Mall

Foto: Shutterstock



Ç’ma prek kështu zemrën?
Ç’më bën që të ziej?
Ç’më shtyn të largohem
Prej dhomës përtej?
Po ndrit cip‘ e reve
Rreth shkëmbit atje!
Atje do të vete,
Atje n’atë dhé!
Ja, korbat në erë
Flatrojnë me gaz;
Përzihem mes tyre,
Mes tufës humbas
Dhe malit e murit
I vijmë përqark;
Ajo është atje poshtë,
Ajo është atje larg
Ajo vjen e endet,
Unë ik, fluturoj,
Në pyllin e dendur
Si zog po këndoj
Dhe e ndal ajo hapin
E qesh e përgjon:
«Ai këndon ëmbël,
Për mua këndon»
Po i lan perëndimi
Kodrinat me ar;
Sodit bukuroshja
Me shpirt mendimtar
Dhe shkon buzë lumit
Mbi bar e stoli
Dha hapat i zhduken
Në terrin e zi
Sakaq unë shfaqem
Si yll shkëlqimtar
«Kaq afër, kaq larg,
Ç’ndriçon posi zjarr?»
Ti fort e mahnitur
Shkëlqimin e pe;
Por mua të lumtur
Ndër këmbë më ke.

Përktheu: Lasgush Poradeci