Maqedonia planifikon amnisti për të lehtësuar situatën në burgje

Qeveria e re e Maqedonisë planifikon të nxjerrë një ligj amnistie për burgjet e mbipopulluara të vendit dhe për përmirësimin e kushteve të tyre, por opozita e ka cilësuar propozimin si korrupsion.

Kryeministri Zoran Zaev pas vizitës në burgun më të madh në Maqedoni, Idrizovë. Foto: MIA



Qeveria e re e qendrës së majtë në Maqedoni, planifikon amnisti për të gjithë të dënuarit që po vuajnë dënime me burg prej më pak se gjashtë muaj dhe pritet të shkurtojë dënimin me kusht, dhe të shkurtojë me 30 për qind dënimin e atyre që janë dënuar me më pak se 5 vjet. Një zëdhënës i qeverisë, Mile Boshnjakovski, tha se qëllimi kryesor ishte trajtimi i «mbipopullimit në burgje dhe kushtet çnjerëzore brenda tyre», si pjesë e një reforme më të gjerë të sistemit gjyqësor.

Amnistia e propozuar nuk do të ndikojë te ata që vuajnë dënime të përjetshme ose te njerëz të dënuar për vrasje, mashtrime zgjedhore, vepra penale seksuale apo ata që janë shpallur fajtorë për tradhti kombëtare, ata që kanë qenë pjesë e organizatave kriminale ose që kanë vepruar kundër ligjit ndërkombëtar. Projekti do të debatohet publikisht për 20 ditë, kohë gjatë së cilës ekspertët dhe partitë do të kenë kohë ta rishikojnë atë. Projekti më pas do të hyjë në procedurën parlamentare për miratim. Qeveria ende nuk ka një shifër të sigurt se sa njerëz pritet të lirohen para kohe prej amnistisë.

Partia opozitare VMRO DPMNE-së dënoi propozimin dhe bëri lidhje me kohën e tij dhe zgjedhjeve lokale të 15 tetorit. Kjo parti tha se kryeministri Zoran Zaev shpresonte që «të mashtronte të burgosurit që të votonin partinë e tij në zgjedhje, gjë që është korrupsion elektoral».

Për më shumë se dy vjet, një grup shoqatash civile kanë apeluar për amnisti. Njëra prej tyre, një shoqatë e familjarëve të të burgosurve që vuajnë dënime në burgun më të madh të Maqedonisë, në Idrizovë, është ankuar për kushte të tmerrshme dhe ka thënë se shumë shpesh ndodhin vdekje të pashpjegueshme. Ajo është ankuar gjithashtu për korrupsion, për përdorim të drogave, për ushqim të keq dhe për mungesën e shtretërve. Prej disa vitesh, raportet nga Avokati i Popullit në Maqedoni dhe nga Komisioni Europian kanë mbështetur shumicën e këtyre pretendimeve. Grupet e tjera mbështetësish të të burgosurve pohojnë se të afërmit e tyre janë dënuar prej presionit politik nga qeveria e mëparshme, e udhëhequr nga VMRO DPMNE, e cila mbajti pushtetin për 11 vjet.

Osman Kadriu, profesor i së drejtës penale në Shkup tha se ndërsa projektligji ishte një ide e mirë, vetëm amnistia nuk pritet të rregullojë gjendjen e keqe të burgjeve, të cilat kanë nevojë për shumë më tepër investime. Ai tha se shpresonte që ekspertët do të përfshiheshin në debatin publik dhe se do të ofronin «ndryshime konkrete, në lidhje me atë që duhet rregulluar».

Qeveria tha se Ministria e Drejtësisë më parë ishte konsultuar me ekspertë ligjorë për përgatitjen e ligjit.

(https://www.reporter.al/maqedonia-planifikon-amnisti-per-te-lehtesuar-situaten-ne-burgje/)