Maqedonia do të hetojë blerjet e dyshimta të ambasadave

Prokuroria e shtetit do të hetojë pretendimet se qeveria e mëparshme e Maqedonisë ka shpenzuar shuma të panevojshme shumë të mëdha për blerjen e pasurive të paluajtshme për ambasadat jashtë vendit.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë. Foto: Zoran Ricliev.



Prokuroria Shtetërore e Maqedonisë do të hetojë akuzat e Ministrisë së Jashtme se administrata e mëparshme shpenzoi dhjetëra miliona euro për dhjetë vjet në një mënyrë shumë të dyshimtë për blerjen e pasurive të paluajtshme për ambasadat. «Prokuroria është e interesuar në këtë çështje dhe do t’i hetojë këto akuza», tha ajo për BIRN këtë javë, duke shtuar se është ende shumë herët për të parashikuar nëse hetimi do të çojë në një investigim formal dhe në ngritje akuzash.

Në një konferencë për shtyp në selinë e qeverisë, sekretari i shtetit i Ministrisë së Jashtme Viktor Dimovski tha se ata kishin zbuluar shumë raste shpenzimesh të tepërta dhe parregullsish procedurale gjatë përpjekjeve të administratës së mëparshme për të blerë pasuri të paluajtshme në vendet e huaja. Dimovski tha se ministria dyshonte se «një rrjet avokatësh, kompanish dhe individësh» ishte përfshirë në një skemë për të pompuar në mënyrë efikase para nga buxheti i shtetit. «Janë favorizuar ndërtesa më të shtrenjta, edhe në rastet kur kanë qenë në ofertë ndërtesa më të mëdha të ndodhura në zona më të mira. Përveç kësaj, këtyre objekteve iu bënë përshtatje të shtrenjta dhe të panevojshme», tha Dimovski.

Pasuritë e patundshme, të destinuara për t’u shndërruar në ambasada dhe konsullata, janë blerë nga viti 2007 në Budapest, Pragë, Vjenë, Ljubljanë dhe Stamboll, tha Dimovski. Ai shtoi se për blerjen e planifikuar të zyrave diplomatike dhe konsullore në 15 vende, qeveria e mëparshme në vitin 2007 caktoi një shumë prej rreth 40 milionë eurosh plus një shumë tjetër prej 10 milionë euro përmes një rishikimi të mëvonshëm të buxhetit. Ai tha se vetëm një hetim i plotë do të zbulonte se sa nga këto para u keqpërdorën, duke shtuar se ata do t’i dorëzonin të gjitha gjetjet e tyre prokurorisë dhe institucioneve të tjera për hetime të mëtejshme.

Një shembull i përmendur ishte blerja e një vendi në Vjenë për 3.5 milionë euro, plus pagesa e agjencisë së pasurive të paluajtshme prej 105 mijë eurosh dhe 1.4 milionë euro të tjera të shpenzuara për rikonstruktim. «Ka të dhëna se pronari i mëparshëm ka paguar vetëm 1.46 milionë euro për të blerë të njëjtën ndërtesë vetëm një vit më parë. U konstatua se një kompani ishte regjistruar me qëllim të vetëm për të bërë këtë shitje, ndërsa e njëjta zyrë avokatie përfaqësoi si shitësin ashtu edhe klientin, në këtë rast Maqedoninë», vuri në dukje Dimovski.

Ai bëri të ditur se kontrolli i tyre kishte treguar se të njëjtët njerëz dhe subjekte ligjore duket se ishin të përfshirë në të gjitha blerjet dhe se në disa raste, edhe pas rinovimeve të kushtueshme, zyrat e reja mbetën të papërshtatshme për t’u përdorur sepse shumica e materialeve apo shërbimeve të paguara nuk janë instaluar ose kryer.

«Është e trishtueshme të jetë paguar kaq shumë për këto zyra dhe të mos mundemi ende t’i përdorim ato», tha Dimovski. Ai shtoi se të dhënat e tyre treguan se zyrat e ish-kryeministrit dhe të sekretarit të përgjithshëm të qeverisë «u informuan me detaje mbi procedurat». Deri më tani, nuk ka pasur asnjë reagim nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, partia e të cilit VMRO DPMNE mbajti pushtetin nga viti 2006 deri vitin e kaluar, kur u rrëzua pas një krize të gjatë politike. (BIRN)