Maqedonia ndjek shembullin e Hungarisë ndaj refugjatëve

Maqedonia ka filluar të ndjekë Hungarinë në mënyrën se si menaxhon situatën me refugjatët. Policia maqedonase ka përdorur përsëri dhunë ndaj tyre, ndërsa shefi i diplomacisë maqedonase thotë se kanë filluar të mendojnë për ndërtimin e një gardhi mbrojtës në kufirin me Greqinë. Ideja është kundërshtuar nga Brukseli, opozita maqedonase dhe organizatat humanitare. Ndërkohë fluksi i migrantëve sa vjen e shtohet.




Reagime të ashpra në vend dhe në Bruksel ka shkaktuar ideja e krerëve të lartë të Maqedonisë që të mbrohen me gardh nga fluksi i shtuar i refugjatëve që vijnë nga Siria dhe vendet e tjera të Lindjes. Idenë për ndërtimin e një gardhi në kufirin me Greqinë në opinion e ka plasuar ministri i jashtëm, Nikolla Popovski përmes një interviste për të përjavshmen hungareze Figielo. «Nëse merret seriozisht ajo që Evropa e kërkon prej nesh, ne duhet patjetër të dërgojmë ushtarë ose të ndërtojmë gardh apo të bëjmë një kombinim të të dyjave», është shprehur Popovski.

Por nga kryeqendra e Bashkimit Evropian kanë porositur Maqedonisë se ndërtimi i një gardhi nuk është përgjigja e duhur për tejkalimin e krizës. «Kjo nuk është një çështje për refuzim të ndihmës. Ne e dimë se gjendja është e rëndë, por nuk mendojmë se ndërtimi i gardheve do të ishte përgjigja adekuate për këtë situatë. Ajo që duhet të bëjmë është të punojmë bashkërisht dhe bashkë të ballafaqohemi me këtë krizë», tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Shinas.

Deklarata e Popovskit erdhi në të njëjtën ditë kur në opinion u publikuan edhe pamje të dhunës që ushtrojnë policët maqedonas ndaj refugjatëve në zonën kufitare me Greqinë. Video-regjistrimi dhe deklarata e kryediplomatit maqedonas kanë ngjallur reagime të mëdha edhe brenda Maqedonisë. Partitë opozitare kanë kundërshtuar ashpër idenë, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut kanë kërkuar përgjegjësi për dhunën e ushtruar dhe një trajtim më të mirë të emigrantëve. «Nikolla Gruevski dhe ndjekësit e tij, si Nikolla Popovski, dinë vetëm të vendosin gardhe dhe të ngrisin mure. Kriza e refugjatëve nuk zgjidhet me mure, por me sistem. Është e qartë se Qeveria e Gruevskit nuk ka kapacitet për t’u ballafaquar me krizën dhe nuk mund t’iu ofrojë refugjatëve transit të sigurtë. Institucionet kompetente duhet të rregullojnë një korridor të sigurtë për kalimin e refugjatëve. Fotografitë që bënë xhiron e botës në kufinjtë e Maqedonisë vetëm sa e prishin më shumë imazhin edhe ashtu të nxirë të Maqedonisë», thuhet në reagimin e LSDM-së. Kryetari i Partisë Liberale, Ivon Veliçkovski tha se ministri Popovski mund të vendosë gardhe vetëm rreth selisë së partisë së tij, VMRO-DPMNE një gjë të tillë nuk mund ta bëjë me kufirin shtetëror.

Drejtoresha e Komitetit të Helsingut, për të drejtat dhe liritë e njeriut, Uranija Piroska, ka rikujtuar se në Maqedoni po përsëriten pamjet e ditëve të para, kur policia përdorte shok-bomba kundër refugjatëve. Ajo mendon se Qeveria e Maqedonisë e bën këtë për të ushtruar presion ndaj BE-së. «Nuk e di nëse shkaku janë paratë apo është paniku për atë që ndodh – ata duan të fitojnë ndonjë ndihmë nga Bashkimi Evropian. Por në çdo situatë asnjëri nga shkaqet nuk i arsyeton mjetet e dhunshme që përdoren nga ana e nënpunësve policorë. Nuk e arsyeton as qëndrimin indolent dhe sjelljen e Qeverisë kur bëhet fjalë për mbrojtje dhe ndihmë të refugjatëve», ka thënë për Radion Evropa e Lirë Uranija Piroska.

Sipas të dhënave zyrtare, nga kampi i Gjevgjelisë drejt Tabanocit të enjten janë nisur dy trena me nga 2’000 emigrantë, ndërsa 4’000 të tjerë janë transportuar me autobusë dhe me taksi. Parashikimet e autoriteteve maqedonase janë që edhe gjatë ditëve në vazhdim nëpër Maqedoni do të tranzitojnë nga pesë-gjashtë mijë refugjatë rrefugjatë.

Foto: Ververidis Vasilis/Shutterstock.com