Maqedonia në udhëkryq

Me pak fjalë, ka arsye për optimizëm për të gjithë ata që janë të shqetësuar për krizën e tanishme në Shkup. Askush duk duhet të shpresojë për farë revolucioni, por për një kompromis të arsyeshëm - kompromis që do të jetë i pranueshëm jo vetëm për krerët politikë, por edhe për qytetarët që nuk u besojnë të njëjtëve krerë. Ashensori duhet të lëvizë prapë, e mira e së mirës do të ishte po të lëvizte në drejtim të Brukselit




Sofje, Bullgari – «A jeni ngujuar ndonjëherë në ashensor?» më pyeti së fundi një politikan maqedonas. Ishim në Shkup, kryeqytetin e vendit të tij, ku ishin mbajtur protesta masive vitin e kaluar, përfshirë demonstrues që kishin zënë sheshin para qeverisë, dhe në kuvend kishte pothuajse një vit që opozita po bojkotonte seancat. «A mund ta merrni me mend të ngeleni të ngujuar për 20 vite me radhë? Kjo na ka bërë vaki neve».

Ai donte të dilte diku. Maqedonia, një shtet nga Ballkani me rreth dy milionë banorë, pothuajse tridhjetë për qind prej të cilëve shqiptarë etnikë, ia doli t’u shmangej luftërave jugosllave në vitet nëntëdhjetë, por kjo nuk do të thotë se kishte rehati.

Greqia ka refuzuar prej momentit të parë kur vendi fitoi pavarësinë më 1991 ta njihte Maqedoninë me emrin e saj për arsye historike të një rajoni që e ndan me Greqinë. Greqia ka përdorur veton për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe ka penguar përpjekjet maqedonase për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Brukseli dhe Washingtoni ishin tmerruar, por nuk ia dolën të kryenin punë.

Një konflikt i armatosu etnik në rajonin perëndimor të dominuar prej shqiptarëve soli vendin më 2001 në prag të luftës civile. Maqedonia e mbijetoi krizën, por mbetën tensionet politike dhe etnike.

Kurthuar në belanë e emrit të saj, kërcënuar prej spektrit të konfliktit etnik dhe demoralizuar prej ekonomisë së ligsht me shifra ndër më të lartat të papunësisë në Evropë, Maqedonia ishte mënjanuar në dhomën e pritjes së Evropës. Nuk është habi se më shumë se 30 mijë persona e kanë lëshuar Maqedoninë në pesë vitet e fundit.

Dhe derisa Maqedonia po shtirej se po kryente reforma dhe Brukseli shtirej se po e integronte, regjimi maqedonas u fuzionua në «demokraci të menaxhuar» të stilit ballkanik. Parakusht për të siguruar një vend pune shtetërore ishte dhënia e votës partisë në pushtet, dhe u mbyll televizioni më popullor, që njihej për qasjen kritike ndaj partisë pushtetare.

Partia në pushtet, me emrin e imponuar Organizata Partiake-Revolucionare Maqedonase për Unitetin Kombëtar Maqedonas, ka përdorur zgjedhjet kryesisht për të vënë në pah se kinse opozitës nuk mund t’i besohet, pastaj duke përdorur votat e qytetarëve për të siguruar rizgjedhjen. E shastisur prej imazhit të vetëkrijuar të viktimës së konspiracioneve të huaja, Qeveria maqedonase zbatoi retorikë nacionaliste agresive kundrejt fqinjëve.

Në kohën që qeveritarët po merreshin me të madhe me heshtjen e pakënaqësisë së heshtur të dekadës së kaluar, përbrenda po ziente revolta popullore. E vërteta doli në shesh në fillim të këtij viti, kur lideri në ngritje i opozitës, Zoran Zaev, vuri bast se një skandal publik mund ta minonte regjimin. Ai publikoi në shkurt përgjime të atyre që ai pretendon se ishin 670 mijë biseda të përgjuara ilegalisht të politikanëve të opozitës, gazetarëve dhe figurave fetare. Përgjimet e publikuar vunë në pah korrupsionin, abuzimin e pushtetit dhe arrogancën në nivelin më të lartë, dhe duket se treguan vjedhje të votave, dhe për më zi, edhe mbulimin e të vërtetës së një vrasjeje.

