Maqedonia akuzohet për standarde të dyfishta të paraburgimit

Gjykatat maqedonase shpesh i mbajnë njerëzit e zakonshëm në paraburgim për më shumë se një vit, ndërsa personalitetet me influencë nuk rrinë pas hekurave sikurse akuzohen, thonë aktivistët.

Burgu Idrizovë në Maqedoni. Foto: BIRN

Komiteti për Mbrojtje të të Drejtave të Viktimave të Sistemit Gjyqësor, një OJQ e sapoformuar në Maqedoni nga ish të burgosurit ka nisur një fushatë për të eliminuar të gjithë keqpërdorimin e paraburgimit, duke i akuzuar gjykatat se favorizojnë individë të fuqishëm përkundrejt njerëzve të zakonshëm.

OJQ-ja ka përllogaritur se nga 250 të paraburgosur aktualisht, më shumë se 100 mbahen mbi tre muaj pa arsye të qëndrueshme pasi krimet për të cilat ata akuzohen janë relativisht të lehta.

Në fushatën e saj, të quajtur «Le të Shpëtojmë Fatet Njerëzore», OJQ-ja nxit familjet e të paraburgosurve prej një kohe të gjatë të bashkohen.

«Fushata synon të kontaktojë me familjet dhe të analizojë dokumentet e të burgosurve të cilët pretendojnë se po mbahen pa bazë dhe më pas t’i paraqesë kërkesë gjykatës për zëvendësimin e paraburgimit me masa të tjera alternative», tha Vane Cvetanov, kreu i OJQ-së dhe një ish i burgosur.

Komiteti pretendon se gjykatat kanë standarde shumë më të buta për politikanët e nivelit të lartë dhe kolegët e tyre që po hetohen nga Prokuroria Speciale për krime të rënda që variojnë nga shkeljet me zgjedhjet deri te përgjimi i paligjshëm dhe shpërdorimi i detyrës.

Pavarësisht kërkesave për paraburgim apo arrest shtëpie për disa ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të përfshirë në gjashtë raste të hapura nga Prokuroria Speciale, gjykata penale e Shkupit ka dhënë arrestit shtëpie vetëm për kryebashkiakun, Vladimir Taleski i cili po hetohet për shpërdorim detyre.

«Ne duam të inkurajojmë gjykatat dhe gjyqtarët të kenë standarde të barabarta për qytetarët, të japin të njëjtat vendime kundrejt politikanëve të privilegjuar dhe njerëzve të zakonshëm», tha Cvetanov.

Rasti më i njohur për paraburgimin e gjatë në vitet e fundit është ai i gazetarit Tomislav Kezarovki, i cili në vitin 2013 kaloi gjashtë muaj pas hekurave përpara se të gjykohej.

Ai akuzohej për zbulimin e identitetit të një dëshmitari të mbrojtur në një gjyq për vrasje, në një artikull që shkroi në 2008.

Komiteti u ankua gjithashtu për trajtimin çnjerëzor në paraburgim.

BIRN kontaktoi me Drejtorinë e Burgjeve, që është pjesë e ministrisë së drejtësisë, për të marrë një përgjigje për akuzat, por Drejtoria nuk iu përgjigj në kohë akuzave të bëra kundrejt saj.

Disa vëzhgues ndërkombëtar dhe vendas të të drejtave të njeriut kanë thënë prej vitesh se autoritetet po abuzojnë me procedurat e paraburgimit në Maqedoni.

(reporter.al: http://www.reporter.al/maqedonia-akuzohet-per-standarde-te-dyfishta-te-paraburgimit/)