Maqedonia me qeveri teknike, zgjedhjet më 11 dhjetor

Mer fund kriza politike në Maqedoni. Kështu duket në letër, ku kanë vënë firmën liderët e katër partive, të cilët 11 dhjetorin e caktuan si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ata vlerësuan se janë përmbushur kushtet për zgjedhje fer dhe demokratike, ndërsa Kuvendi zgjodhi Qeverinë teknike.

Objekti i Qeverisë së Maqedonisë në «Shkupi 2014». Foto: Curioso / Shutterstock.com

Gjatë 100 ditëve të ardhshme Maqedonia do të drejtohet nga një Qeveri teknike, e cila ka mandat të shkurtuar dhe ka për detyrë të organizojë vetëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 11 dhjetor. Në Qeverinë teknike, përveç VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, do të marrë pjesë edhe LSDM-ja opozitare me dy ministra dhe tre zëvendës ministra. Ministër i Punëve të Brendshme është zgjedhur Oliver Spacovski, ndërsa Ministër i punës dhe politikës sociale, Frosina Remenski, që të dy nga LSDM. Kjo parti ka edhe tre zëvendës-ministra plotësues në ministrinë e finansave: atë të shoqërisë informatike, të administratës publike si dhe ministrinë e bujqësisë.

«Në Maqedoni do të ketë vetëm zgjedhje korrekte dhe assesi zgjedhje të tjera. Për këtë arsye jemi pjesë e qeverisë teknike. Ne kemi premtuar dhe kemi përmbushur premtimin – rikthyem qeverinë teknike që duhet të organizojë zgjedhje të rregullta më 11 dhjetor. Ne porosisim se do të ndërpresim çdo përpjekje për çfarëdo parregullsie parazgjedhore, apo zgjedhore. Korruptimi i votuesve, presionet, krimi, morri fund në Maqedoni», deklaroi ministri Spasovski pas marrjes së detyrës së re.

Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare u mor më 31 dhjetor, kur liderët e katër partive më të mëdha në vend, Nikolla Gruevski i VMRO-së, Zoran Zaev i LSDM-së, Ali Ahmeti i BDI-së dhe Menduh Thaçi i PDSH-së, vlerësuan se janë përmbushur kushtet për këtë. Po atë ditë u dakorduan edhe për anëtarin e pestë të komisionit «ad hoc» për mbikqyrjen e mediave. Në këtë komision u zgjodh Lulzim Haziri, gazetar dhe profesor universitar. Komisioni do të ndjekë punën e mediave gjatë 100-ditëshit para zgjedhjeve; të gjitha mediat që do të shkelin rregullat zgjedhore do të ndëshkohen në para. Mediat e shtypura dhe elektronike nga 2 shtatori e deri më 10 dhjetor 2016 duhet të ndajnë hapsirë të balansuar për partitë në pushtet dhe në opozitë në edicionet e lajmeve.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, liderët partiakë dolën me vlerësime optimiste për mbajtjen e zgjedjeve të ndershme dhe demokratike, kushte këto që ishin shkak i krizës dyvjeçare që filloi nga përfundimi i zgjedhjeve të vitit 2014, kur opozita maqedonase nuk e pranoi rezultatin zgjedhor. Kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, është shprehur i kënaqur që përfundimisht kanë arritur që LSDM-në ta vendosim në situatë të mos mund t’ju ikë zgjedhjeve. «Është mirë që në fund e nënshkruan marrëveshjen. Duket se të gjitha arsyet që mund t’i vendosin në tryezë u shterën dhe sot s’patën rrugëdalje dhe pranuan që të dalin në zgjedhje. Më 11 dhjetor qytetarët do të zgjedhin kush duan t’i udhëheqë: Një qeveri që shkakton kriza, apo një qeveri që bën punësime dhe zhvillon vendin», u shpreh Gruevski. Ndërkaq lideri i opozitës, Zoran Zaev, i bëri thirje Gruevskit që të mos tentojë të sabotojë marrëveshjen më të re dhe as punën e prokurorisë speciale, për të cilën Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë ende asnjë vendim edhe pse ka procedurë të hapur tek ata. «Më 11 dhjetor do t’i mundim varfërinë, korrupsionin, urrejtjen ndëretnike, mafinë, proceset e montuara politike. Të nderuar qytetarë, ju ftoj në mobilizim masiv të gjithë për një Maqedoni evropiane. Këto zgjedhje janë referendum, qytetarët do të zgjedhin nëse duan të jetojnë në Maqedoni të varfër të familjes mafioze, apo në shtet të pasur dhe të drejtë», apeloi Zaev.

