Maqedonia ende në krizë, sytë nga presidenti

Pas dështimit të Nikolla Gruevskit për të formuar Qeverinë në afat kushtetues, sytë e opinionit janë drejtuar nga presidenti Gjorhje Ivanov. Kushtetuta nuk është e prerë për situata të tilla, ndërsa nuk ka asnjë precedent për t’u ndjekur. VMRO dhe BDI kërkojnë zgjedhje të tjera të parakohëshme. LSDM kërkon mandatin për formimin e Qeverisë, Lëvizja Besa e përkrah atë.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov. Foto: Cylonphoto / Shutterstock.



Vazhdon kriza rreth Qeverisë së re në Maqedoni. Presidenti i vendit Gjorge Ivanov akoma nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me mandatin, pasi kryetari i partisë së tij amë, Nikolla Gruevski, nuk arriti të formojë Qeverinë në afatin e parashikuar me Kushtetutë. Presidenti Ivanov sot zhvilloi një takim me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë. Pa zbuluar detajet e takimit, kabineti i presidentit njoftoi se çfarëdo vendimi që do të marrë Ivanov, do të jetë në pajtim me Kushtetutën. «Lidhur me situatën e krijuar, presidenti Ivanov do të veprojë në bazë të dispozitave kushtetuese dhe në interes të shtetit dhe të qytetarëve të Maqedonisë», thuhet në njoftimin e kabinetit të presidentit.

Në anën tjetër, kreu i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, vlerëson se çfarëdo vendim tjetër, përveç dorëzimin e mandatit për formimin e Qeverisë në duart e tij, do të jetë kundërkushtetues: «VMRO-DPMNE mbrëmë në mesnatë ka humbur zyrtarisht  mundësinë për ta formuar Qeverinë. Proceset demokratike kanë filluar, kështu kanë vendosur 612 mijë qytetarë në zgjedhje. Pres që Ivanov të më dorëzoj mandatin për formimin e Qeverisë, të gjitha opsionet e tjera do të jenë shkelje të Kushtetutës dhe keqpërdorim të funksionit», u shpreh dje Zaev në një konferencë për shtyp, të thirrur për situatën e krijuar politike.

Partia më e madhe opozitare shqiptare, Lëvizja Besa, nga ana tjetër, sot doli në përkrahje pa kushte për Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë, me qëllim formimin e Qeverisë së udhëhequr nga Zoran Zaev. Zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat sipas Besës janë qëllimi dhe skenari i dyshes VMRO-BDI, do t’i dëmtonin më së shumti shqiptarët, thuhet në deklaratën e tyre. «Me qëllim të funksionalizimit të Parlamentit, në rast se LSDM-ja mer ndonjë iniciativë për formimin e shumicës parlamentare, si Lëvizje Besa do e mbështesim këtë iniciativë, pa e paragjykuar nëse do të jemi pjesë e asaj Qeverie në të ardhmen, ose jo. Në frymë të apelit të Komisionit Evropian jemi të mendimit se zgjedhjet do e thellonin më shumë krizën dhe zgjedhjet nuk janë zgjidhje të kësaj krize politike», thanë sot nga Lëvizja Besa.

Aktualisht Maqedonia gjendet në një udhëkryq të vërtetë sa i përket Qeverisë së re. Të dielën skadoi afati 20 ditësh i paraparë me Kushtetutë për mandatarin e parë Nikolla Gruevski, për të formuar Qeverinë e re. VMRO dështoi të formonte Qeverinë, pasi partneri i tyre shumëvjeçar BDI nuk arriti të sjellë një vendim brenda afatit të parashikuar. Tani e gjithë vëmendja është përqendruar te presidenti i shtetit, i cili duhet të përcaktohet për mandatarin e radhës. Jozyrtarisht përmenden shumë skenare që rrjedhin kryesisht për shkak të konfuzionit dhe paqartësisë së nenit 90 të Kushtetutës, i cili lë hapësirë për interpretime të ndryshme rreth asaj se kujt duhet t’i jepet mandati pas dështimit të mandatarit të parë. Maqedonia gjendet për herë të parë në një situatë të tillë që nga pavarësimi, dhe nuk ka precedente juridike për t’u ndjekur.