Mall e mërzi…

Foto: Shutterstoc



Kujtim i nji mbramjeje shkodrane, kushtue mikut Karl Gurakuqi

N’kopsht mbas shpis pran njaj tryeze
po flladitem ndej n’vetmi
tue përsjellun, me’i grim’ meze
freskue n’pus nji pikë raki.

Sylarushkën e syzezën
s’i dishroj me i pasë n’shoqni
sytë e tynë, anì le t’ndezen
për ndoj tjetër dashuni…

M’la dashnija e u vok dishiri
prenduen stin’t plot farfuri
nuk m’ka mbetun veç putiri
me largue mall e mërzi

Djath e presh, buk’kallamoqe
meze e mirë për terjaqi,
Kjo rakia aman sa shoqe
ngushulluese asht në zymti…

Rrshet mbi barë nji rreze hane
lehtas gjetht dridhen n’puhi
me za t’marrun nji qemane
ambël fshan diku n’kojshi

Shum kërkova e s’mund e gjeta
kërkund n’botë t’bardhën lumni
s’u kujtove ti, Ernest-shkreta,
se e ke pasë mbrenda n’avllì

N’avllì t’nji shpisë shkodrane
n’kopshtin tand tue pi raki
me shpirt t’knaqun m’sa ‘i qemane
ambël fshante n’largësi…

Romë, 12 korrik 1960