Maqedonia dhe Kroacia paralajmërojnë luftë tregtare për verën

Shkupi mund t’i kundërpërgjigjet masave të rrepta të Zagrebit mbi kontrollet e gjatë të verës së importuar, ndërsa Maqedonia dhe Kroacia janë në kufi të një lufte tregtare me vlerë mbi 11 milionë euro.




Ministria maqedonase e Bujqësisë tha se po merr në konsideratë kundërmasa ndaj produkteve kroate nëse Zagrebi nuk heq kufizimet e fundit mbi importin e verës maqedonase që ka çuar në vonesa të dërgesave prej inspektimeve të gjata dhe të shtrenjta. «Është e qartë se këto janë barriera jo-tarifore. Ne nuk kërkojmë ulje të çmimeve për analizat, ne duam vetëm që periudha [për inspektimet] të jetë brenda një afati kohor normal dhe jo si tani ku vera qëndron në depo për 32 ditë», tha Mihail Cvetkov nga ministria maqedonase e Bujqësisë.

Cvetkov tha se nëse Kroacia nuk arrin t’i japë fund praktikës së kontrolleve të gjata deri në fund të këtij muaji, «ne do të detyrohemi të aplikojmë masa reciproke për produktet kroate». Ai tha se ministria ende nuk ka një listë të detajuar të produkteve kroate që mund të preken nga masat. Ministria kroate e Bujqësisë më herët tha se rregullat e reja mbi importet e verës nga jashtë, të cilat kanë filluar të zbatohen në janar, janë miratuar për të mbrojtur prodhuesit vendas të verës, të cilët i nënshtrohen të njëjtave kontrolle. Ministria tha gjithashtu se kontrollet e gjata zbatohen vetëm për verën jo në shishe.

Kantinat maqedonase të verës ndërkohë kanë paralajmëruar se rregullat e reja kroate po i kushtojnë atyre shumë para dhe telashe. «Në vend të 24 orëve procedurat dhe analizat shtesë tani zgjasin nga 15 deri në 45 ditë, në varësi të kantinës dhe importuesit në fjalë», tha për televizionin 24 News shoqata e prodhuesve të verës e Maqedonisë. Sipas të dhënave më të fundit nga ministria maqedonase e Bujqësisë, në 2016 Maqedonia eksportoi 26 për qind të totalit të verës në Kroaci – 17 milionë litra që vlejnë rreth 11 milionë euro. Më shumë se gjysma e kësaj vere nuk ishte në shishe. Kjo e bën Kroacinë tregun e dytë më të madh të verës maqedonase pas Serbisë fqinje.

(Botuar fillimisht nga: https://www.reporter.al/maqedonia-dhe-kroacia-paralajmerojne-lufte-tregtare-per-veren/)