Manifestim i suksesshëm shqiptaro-zviceran në Basel

Përveç futbollistëve me rrënjë shqiptare, është edhe një plejadë politikanësh me origjinë shqiptare që kujdesen për një vlerë të shtuar në marrëdhëniet shqiptaro-zvicerane. Dhe, këtu ka për t’u bërë vërtetë diçka.

Baseli zvicerano-shqiptar.

Këtë verë në Kampionatin Evropian në Francë, veçanërisht në ndeshjen e futbollit midis Zvicrës dhe Shqipërisë, përjetuam me emocione shumë të forta. Emocione legjitime pasi gjysma e futbollistëve të kombëtares Zvicerane kanë origjinë shqiptare disa nga futbollistët më të mirë të kombëtares shqiptare janë me shtetësi të dyfishtë. Këta futbollistë vijnë nga komuniteti shqiptar në Zvicër, i cili është padyshim një histori e jashtëzakonshme suksesi. Është një komunitet që kontribuon direkt në zhvillimin e mëtejshëm të shtetit Zviceran. Diaspora shqiptare në Zvicër merr pjesë fuqishëm në botën ekonomike, akademike dhe politike të Zvicrës, duke u bazuar fort në vlerat e përbashkëta dhe në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit reciprok.

Pikërisht për të forcuar këtë bashkëpunim, grupi socialdemokrat shqiptaro-zviceran i regjionit Basel në mbrëmjen e 3 Shtatorit 2016 organizoi një aktivitet shumë të suksesshëm nën moton «Të njohim vlerat e përbashkëta». Ky eveniment u mbajt në ambientet e qendrës sociale «Quartiertreffpunkt LoLa» në qytetin e Bazelit.

Përmbajtje, shumëllojshmëri dhe cilësi

Tubimi u hap dhe u moderua nga aktivisti i socialdemokratëve shqiptaro-zviceranë të regjionit Basel, Kosta Papa, i cili fillimisht u dha mundësinë e prezantimit dy kandidatëve shqiptaro-zviceranë, Almedinda Maliqit dhe Arsim Sadriut. Më pas ai ia kaloi fjalën përshëndetëse, kryetares kantonale të Partisë Social Demokrate, Brigitte Hollinger si dhe Mustafa Atiçit, kryetar i migrantëve socialdemokratë të Zvicrës.

Almedina Maliqi, kandidate për deputete kantonale në Basel.
Almedina Maliqi, kandidate për deputete kantonale në Basel.
Arsim Sadriu, kandidat për deputet kantonal në Basel.
Arsim Sadriu, kandidat për deputet kantonal në Basel.

Tubimin e përshëndeti edhe nënkryetari i migrantëve socialdemokratë të Zvicrës dhe deputeti shqiptaro-zviceran i Parlamentit Kantonal të Schaffhausen-it, Osman Osmani, i cili adresoi tri çështje preokupuese të komunitetit shqiptar në Zvicër:

  1. Ligjin për Dëbim, i cili integrohet në Kodin Penal të Zvicrës nga 1 tetori i 2016-tës
  2. Ligjin e i ri për Natyralizim, i cili hyn në fuqi nga 1 janari i 2018-tës
  3. Marrëveshjen e munguar ndërshtetërore mbi Sigurimet Shoqërore mes Zvicrës e Kosovës, që si pasoj janë duke u diskriminuar në mënyrë selektive prej mbi gjatë vite qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore në Zvicër.
Osman Osmani duke diskutuar në takimin e Baselit.
Osman Osmani duke diskutuar në takimin e Baselit.

Në vijim aktivisti tjetër i socialdemokratëve shqiptaro-zviceran, Urim Deva, prezantoi në qartë historikun e komunitetit shqiptar në Zvicër dhe marrëdhëniet shqiptaro-zvicerane.

Vlen për t’u theksuar pjesëmarrja e lartë dhe përmbajtja e këtij takimi i cili u mbyll në mënyrë festive, shoqëruar me muzikë nga trevat shqiptare, gatime dhe pije tradicionale.

Social-demokratët shqiptaro-zviceranë.
Social-demokratët shqiptaro-zviceranë.

