Mandatohet Zoran Zaev për formimin e qeverisë së re

Gjatë aktit të ndarjes së mandatit për formimin me Qeverisë së re, presidenti Ivanov deklaroi se pengesat për ndarjen e mandatit janë mënjanuar dhe se tani duhet përmbushur obligimet kushtetuese.

Presidenti Ivanov ia dorëzon mandatitin Zoran Zaevit



Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov ia dha mandatin për formimin e qeverisë liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.

Gjatë aktit të ndarjes së mandatit për formimin e qeverisë së re, Ivanov deklaroi se pengesat për ndarjen e mandatit janë mënjanuar dhe se tani duhet përmbushur obligimet kushtetuese.

«Pengesat për ndarjen e mandatit për formimin e qeverisë së re janë mënjanuar. Sot po i qasemi përmbushjes së nenit 84 alineja 1 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë për ndarjen e mandatit për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja e cila ka shumicën në Kuvend, ka propozuar zotin Zoran Zaev që të jetë kandidat të cilit do t’i ndahet mandati për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë», deklaroi presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov.

Edhe mandatari Zoran Zaev, u shpreh se pengesat për ndarjen e mandatit janë tejkaluar. «Edhe njëherë dua të konstatoj para mbarë opinionit se pengesat për ndarjen e mandatit janë mënjanuar. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi e ka dorëzuar letrën ndërkohë që unë ashtu siç kam premtuar para qytetarëve dhe para presidentit Gjorge Ivanov kam dorëzuar deklaratë në formë të garancive të cilat sot do t’i ndaj bashkë me qytetarët e Republikës së Maqedonisë, njëlloj siç është dorëzuar në Kabinetin e Presidentit», tha Zaev.

Dorëzimi i mandatit u bë pasi që presidenti Ivanov mori njoftim nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi se është formuar shumica parlamentare. Më herët, Ivanovi refuzoi dhënien e mandatit me arsyetimin se rrezikohet unitariteti i shtetit dhe rendi kushtetues.