Maqedonia – 24 vite njerkë për shqiptarët




Ish deputetët një pjesë të fajit për atë që shqiptarët e ndjejnë Maqedoninë si njerkë, e shohin tek përfaqësuesit e sotëm politik. Ndërkohë elitat politike maqedonase vlerësohen si të papjekura dhe jo të gatshme për t’i pranuar shqiptarët si bashkëqytetarë. Edhe vetë maqedonasit janë të pakënaqur me përparimin e Maqedonisë në këto 24 vite

 

Nga Arben ZEQIRI

Shkup, 8 shtator

Maqedonia të martën festoi 24 vjetorin e pavarësisë, ndërsa për shqiptarët që jetojnë në këtë shtet 8 shtatori është një ditë e zakonshme. Qytetarët shqiptarë në pjesë të madhe nuk janë as në dijeni të festës, ndërsa përfaqësuesit politik, intelektualët dhe figurat publike nuk festojnë dhe nuk urojnë për këtë ditë. Sipas analistëve dhe ish përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Maqedonisë, shteti ende mbetet nënë për maqedonasit dhe njerkë për shqiptarët. Nuk ka ndryshuar jo vetëm statusi politik dhe juridik, por as qasja e elitave zyrtare maqedonase përballë shqiptarëve.

Kjo, sipas analistëve bën që shqiptarët të mos e ndjejnë Maqedoninë si shtet të tyre as pas dy dekadave pavarësi. «Fatkeqëisht, edhe pas 24 viteve në Maqedoni multietnike vendimarjen dhe hartimin e politikave e ka në dorë populli shumicë,  që vë në pozitë përjashtuese shqiptarët që jetojnë aty. Kjo manifestohet edhe në politikbërje, në funksionimin e qeverisë, të parlamentit, gjykatës ku dominon një popull, kurse tjetri edhe pse i konsiderueshëm në numër, ndjehet i përjashtuar dhe nuk identifikiohet me simbolet dhe shtetin në përgjithësi», deklaroi për «dialogplus» analisti Bashkim Bakiu. Ai shton se as marrëveshja e Ohrit nuk arriti ta ndryshojë këtë qasje të shtetit. «Edhe 24 vjet më pas, shqiptarët ndjehen të përjashtuar», thotë Bakiu.

Ish deputetët shqiptarë nga përbërja e parë e Parlamentit një pjesë të fajit e hedhin tek përfaqësuesit e sotëm politik. Ish deputeti Ismet Ramadani thotë se në vitet e ’90-ta, edhe pse në rrethana krejtësisht më të vështira, deputetët shqiptarë kanë luftuar më shumë sesa deputetët aktualë. «Dallimi qëndron në atë se atëherë kishte më shumë entuziazëm, më shumë motivim, më shumë diskutime, më shumë debat dhe në asnjë mënyrë, edhe pse shqiptarët mbivotoheshin në parlament, asnjëherë nuk i mbyllën çështjet. Ato u lanë të hapura që në një situatë më të volitshme të realizohen me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar. Sot nuk e shohim një luftë politike të cilën atëherë e zhvillonin deputetët shqiptarë», pohon Ramadani.

Me përparimin e Maqedonisë në 24 vite pavarësi të pakënaqur janë edhe vetë maqedonasit. Ata thonë se gjatë kësaj periudhe shteti dhe shoqëria në Maqedoni nuk ka arritur të zhvillojë kapacitetet e nevojshme demokratike dhe për këtë shkak ka ngecur edhe në të gjitha aspektet e tjera. «Ka shumë regres në kapacitetet demokratike dhe këtu duhet bërë shumë. Thelbi i çdo zhvillimi – qoftë politik, ekonomik ose ndërkombëtarisht i pranuar është demokratizimi i shoqërisë. Kështu siç janë punët sot, ajo ka ngecur në qorrsokak», vlerëson ish deputeti i VMRO-DPMNE-së, Llambe Arnaudov.

Mesazhe për festën e pavarësisë përcollën vetëm liderët politik maqedonas. Për liderin e opozitës, Zoran Zaev, Maqedonia ka stagnuar vetëm në rreth dhjetë vitet e fundit që kur me vendin qeveris Nikolla Gruevski. «Në prill bëhen dhjetë vite që kur nuk mund të flasim për liri dhe demokraci», tha Zaev. Ndërkohë kryeministri Nikolla Gruevski, sheh progres të theksuar për këto 24 vite, aq më tepër në periudhën e fundit që kur ai qeveris vendin. «Kaluam shumë sfida, por të gjitha teoritë se Maqedonia është shet i përkohshëm ranë në ujë. Maqedonia, me të gjitha problemet që ballafaqohej, shkoi përpara – dikurë më shpejtë e dikurë më ngadalë, por themelet u forcuan, ndërsa shtëpia u mbindërtua», u shpreh Gruevski në fjalimin e tij festiv.

Shqiptarët e vetëm që u panë në ceremonitë kremtuese të 24 vjetorit ishin zëvendës kryeministri Fatmir Besimi, si pjesë e delegacionit të Qeverisë dhe Flora Kadriu, këshilltare e presidentit Gjorgje Ivanov, gjatë vendosjes së luleve para përmendores së heronjve të Maqedonisë. Partitë shqiptare nuk kanë bërë asnjë urim dhe koment, por në heshtje kanë injoruar festën. Ndryshe, shqiptarët kanë bojkotuar referendumin e vitit 1991 për pavarësi nga ish Jugosllavia. Ndërkaq deputetët shqiptarë nuk kanë votuar as Kushtetutën të cilën e miratoi Kuvendi vetëm me votat e deputetëve maqedonas.