Magneti i luftës në Maqedoni

A do të çojë skandali i përgjimeve në Maqedoni drejt afrimit më të madh me Rusinë? «Foreign Affairs» për korrupsionin në Maqedoni.

Foto: Kujtim SHABANI



Maqedonia është zhytur në krizë të thellë politike. Prej shkurtit të këtij viti më shumë se 500 përgjime telefonike të bisedave të dyshuara të zyrtarëve të ndryshëm, përfshirë kryeministrin e tanishëm, Nikola Gruevski, dhe disa prej anëtarëve të kabinetit të tij, janë publikuar në 36 paraqitje të Zoran Zaevit, liderit të partisë më të madhe opozitare, që pretendon se i ka siguruar përgjimet prej një informatori brenda policisë sekrete të Maqedonisë. Përgjimet përfshijnë më shumë se gjysmë milioni biseda që janë zhvilluar ndërmjet viteve 2007-2013. Nëse janë autentike, këto «bomba» informatash, siç i quan Zaevi, atëherë ato portretizojnë abuzimin më tronditës prej partisë në pushtet në Maqedoni.

Për ata që nuk kanë haber se çfarë ka ndodhur, përgjimet zbulojnë kontrollin ose përpjekjet për kontroll të drejtësisë dhe dikastereve të tjerë të Qeverisë prej një rrethi të ngushtë njerëzish të afërt me kryeministrin. Në një prej bisedave, Filimena Manevska (bashkëshortja e ish-ministrit të Drejtësisë, Mihajlo Manevski) dhe Vlatko Mijalkov (kushëri i kryeministrit) diskutojnë nëse Ljupka Arsinevska, kryetarja e gjykatave të apelit, është «e tyre», dhe nëse mund të llogarisin në të për një rast të paspecifikuar. Manevska thekson: «Ajo është kokë e këmbë e jona…Shko te ajo pa asnjë hezitim. I thuaj asaj se më ka dërguar Filimena. S’ka asnjë problem». Në një përgjim tjetër, Gordana Jankullovska (ministre e Brendshme) i thotë Martin Portugerit (shefit të kabinetit të kryeministrit) se «ne nuk mund të paguajmë pagat për ata (të punësuarit) në institucione, që na kanë dhënë siklet gjatë fushatës parazgjedhore. Na duhet një analizë e thuktë për të pastruar (institucionet) para se Qeveria e re të marrë detyrën». Portugeri pajtohet plotësisht. «…..atyre duet dhënë një leksion….. duhet të largohen».

Përgjimet gjithashtu sugjerojnë për mashtrime serioze gjatë votimit. Në një prej bisedave për krijimin e regjistrimeve të rrejshme, një folës i paidentifikuar këshillon ministren e Punëve të Brendshme: «Duhet të jemi të matur, sepse jemi nën vëzhgim… dhe druaj se OSBE (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë) do të aktivizohej përsëri, do të niste të lehte…..» Jankullovska ia kthen: «Dua të them, ju nuk mund t’i keni 40 persona në një fshat me vetëm pesë banorë».

Disa prej bisedave të përgjuara fokusohen te krimet financiare zyrtare të organizuara me plan. Në një rast, kryeministri dëgjohet duke diskutuar me ministrin e Transportit dhe të Telekomunkiacionit, Mile Janakieski, për pagesa haraçi multimilondollarëshe, përfshirë kompanitë kineze të ndërtimit. Janakieski thotë: «5 (për qind) që të kryhet kjo punë. Varet prej ofertës, por do të ishte diku ndërmjet 15 dhe 18 (milionë euro), bazuar në disa projeksione të asaj çfarë ata mund të ofrojnë». Dokumentet qeveritare tregojnë se ndërtimi i autostradës që po i referohen ata në këtë bisedë do të kushtojë rreth 375 milionë euro, dhe haraçi prej pesë për qind do të thoshte pothuajse 19 milionë euro.

