Maqedonia shkon në zgjedhje të parakohshme në dhjetor

Liderët e katër partive kryesore të Maqedonisë ranë dakord të mbajnë zgjedhjet e parakohshme më 11 dhjetor, pasi u arrit marrëveshja për krijimin e një qeverie të përkohshme.

Liderët e partive kryesore maqedonase dhe ndërmjetësi i BE-së gjatë bisedimeve të verës 2015. Foto: MIA

Pasi zgjedhjet parlamentare të parakohshme u shtynë dy herë këtë vit, liderët e katër partive kryesore të Maqedonisë më në fund arritën një marrëveshje të mërkurën në mbrëmje për të mbajtur votimin më 11 dhjetor.

Nikola Gruevski, lideri i VMRO DPMNE, Zoran Zaev nga Social Demokratët, Ali Ahmeti nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Menduh Thaçi i Partisë Demokratike të Shqiptarëve ranë dakord se të gjitha kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme janë përmbushur.

«Kushtet për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në 2016 janë përmbushur dhe ne ramë dakord t’i mbajmë zgjedhjet më 11 dhjetor. Parlamenti do të shpërndahet sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë», shkruhej në një deklaratë të nënshkruar nga katër liderët.

Një qeveri e përkohshme që do të organizojë votimin parlamentar do të zgjidhet në shtator, sipas marrëveshjes të ndërmjetësuar nga SHBA-BE në korrik.

Social Demokratët do të mbajnë ministrinë e brendshme dhe të punës dhe kanë zv. ministra në financë, bujaqësi dhe në ministrinë e administratës.

Si pjesë e paketës së reformave për të siguruar raportimin e balancuar të medias përpara zgjedhjeve – një kusht i marrëveshjes SHBA-BE – katër liderët gjithashtu ranë dakord të caktojnë Santa Argirova si kryeredaktoren e re të televizionit publik maqedonas.

«Zonja Santa Argirova do të caktohet kryeredaktore për MTV 1 më 2 shtator 2016 dhe do të mbajë pozicionin deri në fund të procesit elektoral», shkruhet në deklaratë.

Argirova ka punuar si gazetare dhe redaktore në disa stacione televizive në Maqedoni, përfshirë televizionin kombëtar. Ajo gjithashtu ka punuar në ministrinë e jashtme.

«Liderët gjithashtu janë zotuar për një fushatë zgjedhore demokratike dhe konkurruese larg dhunës dhe presionit dhe do të dënojnë çdo përdorim të gjuhës apo veprimeve që nxitin dhunë», shkruhej në deklaratë.

Në korrik, katër liderët kërkuan pastrim të listës zgjedhore, zbatim të reformave të projektuara për të siguruar raportim të balancuar të zgjedhjeve dhe ranë dakord mbi krijimin e një qeverie të përkohshsme që do të organizojë zgjedhjet parlamentare.

Në gusht, Komisioni Zgjedhor i Maqedonisë, DIK, përfundoi «regjistrimin aktiv» për votuesit e diskutueshëm të listës zgjedhore, pasi publikoi emrat e 39 mijë votuesve që kishin konfirmuar të dhënat e tyre personale për të qëndruar në listën me 1,8 milionë votues.

Kriza në Maqedoni përshkallëzoi në shkurt 2015 pasi Social Demokratët në opozitë filluan publikimin e përgjimeve që sipas tyre ishin kryer nga kryeministri i atëhershëm Gruevski, mbi 20’000 persona, përfshirë ministrat e tij. Gruevski i hodhi poshtë akuzat e përgjimeve si të «fabrikuara» nga agjenci të huaja sekrete.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes së krizës verën e shkuar, Maqedonia i ka shtyrë zgjedhjet e parakohshme dy herë, në prill dhe qershor, sepse reformat e projektuara për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ishin zbatuar ende.

(reporter.al: http://www.reporter.al/maqedonia-shkon-ne-zgjedhje-te-parakohshme-ne-dhjetor/)