Bazel më të drejtë dhe më social  – Almedina Maliqi Kandidate për Parlamentin Kantonal

Në vijim, në formë opinioni të përzgjedhur do të botojmë pjesë nga fjalimi i kandidates shqiptaro-zvicerane nga radhët e socialdemokratëve të Bazelit znj. Almedina Maliqi:

«Unë kandidoj bashkë me kolegun tim, gjithashtu shqiptar, Arsim Sadriun për mandatin e deputetes kantonale nga njësia zgjedhore e Baselit perëndimor në zgjedhjet që do të mbahen me 23 tetor 2016 në listën e Partisë Socialdemokrate.

Unë zotohem se do të angazhohem për një Bazel më të drejtë dhe më social.

Arsyeja se pse po angazhohem politikisht, ka të bëjë me faktin se në vitet e fundit kam vërejtur që në skenën politike të Zvicrës janë duke ndodhur gjithnjë e më shumë padrejtësi. Unë kam filluar ta vërejë ketë diskurs me rastin e iniciativave të Partisë Popullore të Zvicrës (SVP-së), përmes të cilave shkeleshin dhe kufizoheshin të drejtat e migrantëve. Dikur, në pankartat e kësaj Partie (SVP) shkruhej se ‹Kosovarët therin Zviceranët›. Kjo më ka prekur personalisht shumë. Me rastin e Iniciativës për Zbatim të dëbimit, përfundimisht m’u sos durimi. Dëshiroja që personalisht t’i prisja rrugën këtij zhvillimi dhe vendosa t’i bashkëngjitëm Partisë Socialdemokrate. Tek ky subjekt gjeta bindjen time politike dhe shumë shpejt erdha në përfundim se kjo parti i trajton të gjithë njerëzit njësoj: të pasurit e të varfërit, zviceranët e migrantët, burrat e gratë, homot e hetereot, myslimanët e të krishterët.

Ajo që mua personalisht më pengon është se SVP-ja është jo-sociale, ndërsa unë dua një Basel social, i cili e jeton shumëllojshmërinë dhe si i tillë duhet dhe mund të lulëzojë. Kjo nuk mund të jetë e mundur kur SVP-ja margjinalizon disa grupe të shoqërisë, për shembull të pastrehët, të cilët i dërgon tek stacioni i trenit, pa u ofruar ndonjë perspektivë. Ky nuk është Baseli im social. Ky nuk është Baseli që unë dëshiroj. Vetëm se këta njerëz nuk kanë para të mjaftueshme tentohet që të përjashtohen nga qyteti. Baseli që unë dua është multikulturor dhe pikërishisht kjo shumllojshmëri kulturore duhet të jetë fuqia e qytetit tim.

Pra unë dua një Bazel social – prandaj edhe motoja ime është: ‹Bazeli im është social dhe i drejtë!›

Dua të theksoj se kjo drejtësi nuk vjen vetvetiu, për këtë duhet të angazhohemi që të gjithë ne. Është e padrejtë, që banesat në Basel të shtrenjtohen gjithmonë e më shumë. Nuk është e drejtë që familjet të mos kenë mundësi t’i përballojnë qiratë e larta dhe kështu detyrohen të ndërrojnë vendbanim. Kantoni duhet të krijojë kornizat ligjore për të mundësuar hapësira banesore që mund t’i përballojnë financiarisht të rinjtë, familjet dhe njerëzit e moshës së tretë. Qeveria Kantonale duhet të vejë në dispozicion më shumë hapësirë banesore dhe të mundësojë në mënyrë të vazhdueshme shfrytëzimin e banesave që qëndrojnë të zbrazëta. Rrjedhimisht, kjo çështje mbetet edhe më tej një padrejtësi. Në Basel vijnë vetëm njerëz të pasur, të cilët kanë mundësi t’i përballojnë banesat e shtrenjta dhe kështu rrezikon të zhduket shumëllojshmëria në Basel. Nëse kjo ndodh, ne do të mbetemi thjesht një qytet pa vlerë.

Unë dëshiroj të përfaqësoj denjësisht në parlament të gjithë njerëzit e zonës sonë.

Unë jam më se e vendosur të luftoj për një Basel me social dhe më të drejtë!»