Liderët e dy partive shqiptare kanë qenë më indiferentë në bisedimet rreth marrëveshjes së fundit. Si Ahmeti, ashtu edhe Thaçi janë shprehur vetëm të kënaqur që kriza politike përfundimisht mori fund. «Më në fund forcat politike arritën marrëveshje dhe u pajtuan për zgjedhje të lira dhe demokratike, me ç’rast zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 11 dhjetor të vitit 2016. Nga 2 shtatori fillon rrjedhja e respektimit të afateve», tha kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Për kreun e partisë shqiptare në opozitë, Menduh Thaçi, garancë e vetme për zgjedhje të ndershme dhe demokratike nuk është marrëveshja, por faktori ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Marrëveshja e katër liderëve vendorë për mbajtjen e zgjedhjeve arlamentare më 11 dhjetor është përshëndetur edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë. «Ky është një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës politike në vend. Do të angazhohemi që të ketë zgjedhje të lira dhe qytetarët të votojnë pa frikë. Të gjithë duhet të luajnë rolin e vet që të kemi zgjedhje të ndershme dhe demokratike», deklaroi ambasadori amerikan në Shkup, Xhes Bejli. Vlerësime pozitive kanë arritur edhe nga Brukseli zyrtar. «I ftojmë të gjitha partitë politike që në mënyrë strikte të respektojnë kredibilitetin e procesit zgjedhor, t’ju lejojnë qytetarëve zgjedhje të lira, ndërsa pas zgjedhjeve të formojnë një qeveri, e cila do tu përvishet reformave thelbësore dhe do të punojë në interest ë qytetarëve», thuhet në kumtesën e komisarëve të BE-së, Johanes Han dhe Frederika Mogerini.

Zyrtarët evropianë kanë përsëritur se BE do të vazhdojë të mbështesë procesin dhe do të ndihmojë vendin për rikthim në rrugën euro-atlantike. Marrëveshjen që i dha fund krizës dyvjeçare në Maqedoni dhe iu hapi rrugën zgjedhjeve e ka përshëndetur edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë – Frank Valter Shtajnamer. «Tani kryesorja është që marrëveshja për veprim të mëtutjeshëm, deri në zgjedhje, të zbatohet në përpikmëri dhe me shpejtësi, në kështu do të shmanget ngecja e vendit në rrugën e saj euro-atlantike. Me rëndësi është që Prokuroria Speciale Publike të mund pa pengesë të vazhdojë me punën e saj në qartësimin e akuzave për keqpërdorim të pozitës, në mënyrë që përsëri të kthehet besimi në institucionet demokratike në vend», ka thënë Shtajnamer në letrën e tij të bërë publike nga ambasada e Gjermanisë në Shkup.

Kuvendi i Maqedonisë duhet të shpërbëhet më 12 tetor, ndërsa kreu i saj Trajko Veljanovski më pas e cakton datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat sipas marrëveshjes së liderëve do të mbahen më 11 dhjetor. Më 27 tetor publikohet për shqyrtim lista e votuesve, me çka për 20 ditë do të kenë afat të gjithë qytetarët të kontrollojnë nëse ndodhen në listë. Me këtë rast, një mundësi shtesë do të kenë edhe 30’000 votuesit të cilët janë fshirë nga lista e zgjedhësve, pasi sipas marrëveshjes së Përzhinos u vlerësuan si votues fiktivë dhe nuk u paraqitën në afatin 20 ditor kohë më parë. Më 18 nëntor edhe zyrtarisht do të dihen emrat e kandidatëve që do të garojnë për 123 ulëset në Kuvendin e Maqedonisë, tre prej të cilëve pritet të zgjidhen në diasporë, e cila tanimë përbën një njësi të përbashkët. Më 21 nëntor edhe zyrtarisht fillon fushata parazgjedhore e cila do të zgjasë deri më 10 dhjetor. Pas publikimit të rrezultateve, ministrat dhe zëvendës-ministrat në Qeverinë teknike do të japin dorëheqje, ndërsa në vend të tyre do të emërohen ministra të përkohshëm. Deri në formimin e Qeverisë së re, me ministrinë e Punëve të Brendshme do të udhëheqë zëvendës-ministri aktual, Agim Nuhiu.

Sipas Marrëveshjes së Përzhinos, ministri rekorder me mandat më të shkurtër vlerësohej të jetë ministri i Punëve të Brendshme, i cili për herë të parë do të jetë shqiptar. Agim Nuhiu do të udhëheqë me këtë digaster jo më shumë se 20 ditë, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, ndërsa do të ketë edhe mandat të kufizuar, me karakterit teknik. Por, rekordin e tij e theu Oliver Andonov, i cili në këtë post u ul më 1 shtator, ndërsa dha dorrëheqje më 2 shtator, pasi ia liroi vendin ministrit të ri Oliver Spasovski, i cili në këtë pozitë do të qëndrojë për 100 ditë. Andonov u zgjodh ministër vetëm një ditë para atij teknik, pasi ministri i deritanishëm, Mitko Çavkov, u desh të shkarkohet nga posti i ministrit, që më pas të emërohet nga ministri njëditor si drejtor i Byrosë për Siguri Publike.