

Betimi i Qeverisë së re në Maqedoni



Me 62 vota për, 44 kundër dhe 5 të përmbajtur, Kuvendi i Maqedonisë votoi Qeverinë e re me kryeministër Zoran Zaev. Qeveria e përbërë nga koalicioni mes LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët u miratua 5 minuta para mesnatës, ndërsa i parapriu një debat dy ditorë mes deputetëve. Para votimit, të fundit që diskutuan ishin liderët e partive politike dhe krejt në fund, opinionit iu drejtua edhe kryeministri i ri Zoran Zaev. Ai nga foltorja e Kuvendit premtoi reforma në drejtësi, zhvillim ekonomik, barazi të qytetarëve dhe zhbllokim të integrimeve euro atlantike. Për këtë të fundit, Zaev tha se do të angazhohet edhe për zgjidhjen e kontestit me Greqinë, duke premtuar se për një marrëveshje do të konsultohet edhe me opozitën, ndërsa zgjidhjen përfundimtare do ta vendos për votim në referendum. Ai premtoi rritje të pensioneve dhe pagave, si dhe punësime të reja, ndërsa kryefjala e programit të ri qeveritar ishte pavarësia e gjyqësorit dhe institucioneve të drejtësisë. «Nëse dikush guxon të intervenojë, ndikojë mbi prokurorinë ose gjykatësit, më mirë vetë le të jep dorëheqje, sepse unë do të kërkoj shkarkimin e tij. Larg duart e politikanëve në drejtësi dhe gjyqësi. Kam dhënë garanci të shkruar, sepse askush nuk kërkoi të rrezikohet unitariteti dhe integriteti i shtetit. Në emër të të gjithëve sigurova se nuk do të preket sistemi unitar», tha Zaev. Para tij foli edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare, Nikolla Gruevski i cili që në start akuzoi Zaevin se ka ndërprerë masat zhvillimore të cilat pretendon se i ka filluar ai. Gruevski e akuzoi kryeministrin e tij se ka dalë me premtime të rrejshme me të cilat tha se do t’i zhgënjejë shumë shpejt qytetarët. «Në këto besime në gënjeshtrat e tyre, dua ta kujtoj LSDM-në se çka na la dhe çka lamë ne. Do t’u kujtoj se në vitin 2006 ne gjetëm 1 milion euro dhe që në muajin e parë u ballafaquam me bllokadë të llogarisë. Tani e lëmë buxhetin të mbushur. Gjetëm ligj për TVSH-në që në çdo sektor ishte rritur dhe i ulëm në 5 për qind, TVSH për barna, transport, kompjuter, turizëm, i ulëm në nivel që Maqedonia vitin e kaluar ishte vendi me tatim më të ulët në botë», tha ish-kryeministri Gruevski. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, para votimit të Qeverisë, opinionit iu drejtua deputeti Artan Grubi, i cili sulmoi Lëvizjen Besa e cila mbeti në opozitë, ndërsa premtoi se Qeveria e re do t’i çlirojë qytetarët. «Sot ndjej emocione pozitive, se sot vjen fundi i krizës dhe çlirimi i qytetarëve të Maqedonisë. Sot ne të gjithë e shohim fundin e krizës. Nuk ka gjë më të mirë që t’i jepet fund krizës me kaq program të mirë. Kjo qeveri jep hapësirë për të zyrtarizuar rrugën tonë për në BE dhe NATO. Kjy program do të hap vende të reja të punës. Ky program nuk është i rastësishëm. Ky program përmban programet e krejt partive. I përmban të gjithë programet. Edhe të VMRO-DPMNE-së edhe të koalicionit të tyre», tha Grubi. Kryetari i Lëvizjes Besa në fjalimin e tij kujtoi se kjo parti ka mbështetur rrënimin e qeverisë së deritanishme që nga protestat e vitit të kaluar dhe me dhënien e nënshkrimeve pakusht për mandatarin Zoran Zaev. Por ai tha se nuk kanë pranuar të jenë në Qeveri pa kushte. «Ne 0kërkuam qeveri të re e cila do të ishte e mbështetur në parime. Kërkuam marrëveshje të nënshkruar në letër dhe të afatizuar me data të sakta. Neve nuk na interesojnë funksionet dhe nuk na interesojnë dikasteret. Nëse nuk e ridefinojmë shtetin, e keqja do të na përsëritet. Sot jemi këtu pasi shteti nuk është ridefinuar më herët. Lëvizja Besa ju ka mbështetur edhe në protestat e Revolucionit Laraman, edhe pse na shënjestruan si mjet i LSDM-së. Ne të parët e mbështetëm këtë qeveri për të marrë mandatin. Mandati na dha mundësi për qeveri të re. Kjo ftesë nuk u mbështet në principe. Ne nuk duam të jemi në qeveri pa principe» tha Bilal Kasami. Në emër të Aleancës për Shqiptarët, para deputetëve foli kryetari i RDK-së, Vesel Memedi. Ai u zotua se Qeveria e re do të angazhohet maksimalisht për përmirësimin e jetës së qytetarëve. «Përkushtimi për Qeverinë e re ka çmimin e vet dhe se kjo ka filluar që para dy vjetëve. Ky përkushtim për dy vjet nuk është i mjaftueshëm që të rrimë këtu dhe të mos vazhdojmë më tej. Në histori kemi pasur shumë njerëz të cilët kanë dhënë shumë përkushtim për të ndryshuar, dhe sërish nuk kanë pasur sukses. Kjo ka ndodhur edhe me pejgamberët dhe prijësit historik, kush jemi ne që të themi se kemi pasur sukses dhe se kjo përfundon këtu. Sundimi i së drejtës dhe të vërtetës do të ndodh kur ne do të jemi të përkushtuar për të drejtën dhe të vërtetën. Kjo do të ndodh me besimin dhe përkushtimin ndaj kombit dhe religjionit. Kjo duhet të mbahet me kompetencë edhe nga partitë shqiptare dhe atyre maqedonase», tha Memedi. Me një fjalim të shkurtër u paraqit edhe deputeti i PDSH-së, Bardhyl Dauti, i cili tha se nuk votojnë për Qeverinë e re, por do t’i mbështesin reformat dhe ndryshimet pozitive që do të inicohen në Kuvend. «Kjo shumicë parlamentare është legjitime. Qeveria nuk është legjitime. BDI është humbëse e zgjedhjeve dhe kjo nuk na jep garanca për udhëheqje të denjë. BDI nuk i përmbush kërkesat e qytetarëve shqiptarë. PDSH do të mbështes çdo proces që do ta çojë shtetin përpara», tha Dauti.  Pas zgjedhjes së kabinetit të ri qeveritar, nga dita e enjte duhet të fillojë edhe pranim dorëzimi i posteve ministrore në Qeveri, ndërsa gjatë ditëve në vazhdim edhe pranim dorëzimi i postit të kryeministrit.