Dhe lista nuk ka të sosur – prej bisedave për kontrollimin e mediave deri te përdorimi i fondeve publike për të blerë një makinë luksoze, e madje edhe për mbulim të vrasjeve.

Gruevski ka dënuar publikimit e informatave të rrjedhura jozyrtarisht, duke pretenduar se përgjimet ishin kryer në mënyrë joligjore dhe se ishin prerë, ose se ishin manipuluar që ta vënë atë në një situatë të palakmueshme. Por duket se pakkush i beson këtij rrëfimi, përfshirë edhe zyrtarët perëndimorë. Në një deklaratë të përbashkët lëshuar së fundi të shumë ambasadorëve në Maqedoni, përfshirë ata të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, thuhet: «Ne në mënyrë specifike kemi përsëritur shqetësimet tona te kryeministri se Qeveria e tij nuk ka shënuar përparim drejt llogaridhënies për shumë dyshime të keqpërdorimeve qeveritare që janë ngritur prej këtyre përgjimeve. Ky mosveprim i vazhdueshëm ngrit dyshime serioze ndaj zotimit të Qeverisë së Maqedonisë kundrejt parimeve dhe vlerave demokratike të komunitetit euro-atlantik». Zyrtarët gjithashtu janë shprehur se informatat e publikuara e vënë në rrezik edhe aplikimin e Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Më shumë se sa për disiplinimin e Shkupit, paralajmërimi i Perëndimit megjithatë mund ta çojë Maqedoninë më afër Rusisë. Qysh prej fillimit të krizës, Maqedonia ka distancuar veten prej BE-së dhe Perëndimit – udhëtimi i presidentit Gjorge Ivanov në Moskë për Ditën e Fitores në Evropë është një shenjë e qartë e këtij trendi. Kjo ka ndodhur pasi ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Poposki, ka shprehur rezerva për sanksionet e BE-së kundër Rusisë në shtatorin e vitit të kaluar. Rusia po e ndërsen Maqedoninë për arsye strategjike, meqë Rusia po mundohet të ndërtojë tuba të gazit natyror në drejtim të Evropës Perëndimore, që i shmangen territorit ukrainas. Rusia gjithashtu po përdor fuqinë e butë për t’u afruar me Shkupin: Rusia së fundi ka ndarë bursa të reja për studentët maqedonas që të studiojnë në Rusi. Të gjitha këto tregojnë për interesin vendimtar të Rusisë për të ndikuar në Ballkan. Si pasojë e kësaj, siç ka paralajmëruar tashmë edhe sekretari amerikan i Shteti, John Kerry, Maqedonia mund të gjejë veten «në vijën e zjarrit» të konfliktit të intensifikuar ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit.

Sidoqoftë, ka pak përkrahje popullore në Maqedoni për riorientimin drejt Moskës. Ndryshe prej Serbisë, ku shumëkush fajëson bombardimin e prirë prej amerikanëve më 1999 për humbjen e Kosovës, shumica e maqedonasve etnikë preferojnë më shumë Perëndimin, duke besuar se Shtetet e Bashkuara ishin kyç për mbajtjen e vendit të bashkuar gjatë konfliktit të armatosur më 2001 me shqiptarët etnikë, dhe e shohin anëtarësimin në BE si objektin kryesor të politikës së jashtme të shtetit.

Por për Gruevskin anëtarësimi në BE nuk është prej prioriteteve kryesore. Kur vjen puna te pasuria personale dhe politike, miqësia me Rusinë mund të jetë e parezistueshme për të, meqë vazhdimisht po kërkon mënyra për të ruajtur pushtetin. Kjo përplasje – ndërmjet vullnetit politik dhe publik – mund të jetë rrezik shkatërrimtar për stabilitetin e vendit.

