Maqedonia rrezikon t’i kthehen migrantët

Gjithnjë e më shumë rriten zërat për rrezikun e një vale të re migrantësh nga vendet e lindjes drejt Maqedonisë, prej ku më pas synojnë të hyjnë në vendet e BE-së. Drejtuesit e organizatave humanitare që e kanë ndjekur ketë situatë vitet e kaluara thonë se rreziku vjen si nga Turqia, ashtu dhe nga vendet e BE-së të cilat mund t'i kthejnë migrantët ilegalë. Institucionet e konfirmojnë rrezikun dhe thonë se janë të gatshëm për menaxhim të krizës eventuale.




Shumë shpejt Maqedonia mund të ballafaqohet me një valë të re të migrantëve nga vendet e lindjes, e veçanërisht nga Siria. Për këtë temë po flitet gjithnjë e më shumë në Shkup dhe institucionet janë vënë në lëvizje. Rreziku, sipas vlerësimeve të para, vjen nga dy anë. Nga njëra është Turqia, e cila brenda territorit të saj ka miliona migrantë që në çdo moment mund t’i lëshojë drejt Greqisë, prej ku më pas do të arrijnë në Maqedoni, me qëllim për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së.

Por, sipas ekspertëve dhe drejtuesve të organizatave humanitare që vitet e kaluara e kanë menaxhuar sitatën me migrantët, kjo do të varet nga një vendim politik. «Ashtu siç ishte vendim politik ndalimi i fluksit të migrantëve, njëjtë edhe vala e re do të ishte vendim politik. Gjithçka varet nga marëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së», deklaroi për dialogplus, Jasmin Rexhepi, kryetar i Organizatës humanitare «Legis». Rreziku i dytë sipas tij vjen nga vendet e BE-së, të cilat mund t’i kthejnë mbrapa migrantët ilegalë, të cilët kërkesën për azil e kanë parashtruar në Maqedoni. «Kthimi i migrantëve në vendet e tyre është detyrë e IOM-it dhe kjo zakonisht bëhet përmes rrugëve legale dhe në marrëveshje të dy vendeve. Kthimi në Maqedoni ose Greqi do të ishte jo korrekt, joligjor dhe kundër të drejtave të njeriut, përveç se nëse nuk bëhet fjalë për marrëveshjen e Dublinit, të cilin kishin paraparë ta implementojnë që në muajin mars, për të gjithë që  kanë arritur në mënyrë joligjore në vendet e BE-së, ndërsa azil kanë kërkuar në Maqedoni ose Greqi», thotë Rexhepi.

Për valën e mundshme të migrantëve janë në dijeni edhe institucionet kompetente në Maqedoni, dhe për këtë temë janë zhvilluar edhe disa aktivitete. Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, që në muajin mars ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, UNHCR. Ditë më parë në ambientet e Ministrisë së Jashtme u zhvillua një brifing me drejtues të institucioneve vendore, si dhe përfaqësuesve diplomatik në Shkup.

Edhe në këtë takim, ministri Nuhiu pranoi se rreziku nga një fluks i ri i migrantëve është real. «Edhe pse kjo temë nuk ka zënë shumë vend në agjendën e mbledhjeve rajonale dhe ndërkombëtare, siç ka qenë para një viti, mendoj se duhet të pranojmë, se kërcënimet janë objektive dhe mundësia për përsëritje është reale. Për këtë duhet të gjithë së bashku të jemi të gatshëm të ofrojmë përgjigje gjithpërfshirëse rajonale nën kujdesjen e partnerëve tanë nga BE», ka deklaruar ministri i Brendhsëm, Nuhiu.

Nga ana tjetër, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Agron Buxhaku, ka thënë se institucioni që ai drejton dhe institucionet e tjera janë të gatshme për pritjen e refugjatëve në rast të një vale të re. Ai shpreson se ashtu si dy vitet e kaluara, edhe kësaj radhe Maqedonia do të ishte vetëm një vend tranzit për refugjatët nga lindja, pasi destinimi i tyre është Evropa. «Ne jemi të gatshëm edhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, para se gjithash OKB-së, UNDP, UNHCR dhe me përpjekje të madhe, që është për t’u lavdëruar, nga ana e organizatave joqeveritare, të cilat janë të pranishëm dhe iu ndihmojnë migrantëve. I kemi menaxhuar, i menaxhojmë dhe shpresoj që edhe në të ardhmen do t’i menaxhojmë edhe në rast të eksodit më masiv të migrantëve», ka thënë Agron Buxhaku, drejtor i Qendrës për Menaxhim me Krizat.

Ndryshe, dy vitet e kaluara nëpër Maqedoni kanë kaluar mijëra refugjatë për çdo ditë, ndërsa në kufi me Greqinë, në qytetin e Gjevgjelisë dhe në afërsi të kufirit me Serbinë në Tabanoc, u ngritën dy kampe pranimi për migrantët. Falë ndryshimeve ligjore, Maqedonia e menaxhoi situatën përmes transportit legal të migrantëve nga kufiri me Greqinë drejt Serbisë. Paraprakisht, zbrastirën ligjore e keqpërdorën trafikantët ilegal të cilët përfituan nga transporti dhe strehimi i migrantëve, kryesisht në rajonin e Kumanovës, prej ku përmes rrugëve ilegale malore i transportonin ata drejt Serbisë.