Maqedonia pezullon projektet e qeverisë së vjetër

Qeveria e re maqedonase planifikon të hedhë poshtë ose të rishqyrtojë disa projekte kryesore të paraardhësit të saj, të cilat shihen si vrima të zeza financiare.

Zaev dhe ministrat e qeverisë së tij. Foto: MIA



Një muaj pas zgjedhjes, qeveria e re e udhëhequr nga Social Demokratët, LSDM, ka njoftuar se do të rishqyrtojë disa projekteve të shtrenjta dhe polemike.

Ato përfshijnë një qendër të re mjekësore në Shkup, dy segmente të autostradës të financuara nga një kredi kineze dhe restaurimin madhështor të kryeqytetit i njohur si «Shkupi 2014».

Ministri i ri i shëndetësisë, Arben Taravari, tha të hënën se kishte urdhëruar një rishqyrtim të procedurave të tenderit 72 milionë për qendrën mjekësore të re të Shkupit, me shpresën se do të rrëzojë ose rinegociojë marrëveshjen e ndërtimit të nënshkruar kohët e fundit, si dhe ta zhvendoste atë në një vend më praktik.

«Ka mangësi. Jemi duke folur me financuesin, Bankën Botërore, për ta zhvendosur qendrën klinike në periferi [të Shkupit]», tha Taravari për të përjavshmen Faktor.

Qeveria e re do ta ndërtojë qendrën e re në një vend më lehtë të aksesueshëm nga banorët dhe qytetarët e tjerë.

Sipas saj ngritja e një ndërtese moderne në vendndodhjen e vjetër, afër qendrës së mbipopulluar të kryeqytetit, nuk do të zgjidhë problemin dhjetëvjeçar të trafikut por mund ta përkeqësojë atë.

Në mënyrë të paprecedent, paraardhësi i Taravarit në qeverinë e përkohshme, udhëhequr nga partia VMRO DPMNE, nënshkroi marrëveshjen e ndërtimit të qendrës mjekësore më 19 maj, dy javë para zgjedhjes së një qeverie të re.

Një tjetër projekt që qeveria e re tha se kishte nëvojë për rishikim ishte ndërtimi i dy segmenteve kryesore të autostradës të financuara nga një kredi kineze prej 574 milionë eurosh.

Nisur në 2014, ndërtimi i 50 kilometrave të autostradës që lidh Shkupin me qytetin e Shtipit dhe 57 kilometrat nga qyteti i Ohrit në qytetin e Kërçovës, ka ndaluar.

Ministri i ri i transportit, Goran Sugareski, të premten inspektoi segmentin e fundit të autostradës dhe tha për të se vendit mund t’i duhet të paguajë 120 milionë euro shtesë për të rregulluar problemet e sigurisë me tunelet dhe për të zhvendosur një pjesë të rrugës e cila është ndërtuar përgjatë një terreni kodrinor ku ka rrëshqitje të tokës.

Ish-partia në pushtet, VMRO DPMNE ka reaguar duke këmbëngulur se qëllimi i vërtetë i qeverisë së re ishte të ndalonte të gjitha projektet e kryeqytetit duke shpikur pretekste të rreme.

Në lidhje me autostradën, VMRO DPMNE tha se disa korrigjime janë «normale» kur bëhet fjalë për projektet të mëdha autostradash në terren të vështirë.

Një projekt tjetër i parë si shpenzim i kotë i qeverisë së kaluar është rikonstruktimi madhështor barokor i kryeqytetit.

Sipas të dhënave të BIRN-it, projekti i kushtoi Maqedonisë mbi 670 milionë euro.

Qeveria e re urdhëroi ndalimin e menjëhershëm dhe rishikimin e projektit për të kursyer para dhe për të përcaktuar koston e vërtetë të saj.

(https://www.reporter.al/maqedonia-pezullon-projektet-e-qeverise-se-vjeter/)