Mali i Zi ia ndalon hyrjen shkrimtarit ultranacionalist serb Matija Bećković

Në prag të 100-vjetorit të «bashkimit» të Mbretërisë së Malit të Zi me Serbinë mes dy vendeve po ashpërsohen tensionet. Policia malazeze ka ndaluar hyrjen në Mal të Zi të disa intelektualëve nacionalistë serbë. Si e morën pushtetin në Mal të Zi forcat serbe të ardhura nga Kosova dhe si u manipuluan krerët malalezë në nëntor të vitit 1918?

Matija Bećković.



Drejtoria e policisë së Malit të Zi ka vendosur t’ia ndalojë hyrjen në këtë vend poetit serb Matija Bećković, i cili konsiderohet si njëri prej intelektualëve më urrejtënxitës serbë. Krahas Bećkovićit policia kufitare e Malit të Zi ua ka ndaluar hyrjen edhe historianëve Čedomir Antić dhe Aleksandar Raković si dhe politikanit serb Dejan Mitrović, njofton gazeta malazeze «Dan». Dejan Mitrović, sipas mediave serbe, është profesor i «Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicë». Vendimi për ndalimhyrje është marrë me arsyetimin se këta persona paraqesin rrezik për sigurinë nacionale të Malit të Zi.

Bećković, Antić, Raković dhe Mitrović ishin të ftuar në Podgoricë për të marrë pjesë në manifestimin me rastin e 100-vjetorit të Kuvendit të Podgoricës (Podgorička skupština). Mes 24 dhe 29 nëntorit të vitit 1918 në kryeqytetin e Malit të Zi zhvilloi punimet Kuvendi i Podgoricës i quajtur «Kuvendi i madh i popullit serb në Mali të Zi», ku u mor vendimi i kontestueshëm për bashkimin e Mbretërisë së Malit të Zi me Mbretërinë e Serbisë.
Patriotët malazezë theksojnë se vendimi për bashkimin e Malit të Zi me Serbinë ka qenë i imponuar me forcë nga nacionalistët serbë. Para mbajtjes së Kuvendit të Podgoricës komandanti i Shtatmadhorisë Serbe, vojvoda Živojin Mišić, u dha urdhër forcave të tij të quajtuara «Trupat e Adriatikut» që nga Peja e Kosovës urgjentisht të marshojnë drejt Malit të Zi dhe ta okupojnë këtë vend. Bashkë me ushtrinë serbe në Mali të Zi erdhën edhe forcat çetnike të Kosta Pećancit. Pastaj në Mal të Zi pushtetin e mori regjimi ushtarak serb.

Disidenti jugosllav nga Mali i Zi, Millovan Gjilas, njëri nga besnikët e Josip Broz Titos dhe më vonë kritik i tij, e ka quajtur aktin e bashkimit të Mali të Zi me Serbinë më 1918 një «mashtrim të madh». Sipas tij, disa intelektualë malazezë – një grusht iluzionistë, disa të tjerë të paguar – në çastin kur pushtetin e kishin në duar trupat serbe ftuan nga të gjitha rrethet e Malit të Zi disa njerëz të besueshëm pa dijen e popullit dhe shpallën «Kuvendin e madh popullor» të Podgoricës, ku iu dha fund pavarësisë së Malit të Zi, i cili pa asnjë kusht iu bashkangjit Serbisë.

Ithtarët e bashkimit të Malit të Zi me Serbinë pritet të organizojnë më 1 dhjetor një manifestim qendror në një kishë në Podgoricë. Në atë manifestim ishte e paraparë të flasë edhe Matija Bećkovići, i cili u lind në Vojvodinë në një familje me origjinë serbe nga Mali i Zi. Babai i tij ka qenë oficer i ushtrisë mbretërore serbe. Para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ai me njësitë çetnike iku nga Mali i Zi në drejtim të Austrisë. Supozohet të jetë vrarë në Slloveni. Matija Bećković është kundërshtar i ashpër i pavarësisë së Malit të Zi. I marutar me bijen e një rusi, Bećković në paraqitjet e tij publike thekson përherë besnikërinë ndaj Rusisë.