Opinioni u zemërua dhe vërshoi rrugët, duke bërë thirrje për reforma rrënjësore në politikat e vendit, përfshirë ndryshimin e lidershipit të shtetit. Madje as dorëheqje e ministrave kryesorë, përfshirë edhe shefin e inteligjencës, nuk e fashitën zemërimin. Prej atëherë, vendi vazhdon të dëshmojë protesta dhe marshe antiqeveritare dhe antikorrupsion. Një grup i armatosur shqiptarësh dhe forcat e armatosur shtetërore u përleshën në maj afër qytetit të Kumanovës, duke lënë të vrarë 22 persona dhe duke ringjallur frikën e rishfaqjes së dhunës etnike.

Por kriza e fundit, që është interesante, nuk është asgjë më shumë, por rikthim në vitin 2001. Zemërimi kundër elitave bashkuan shqiptarët e maqedonasit, dhe demonstratat janë një prej vendeve të pakta ku Evropa shpreson që të ketë një Maqedoni të qëndrueshme multietnike.

Johannes Hahn, komisionar për Zgjerim i Bashkimit Evropian, ka ndërmjetësuar më 2 qershor një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme deri në prill të vitit të ardhshëm, njëherësh kuvendi ka miratuar ndryshime në ligjet zgjedhore në lidhje me garën e drejtë që duhet të zhvillohet ndërmjet partisë në pushtet dhe opozitës.

Marrëveshje është një demonstrim i fuqishëm se derisa Bashkimi Evropian mund të ketë humbur namin e mirë, vazhdon të mbetet aktori kyç i jashtëm në Ballkan. Por nuk do të lejtë aspak e lehtë rruga e Maqedonisë drejt kthimit të demokracisë liberale.

Protestuesit në Shkup sollën ndryshim në humorin publik, dhe detyruan botën të kthente kokën kah Maqedonia, por ata vetë nuk mund të sjellin ndryshime institucionale. Skandalet pa asnjë fije dyshimi se kanë dëmtuar partinë e qendrës së majtë në pushtet dhe partnerin e saj shqiptar në koalicion, por anketimet sugjerojnë se nëse do të mbaheshin zgjedhjet nesër, partia në pushtet prapë do t’i fitonte bindshëm.

Polarizimi politik dhe mungesa e dukshme e medieve të pavarura – jo thjesht media «pro-opozitare» – e bëjnë më të lehtë për qeverinë të mbijetojë krizën e fundit. Zoti Zaev ka demonstruar guxim politik duke vënë në pah keqpërdorimet e qeverisë, por atij do t’i duhet edhe më shumë guxim që të ndryshojë edhe partinë e tij, socialdemokratët, që nuk i beson shumica, jo vetëm mbështetësit e qeverisë, por edhe shumë prej protestuesve në rrugë, sepse e shohin si pjesë të të njëjtit sistem.

Ata që po i japin fort për ndryshim në rrugë duhet t’i rezistojnë nocionit naiv se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë partnerë të besueshëm në kërkesën e tyre për ndryshim revolucionar. Bashkimi Evropian është kurthuar, jo vetëm prej frikës se kriza do të shndërrohet në konflikt etnik dhe për shkak të mendimeve të ndryshme të shteteve anëtare, por edhe sebepi rrëfimit të kundërt që po shpaloset fuqishëm prej Rusisë, se protestat po menaxhohen prej të huajve. Sipas interpretimit të Moskës, protestat janë instrument i strategjisë së fuqive të Perëndimit për të rrëzuar qeverinë e papreferueshme për perëndimorët.

Nervozë janë edhe fqinjët e Shkupit. Atyre nuk është se u pëlqen fort lidershipi aktual, por i druajnë destabilitetit. Ata njëherësh shpresojnë se ndryshimi pozitiv është përtej horizontit: Bullgaria në mënyrë të veçantë shpreson se ndryshimet politike do ta bëjnë të mundshme nënshkrimin e një traktati dypalësh ndërmjet dy shteteve, të bllokuar për një kohë të gjatë prej qeverisë aktuale në Shkup.

Me pak fjalë, ka arsye për optimizëm për të gjithë ata që janë të shqetësuar për krizën e tanishme në Shkup. Askush duk duhet të shpresojë për farë revolucioni, por për një kompromis të arsyeshëm – kompromis që do të jetë i pranueshëm jo vetëm për krerët politikë, por edhe për qytetarët që nuk u besojnë të njëjtëve krerë. Ashensori duhet të lëvizë prapë, e mira e së mirës do të ishte po të lëvizte në drejtim të Brukselit.

«The New York Times»

*Autori është politolog, shef i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje dhe anëtar i përhershëm në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë.