Maqedonia: Vendi i Ballkanit qendror në krizë

Neglizhenca aktuale e këtij vendi të vogël dhe të brishtë nga SHBA dhe BE pengon demokracinë dhe stabilitetin në Ballkan.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë në Shkup. Foto: Shutterstock

Maqedonia moderne, një nga kombet më të vogla dhe më të reja në botë, ka rastisur të jetë e vendosur në qendrën strategjike të Ballkanit. Ajo gjithashtu ka fatkeqësinë e përballjes me një rrjedhë të vazhdueshme krizash të rënda të brendshme dhe të jashtme, që kur fitoi pavarësinë nga Jugosllavia në vitin 1991. Sot Maqedonia është përsëri në krizë, pa qeveri reale teksa kombi lufton në vijën e frontit të parë të valës së refugjatëve që largohen nga Siria dhe Iraku.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane kanë investuar shumë në stabilitetin dhe integrimin e Ballkanit, pasi Jugosllavia u shpërbë pas vitit 1989. Por sot ata mbeten kryesisht pasivë për Maqedoninë, teksa vendi lufton me një varg problemesh vendore dhe ndërkombëtare.

Maqedonia nuk është e pajisur për t’u marrë me valën e refugjatëve që gëlon në kufijtë e saj. Vendi ka nevojë për ndihmë serioze, jo për zhgënjim nga ndërkombëtarët si NATO dhe BE.

Pa përvojë në qeverisjen demokratike, maqedonasve iu desh të krijonin pas pavarësisë në vitin 1991 nga e para një kushtetutë, ligje dhe institucione. Që atëherë, vendi nuk ka kaluar një periudhë të qëndrueshme pa krizë, për të konsoliduar dhe zhvilluar institucionet demokratike. Kryesisht për shkak të kundërshtimeve të emrit kushtetues të Maqedonisë, Greqia vendosi një embargo ekonomike në Maqedoni, derisa Richard Holbrooke negocioi një fund të kësaj në vitin 1995. Çështja e emrit vazhdon ta bëjë Greqinë të ushtrojë veton ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Lufta në Kosovë dhe vala e refugjatëve shqiptarë në vitin 1999 krijoi një krizë tjetër. Vendi mezi shmangu një luftë civile me bazë etnike në vitin 2001, kur SHBA dhe BE ndërhyri diplomatikisht për të ndihmuar në krijimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Maqedonia është një nga vendet më të pasigurta psikologjikisht. Pothuajse të gjithë fqinjët e saj kanë kontrolluar një pjesë ose plotësisht territorin e saj përgjatë shekujve. Maqedonasit e sotme e shohin veten si të rrethuar nga armiqtë apo miqtë, në varësi të identitetit të tyre etnik apo qëndrimit personal. Kjo pasiguri dhe përshtatshmëri politike, i ka bërë udhëheqësit e Maqedonisë që shpesh t’i provokojnë fqinjët e tyre me kërkesat për simbole historike kulturore dhe personalitetet e rajonit.

Maqedonia mbetet e izoluar nga norma europiane dhe ka pak shpresë reale të anëtarësimit në NATO dhe BE për aq kohë sa mosmarrëveshja e emrit kushtetues me Greqinë mbetet e pazgjidhur.

NATO e poshtëroi publikisht Maqedoninë në Samitin e NATO-s në vitin 2008, kur refuzoi aplikimin për anëtarësim për shkak të llogaritjeve të gabuara amerikane dhe kundërshtimet grek të emrit kushtetues të Maqedonisë. Ndërkohë, anëtarësimi në NATO dhe BE ka lëvizur përpara për Shqipërinë, Malin e Zi dhe vendet e tjera të Ballkanit.

Tani Maqedonia po përballet me valën masive të refugjatëve që largohen nga fatkeqësitë humanitare në Irak dhe Siri drejt Europës.

Maqedonia është e vështirë për t’u angazhuar dhe e lehtë për t’u kritikuar. Nën presionin e vazhdueshëm real apo të imagjinuar, shumica e maqedonasve etnikë kanë anuar nga partia nacionaliste, por e korruptuar dhe autoritare VMRO DPMNE. Udhëheqja aktuale e kësaj partie është diskredituar kohët e fundit, por grindjet politike vazhdojnë.

Sado të vështirë që të jenë maqedonasit, është koha që Shtetet e Bashkuara dhe europianët t’i japin fund shpërfilljes për Maqedoninë dhe ta ndihmojnë këtë republikë të vogël, të brishtë europiane që të zgjidhë problemet që kërcënojnë ta shkatërrojnë atë.

Ndihma më e madhe përballë krizës së refugjatëve dhe presioni për të zgjidhur problemet politike të Maqedonisë, janë të nevojshme. Por, ndihma e refugjatëve dhe presioni politik nuk janë të mjaftueshme. Në shkallë më të gjerë, perëndimi nuk i ka ofruar Maqedonisë apo kombe të tjera të reja të ish-Jugosllavisë ndihmën adekuate ekonomike për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të krijuar vende pune.

Maqedonia ka nevojë për një rrugë të përshpejtuar të anëtarësimit në NATO dhe BE për t’i dhënë stabilitet, siguri dhe standarde demokratike. Përpjekja e vakët diplomatike ndërkombëtare deri më tani për t’i dhënë fund çështjes së emrit të Maqedonisë me Greqinë nuk ka arritur të zgjidhë mosmarrëveshjen dhe nuk i ka ofruar Maqedonisë shpresë për anëtarësim në institucionet e përbashkëta rajonale.

E vetmja përgjigje e qëndrueshme ndaj katastrofës aktuale në Ballkanin qendrore është që vendet europiane dhe SHBA duhet të nisin një përpjekje diplomatike agresive, duke përdorur ndikimin e tyre të rëndësishëm për të zgjidhur çështjen e emrit dhe për t’i dhënë Maqedonisë qasje anëtarësimi në institucionet kryesore ndërkombëtare. Derisa kjo të ndodhë, investimet amerikane dhe europiane në Ballkan do të mbeten të mangëta dhe zhvillimi i demokracisë dhe stabilitetit të rajonit të Ballkanit do të mbetet i dyshimtë.

James Pardew ishte i dërguari i SHBA për negocimin direkt të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni në vitin 2001. Ai ishte gjithashtu i përfshirë në arritjen e Marrëveshjes Dejton në Bosnje në 1995 dhe në zgjidhjen e konfliktit të Kosovës në 1999.

(Botuar fillimisht nga: http://www.reporter.al/maqedonia-vendi-i-ballkanit-qendror-ne-krize/)