Malisheva dhe Tajvani vendosin marrëdhënie diplomatike

Kosova nuk e ka njohur Tajvanin. Nuk e kanë njohur as shumë shtete të tjera për shkak se nuk duan të kenë probleme me Kinën. Këto rrethana gjeostrategjike nuk i interesojnë Faton Thaçit. Ky zëvendësministër këto ditë ka pritur «ambasadorin e Tajvanit» dhe me të ka biseduar për zgjerimin e bashkëpunimit «mes dy shteteve». Nuk ka munguar edhe një «dhuratë modeste» për mysafirin nga Azia.

Flamuri i Tajvanit. Foto: Shutterstock



I.
Në vitin 1999 Maqedonia e pranoi Tajvanin si shtet të pavarur dhe mori vendim të lidhë marrëdhënie diplomatike me këtë territor, të cilin Republika Popullore e Kinës e konsideron pjesë të veten. «Maqedonia nga Tajvani do të marrë një miliard dollarë si shpërblim për pranimin e këtij vendi, por ky do të jetë vetëm fillimi; sepse biznesmenët tajvanezë janë të gatshëm të investojnë në ekonominë maqedonase, e cila së shpejti do të bëhet e fuqishme dhe prosperuese, ndërsa qytetarët do të jetojnë më mirë se sot. Me pranimin e Tajvanit Maqedonia nuk humb asgjë, sepse me Kinën nuk kemi pasur bashkëpunim të ngushtë ekonomik». Kështu e shpjegonte politikani maqedonas Vasil Tupurkovski në vitin 1999 njohjen e Tajvanit nga qeveria e Shkupit. Presioni nga Kina dhe rezistenca brenda Maqedonisë ndikuan që njohja të tërhiqej. Vende të vogla si Maqedonia nuk janë të interesuara të kenë probleme të mëdha me shtete shumë të mëdha si Kina, e cila është edhe anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

II.
Faton Thaçi me siguri ka bërë shumë për lirinë e Kosovës. Me siguri ai e ka merituar postin e zëvendësministrit të Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë e Ramush Haradinajt. Fundja, askush pa meritë nuk është bërë zëvendësministër, kush e thotë të kundërtën është ose dashakeqës, ose ngucakeq. Faton Thaçi me siguri ka dhënë kontribut të madh edhe për pavarësinë e Kosovës, për zhvillimin e Malishevës, prej nga vjen, si dhe për sukseset e partisë NISMA në këtë komunë. Faton Thaçi i përket kësaj partie, të themeluar nga lideri i saj i madh e legjendar, i cili çdo sekondë të jetës së tij sakrifikohet për Kosovën. Këtë sakrificë populli duhet t’ia pranojë Fatmir Limajt.

III.
Pas emërimit në postin e zëvendësministrit të Tregtisë dhe Industrisë Faton Thaçi ka vendosur të sakrifikohet edhe më shumë dhe të angazhohet me mish e me shpirt që Kosova të përparojë e lulëzojë. Andaj javën që shkoi Thaçi, jo presidenti, por Fatoni nga Malisheva, ka pritur, siç thuhet në një njoftim, ambasadorin e Tajvanit «Andrew Y. Chang, i shoqëruar nga drejtori i Divizionit Ekonomik, David K.C. Chou dhe nga dy asistentet e tij, Anna Y.C Ho dhe Angela Y. H. Tung». Theksohet se takimi kishte karakter njoftues, por nuk tregohet se në cilin vend është ambasador Andrew Y. Chang. Nga komunikata e ministrisë së Faton Thaçit krijohet përshtypja se Chang është ambasador i Tajvanit në Prishtinë. Aty nënvizohet: «Temë kryesore e këtij takimi ishte mundësia e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy shteteve në drejtim te këmbimit të përvojave zhvillimore, me kontest të veçantë të zhvillimit teknologjik informativ, si dhe fuqizimi i bashkëpunimit tregtar të eksport-importit të produkteve të dy vendeve».

IV.
Formulimi «dy shtete» është paksa i ngutshëm, sepse Kosova nuk e ka pranuar Tajvanin si shtet të pavarur. Këtë nuk e kanë bërë as shtete më të fuqishme se Kosova për shkak se nuk duan të kenë probleme me Kinën (shih shembullin e Maqedonisë në fillim të tekstit). Por, këso imtësi gjeostrategjike duket se janë të parëndësishme për zëvendësministrin tonë. Në Ministrinë e Jashtme të Kosovës ka diplomatë që marrin vesh nga diplomacia dhe ata thonë se takimi i Faton Thaçit me delegacionin tajvanez dhe mënyra se si është prezantuar ky takim në opinion paraqesin një «skandal» dhe një «problem të shkaktuar pa nevojë». Kina nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, si anëtare e Këshillit të Sigurimit ajo ka ndikim të madh në politikën botërore, si superfuqi ekonomike Republika Popullore e Kinës mund të lobojë sidomos në Azi dhe në Afrikë kundër pavarësisë së Kosovës. Në këto rrethana çohet Faton Thaçi nga Malisheva dhe vendosë marrëdhënie diplomatike me Tajvanin – a nuk është kjo edhe një dëshmi që emërimi i një divizioni zëvendësministrash ka qenë dhe mbetet vendim gjenial, fantastik dhe shumë i qëlluar i kryeministrit?

V.
Në fund të komunikatës mbi takimin me delegacionin nga Tajvani Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës thekson: «Të dy palët u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellë me vazhdimin e aktiviteteve konkrete për zhvillimin e vendit dhe në shenjë falënderimi për ambasadorin z. Chang zëvendësministri Thaçi i dhuroi një dhuratë modeste me karakter kombëtar të Kosovës». Lexuesit ngucakeq do t’i interesonte se çfarë i ka dhuruar zëvendësministri burrit nga Azia? Ndoshta një shkrepës me logon e atij motelit diku në Malishevë, ku vetura e zëvendësministrit ishte parkuar në orët e vona të natës? Kjo do të ishte me të vërtetë «një dhuratë modeste me karakter kombëtar të Kosovës».

VI.
Faton Thaçi nuk është i vetmi politikan shqiptar që shkakton tollovi në politikën botërore. Në vitin 2011 Nikollë Lesi, atëbotë zëvendësministër i Turizmit në Shqipëri, ishte autorizuar të nënshkruajë një protokoll të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kinës. Në çastin e fundit Lesit iu ndalua të marrë pjesë në ceremoni. Ministri i Jashtëm kinez nuk donte ta shihte me sy. Sepse Nikollë Lesi është kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Tajvan dhe prej vitesh punon që Shqipëria të pranojë Tajvanin si shtet të pavarur.