Në fakt, ëndrra e anëtarësimit në Evropën pa kufij e ka mbajtur paqen e brishtë ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve etnikë pakicë të vendit gjatë 14 viteve të kaluara. Nëse Qeveria e tanishme ia arrin disi ta mbijetojë skandalin e tanishëm dhe të ruajë pushtetin, animi i saj i vazhdueshëm drejt Rusisë do të zemëronte shqiptarët etnikë, që tashmë janë të bindur se politikat nacionaliste të Qeverisë sollën katastrofë në Maqedoni. Ata nuk do të shohin shumë arsye për t’i qëndruar besnikë një vendi që heq dorë prej Evropës dhe zhytet në autoritarizëm. Separatistët brenda grupit etnik shqiptar, që përbëjnë çerekun e popullsisë së Maqedonisë, do të merrnin përsëri malin, duke rrezikuar me kryengritje popullore shqiptare, pasi tashmë janë lodhur me stagnimin e procesit të integrimit euroatlantik. Prospektet e një konflikti tjetër të dhunshëm në oborrin e Evropës dhe potenciali i tij për tërhequr shtetet fqinje të Ballkanit në të dhe dërgimi i valëve të azilkërkuesve në Evropën Perëndimore do të bëheshin realisht të frikshme.

Megjithatë, kjo krizë e tanishme ende mund të përfundojë në mënyrë më pozitive. Nëse kjo Qeveri do të binte dhe Zaevi, ose kushdo nga partia e tij, do të zgjidhej në krye të Qeverisë së re, do të ishin më solide mundësitë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndryshe prej Gruevskit, partia e qendrës së majtë e Zaevit nuk ka gëzuar mbështetje popullore bazuar në nacionalizëm dhe provokim të Greqisë. (Greqia ka bllokuar kërkesën e Maqedonisë për anëtarësim në BE dhe NATO për vite me radhë, sepse thekson se emri i Maqedonisë është pretendim implicit për krahinën veriore greke të Maqedonisë dhe përvetëson trashëgiminë kulturore të Maqedonisë antike. Qeveria e Gruevskit i është kundërpërgjigjur duke ndërtuar shtatore të mëdha të Aleksandrit të Madh në Shkup.) Duke zgjedhur kontestin e emrit, Zaevi më në fund do të hiqte këtë pengesë në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe mbase edhe në BE.

Sidoqoftë, anëtarësimi në BE është rrugë me dy kahe. BE-ja po vuan prej telasheve të theksuara financiare dhe shumë kryeqytete evropiane ndjejnë se është zbehur procesi i zgjerimit. Por BE-ja duhet të heqë dorë prej zvarritjes së procesit me Maqedoninë dhe Ballkanin dhe ta kujtojë se anëtarësimi në BE është mjeti më i fuqishëm i politikës së saj të jashtme. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka shprehur së fundi zëshëm frustrimin e tij, duke theksuar se Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen ose nëpërmjet Bashkimit Evropian, ose nëpërmjet mënyrës «klasike». BE-ja ka dhënë zotimin politik për integrimin e Ballkanit Perëndimor 12 vite më parë nëpërmjet Deklaratës së Selanikut. Tani BE-ja duhet të gjejë energji dhe guxim që të ndihmojë vendet aspiruese të lëvizin me vendosmëri më afër anëtarësimit. Ky imperativ bëhet edhe më urgjent në dritën e një Rusie kryeneçe dhe me rikthimin e gjeopolitikës.

Kundërpërgjigja politike nga BE-ja dhe SHBA-ja duhet ta detyrojë Gruevskin të pajtohet të ketë qeveri kalimtare që do të hapte rrugën për zgjedhje përnjëmend demokratike. Në planin afatgjatë, Evropa duhet të demonstrojë zotim të qartë për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Nëse Perëndimi menaxhon me korrektësi krizën e tanishme, Maqedonia mund të lëviz vendosmërisht drejt integrimit euroatlantik. Nëse jo, atëherë kriza ka potencial real për të sjellë konflikt të dhunshëm etnik brenda vendit, dhe Rusia do të jetë e etur të kapitalizojë destabilizimin me qëllim të zgjerimit të ndikimit rus në Ballkan.

Autori është profesor asistent i shkencave politike në Kolegjin Davidson