Heqja e testimit ekstern dhe caktimi i zgjedhjeve lokale

Që nga dita e enjte Qeveria e re dhe shumica e re parlamentare pritet të përmbush edhe premtimin e parë. Në seancë parlamentare do të shqyrtohet propozimi i LSDM-së, për heqjen e testimit ekstern në shkollat fillore dhe të mesme, projekt ky i filluar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit, por që shkaktoi kaos në arsim dhe reagime të shumta si nga nxënësit, prindërit ashtu dhe nga arsimtarët. Për këtë qëllim, të mërkurën paralelisht me seancën për votimin e Qeverisë, u zhvilluan dhe dy mbledhje të tjera për formimin e trupave të nevojshëm parlamentar në të cilat do të duhet të kalojnë ndryshimet e ligjit për arsim. Përveç kësaj, Kuvendi do të shqyrtojë edhe propozim ndryshimet në kodin zgjedhor dhe ligjin për vetëqeverisje lokale me të cilat pritet që tu zgjatet mandati kryetarëve aktual të komunave të cilëve mandati u skadoi më 15 maj. Mandati i tyre do të zgjatet deri më 15 tetor, ndërsa për në këtë datë do të caktohet edhe mbajtja e zgjedhjeve lokale.

Kabineti i ri qeveritar:

Radmilla Shekerinska – ministre e Mbrojtjes (LSDM)
Oliver Spasovski – ministër i Punëve të Brendshme (LSDM)
Dragan Tevdovski – ministër i Financave (LSDM)
Nikolla Dimitrov – ministër i Punëve të Jashtme (LSDM)
Renata Treneska Deskovska – ministre e Arsimit dhe Shkencës (LSDM)
Goran Sugarevski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve (LSDM)
Lupço Nikollovski – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujrave (LSDM)
Milla Carovska – ministre e Punës dhe Politikës Sociale (LSDM)
Damjan Mançevski – ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës (LSDM)
Robert Allagjizovski ministër i Kulturës (LSDM)
Sadulla Duraku – ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (BDI)
Kreshnik Bekteshi-  ministër i Ekonomisë (BDI)
Bylent Salihu – ministër i Drejtësisë (BDI)
Suhejl Fazliu – ministër i Vetëqeverisjes Lokale (RDK – Aleanca për shqiptarët)
Arben Taravari – ministër i Shëndetësisë (LR-PDSH – Aleanca për shqiptarët)
Koço Angjushev – zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike (LSDM)
Bujar Osmani – zëvendëskryeminsitër për Eurointegrime (BDI)
Hazbi Lika – zëvendëskryeministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Kominiteteve. (BDI)
Ministra pa portofol: Edmond Ademi, Robert Popovski, Adan Qahil, Samka Ibraimovski, Zoran Shapuriq dhe Zorica Apostollovska.