Mami Merkel!

Pritjet në Ballkan nga kancelarja gjermane janë plotësisht absurde. Angela Merkel mund të ndihmojë vendet e rajonit vetëm nëse ato janë të gatshme të ndihmojnë vetveten.

Angela Merkel.



Në debatin e mbrëmshëm mes kancelares Angela Merkel dhe sfiduesit të saj, socialdemokratit Martin Schulz, u përmend edhe Ballkani. Tërthorazi, në kontekst të krizës së refugjatëve. Merkel tha se në vitin 2015 kishte marrë vendim të pranojë refugjatët kryesisht sirianë, të cilët kishin mbetur në Hungari dhe në Ballkan. Më parë, tha ajo, vendet e Ballkanit kishin paralajmëruar për një valë të madhe të refugjatëve. Çfarë Merkel nuk e tha, por nënkuptohej mes rreshtave: nëse ajo nuk do të kishte hapur dyert për refugjatët, në Europën Juglindore dhe sidomos në Ballkan situata mund të dilte nga kontrolli.

Merkel përmendi edhe faktin se qeveria e saj i ka shpallur si vende të sigurta Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë dhe kjo masë ua pamundëson qytetarëve të këtyre vendeve të kërkojnë azil në Gjermani. Në korrik të vitit 2015 pas sirianëve vendin e dytë me kërkesa për azil e zinin shqiptarët nga Shqipëria. Për të penguar valët e reja të emigrimit nga Ballkani, Merkel dhe qeveria e saj (në të cilën bashkëqeverisin edhe socialdemokratët e Martin Schulzit) kanë lansuar një program për rekrutimin e punëtorëve nga Ballkani. Rreth 40 mijë ballkanas (shqiptarë, shtetas të Kosovës, serbë) kanë gjetur punë në Gjermani nga viti 2014.

Më shumë vëmendje nuk iu kushtua Ballkanit në debatin mes Merkelit dhe Schulzit. Për shembull: nuk u fol fare për perspektivën e integrimit në Bashkimin Europian. Në të dy partitë kryesore politike gjermane (CDU e Merkel dhe SPD e Schulz) ekziston një pajtim parimor se vendet e Ballkanit duhet të integrohen në BE, por për të arritur këtë duhet të plotësojnë kushtet. Pritjet në Ballkan se kancelarja gjermane mund të bëjë mrekulli, të mbyllë pak sytë dhe t’i shtyjë drejt BE-së shtetet e Ballkanit janë plotësisht absurde. Angela Merkel mund të ndihmojë vendet e rajonit vetëm nëse ato janë të gatshme të ndihmojnë vetveten.

Kjo domethënë, në radhë të parë, sundim i ligjit, marrëdhënie të mira fqinjësore, heqje dorë nga planet e mëdha dhe aventuriere (ndryshimi i kufijve, lojërat me muskuj, aleancat me Rusinë). Sa i përket sundimit të ligjit Gjermania nuk do të bëjë asnjë kompromis. Disponimi në opinionin gjerman (sidomos në media) është kundër zgjerimit të BE-së në këto rrethana të krizës. Pra, vendet që aspirojnë të hyjnë në BE duhet të transformohen dhe reformohen radikalisht për të bindur Berlinin, Parisin, Brukselin dhe kryeqytetet e tjera.

A mund ta bëjnë këtë në të ardhmen e afërt Kosova dhe Shqipëria? Me këtë personel politik dhe me këtë nivel të korrupsionit dhe problemeve të tjera strukturore vështirë të merret me mend. Shumica e politikanëve të Kosovës në Berlin kanë një imazh të keq, ndërsa përralla se Edi Rama është përzgjedhur nga Merkel për të qenë lider i Ballkanit mbetet edhe sot përrallë. Në anën tjetër presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka arritur të përmirësojë dukshëm imazhin e tij në Gjermani, mes tjerash edhe falë disa mediave jokritike ndaj tij, por edhe krijimit të lidhjeve që shkojnë deri te Gerhard Schröderi, ish-kancelari që nuk ngurron të përqafojë çdo autokrat nëse sheh ndonjë përfitim personal. Debati i mbrëmshëm duhet të shikohet si arsye e madhe për zgjim nga gjumi i politikanëve në Prishtinë dhe në Tiranë.