Malli i pashuar për Adriatikun

Ditari i Adriatikut (6): Vend për t’u rrezitur, inspirim për shkrimtarë dhe fotografë. Dy shembuj: Marc Riboud dhe Max Frisch dhe entuziazmi i tyre për Dubrovnikun.

Foto: Marc Riboud

Javën që shkoi, më 30 gusht, vdiq Marc Riboud, njëri prej fotografëve më të famshëm francezë, anëtar i agjencisë Magnum. I lindur në vitin 1923 në Lyon ai në fillim të viteve ’50 takoi në Paris fotografët Robert Capa dhe Henri Cartier-Bresson. Me aparatin e tij Riboud ka dokumentuar Lindjen e Largët, Kinën e Maos dhe shumë pjesë të tjera të botës. «Jeta do të ishte aq e dhimbshme nëse nuk do të ëndërronim për ta ndryshuar. Përherë kam qenë i ndjeshëm ndaj bukurisë së botës». Me këtë moto Riboud ndoqi rrugën e tij profesionale. Franca lavdërohet me të drejtë me këtë fotograf.

Në një njoftim për vdekjen e Riboud Instituti Francez në Zagreb shkruan se kur ia dhuroi aparatin e tij të vjetër fotografik Vest Pocket Kodak, babai i tha Marc Riboudit, i cili ishte një adoleshent i heshtur: «Nëse nuk di të flasësh, ndoshta do të dish të shikosh». Në vitin 1953 Riboud ndërmori udhëtimin e tij të parë jashtë vendit dhe e zgjodhi Jugosllavinë e atëhershme, duke fotografuar Dalmacinë. Veçanërisht në Dubrovnik fotografi i ri zbuloi një botë autentike, të shndritshme, mesdhetare, me njerëz që ndërtonin vendin pas luftës së tmerrshme. Ekspozita «Dalmacia, dritare ndaj botës» u hap në vitin 2015 në shenjë nderimi ndaj Kroacisë dhe kulturës së saj.

Në disa fotografi të publikuara në Facebook nga Instituti Francez në Zagreb shihen skena madhështore nga Dubrovniku: një djalë që kërcen në det dhe duket sikur është ndalur në ajër, ndërsa fëmijët poshtë e shohin me habi; një rrugë pingul e Dubrovnikut dhe mbi të disa toja të lidhur në ndërtesa, ku teren teshat e lara; një vajzë me bikini dhe një plakë; një grup vajzash me veshje tradicionale; burra duke pirë verë pranë tavolinave të vendosura në rrugë.

Si rrallë ndonjë fotograf tjetër Riboud ka përjetësuar mallin e pashuar për Adriatikun, për detin, për lehtësinë e jetës, për çlodhjen dhe inspirimin. 20 vjet para Marc Riboudit në Dubrovnik gjeti inspirim edhe shkrimtari i famshëm zviceran Max Frisch. Ai erdhi në këtë qytet në vitin 1933. Frisch fillimisht kishte shkuar në Pragë për të raportuar për gazetat zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» dhe «Tages Anzeiger» nga Kampionati Botëror i Hokejit mbi Akull. Kur përfunduan garat ai i shkroi një letër nënës së tij, përmes të cilës i tregonte se nuk do të kthehej menjëherë në Zvicër, sepse e kishte ndërmend të bënte një udhëtim në Europën Lindore. Frisch qëndroi në Budapest, Beograd, Sarajevë, Dubrovnik, Kosovë, Maqedoni, Greqi dhe Turqi. Gjatë qëndrimit në vilën Solitudo në Dubrovnik Frisch u inspirua të shkruajë romanin e tij të parë «Jürg Reinhart», prej të cilit më vonë u distancua, duke e konsideruar si «roman tepër rinor».

Në Dubrovnik Frisch e pa detin për herë të parë, pasi ishte tronditur me Beogradin – në një letër dërguar nënës së tij ai shkruante: «Beogradi është natyrisht katastrofal», ndërsa i pëlqente Sarajeva («gjysmë perëndimore, gjysmë orientale»). Nga Dubrovniku Frisch e vazhdoi udhëtimin nëpër Mal të Zi drejt Kosovës, ku përshkruan disa shqiptarë duke ndërtuar një urë dhe fascinohet me veshjen e tyre, tirqit, qostekët dhe «qefinë të tërë» me të cilët arnautët, pra shqiptarët, mbështjellin kokën. Më gjatë Frisch shkruan për Patriarkanën e Pejës dhe Manastirin e Deçanit, ku lë edhe një shënim në librin e vizitorëve, i cili ruhet edhe sot.