Magjia e muzikës shqiptare e rrëmben producentin Joe Boyd

«Sa më shumë që thellohem në muzikën shqiptare, aq më tepër zbuloj pasurinë, subtilitetin dhe bukurinë e saj», thekson producenti i famshëm Joe Boyd. «Është hipnotike dhe shpirtërore – si vetë Shqipëria». Boyd është mahnitur nga magjia e muzikës shqiptare, shkruan «Financial Times».

Foto: Shutterstock



Joe Boyd e ka pasur një vit të ngarkuar. Tani 75 vjeç, producenti e skauti i njohur i talentëve, i lindur në Boston, po nderon trashëgiminë e tij dhe po lartëson artistët e rinj. Boydi, që dikur kontribuoi në ekspozitën e Pink Floyd të V&A – ishte i pari që e promovoi grupin në klubin UFO, të cilin e bashkëthemeloi, për t’ia nxjerrë pastaj singlen debutuese – do të ftohej edhe për kurimin e koncertit nderues për «The Incredible String Band» (përsëri, Boydi zbuloi dhe prodhoi bendin e njohur skocez të folkut në fund të viteve gjashtëdhjetë) në Festivalin e Edinburgut. Ishte kjo epokë, që përfshinte edhe punën me Nick Drake dhe «Fairport Convention», që Boydi e përshkroi hollësisht në autobiografinë e tij «White Bicycles». Sot, shkruan ai, u kthehet pafundësisht atyre ditëve të qeta.

Ai është po aq krenar edhe me bashkëpunimin që dikur kishte me grupe rinore britanike, saqë refuzon të jetojë me të kaluarën dhe takimi ynë së u përqendrua në projektin e fundit. «At Least Wave Your Handkerchief At Me» është album mahnitës i «Saz’iso», ansambël i muzikës tradicionale shqiptare. Boydi është bashkëproducent i albumit debutues të «Saz’iso» me dy gra – njëra prej të cilave, Andrea Goertler, u bë gruaja e tij në proces. Ky çift tani po i organizon turne «Saz’iso» nëpër Britani në nëntor. Kjo është, tregon Boyd, hera e parë që muzikantë shqiptarë bëjnë turne nëpër Mbretërinë e Bashkuar. Duke pasur parasysh muzikën jashtëzakonisht të bukur të «At Least Wave Your Handkerchief At Me», audiencës do t’i tingëllojë si diçka ekzotike.

«Sa më shumë që thellohem në muzikën shqiptare, aq më tepër zbuloj pasurinë, subtilitetin dhe bukurinë e saj», thekson Boyd. «Është hipnotike dhe shpirtërore – si vetë Shqipëria. Hidhni sytë përreth dhe e merrni vesh, dhe pastaj ndaluni pak dhe e kuptoni se është larg më e thellë se mund ta keni imagjinuar fillimisht. Rrëfimet e krejt këtyre këngëve janë të jashtëzakonshme – janë të njerëzve që është dashur të largohen me zemër të thyer».

«Saz’iso» luan muzikën antike saze të Shqipërisë jugore, traditë folklori ballkanas që nuk mbahet mend për nga lashtësia. Zëri i parë përcillet prej jehonës së të dytit; këta zëra rrëfejnë bashkërisht tregimin e humbjes dhe tradhtisë, migrimit dhe vrasjes, rinisë që vuan për të dashurit në fshatin tjetër, barinjve në duar të cubave. Klarineta, lahuta dhe violina ndihmojnë zërat derisa dajret sjellin ritme komplekse – në Shqipëri, njerëzit e rëndomtë i lidhin krahët dhe vallëzojnë. «Saz’iso» ka grumbulluar tok nëntë prej këngëtarëve dhe instrumentistëve më të mirë për muzikën që ngërthen humbjen dhe vetminë. Është blues ballkanik që nuk i gjendet shoku.

Nën sundimin diktatorial stalinist të Enver Hoxhës, nga viti 1944 deri më 1985, Shqipëria ishte shteti më i izoluar i Evropës. Tani prodhon lajme sherri i emigrantëve ilegalë dhe bandave kriminale që vërshojnë prej brigjeve shqiptare drejt Europës Perëndimore. Andaj, për një shtet me më pak se tre milionë banorë, Shqipërisë i ka dalë namin i zi, sidomos shkaku i gjakmarrjeve për tokat. Boyd dhe Goertler, të dy kampionë të pasionuar të shtetit të vogël ballkanas, stepen kur ua përmend anën e errët të këtij shteti. Ata shpresojnë se «Saz’iso» do të ndihmojë që të hapen sytë e publikut para bukurisë së kulturës popullore të Shqipërisë.

«Shqipëria është e mrekullueshme», ngulmon Boyd. «Kur e vizitova për herë të parë – për të marrë pjesë në një festival të muzikës folklorike të Shqipërisë jugore – nuk kisha ide se çka më priste. Por atje takova njerëz miqësorë dhe një skenë të jashtëzakonshme të muzikës tradicionale. Ata kanë një traditë muzikore të këndimit pa instrumente që daton prej Greqisë antike», thekson Goertler, që po qëndron në Tiranë. «Lëvizja e ‘slow foodit’ e ka rrokur Shqipërinë me kthimin e kuzhinierëve nga diaspora, prandaj është vend i mrekullueshëm për të ngrënë ushqim jashtë shtëpisë. Dhe është ushqim shumë i sigurt: ata kanë gjaqe pronash, por ato nuk i prekin turistët».

Izolimi i Shqipërisë nën komunizëm – të gjitha raportet me shtetet tjera ishin shkëputur, madje edhe me Kinën dhe Rusinë – kishte bërë që vetëm një pjesë e vogël e kësaj muzike të dëgjohej. Boyd thekson se regjimi i Hoxhës kishte financuar muzikën folklorike tradicionale shqiptare dhe ansamblet e valleve në fshatra dhe fabrika, megjithëse nuk ishin bërë edhe incizime, meqë në kohën e komunizmit, edhe rryma ishte me racione.

Pas pjesëmarrjes në festivalin folklorik të Gjirokastrës, qytet historik në Shqipërinë jugore, Boydi e kuptoi njëherë e përgjithmonë se e kishte gabim. Gjatës punës me Goertlerin dhe Edit Pulën, mblodhi një ansambël këngëtarësh dhe muzikantësh që ta krijonte «Saz’ison». Kjo punë nuk ishte aspak e lehtë: dy këngëtare të jashtëzakonshme po punonin tani si pastruese në Athinë, derisa muzikantët e tjerë shqiptarë rrallëherë po ia thoshin këngës meqë bashkatdhetarët e tyre kishin marrë pas frytit dikur të ndaluar të popit dhe rockut. Megjithatë, tre producentët nuk hoqën dorë, duke nisur me një fushatë për mbledhjen e fondeve për ta incizuar «At Least Wave Your Handkerchief At Me».

«Gjërat kanë ndryshuar me të madhe në industrinë muzikore», thekson Boyd. «Cili produksion do të jepte para për këtë punë? Paja e martesës na shkoi për incizim. Fushata në ‘kickstarter’ ishte betejë dhe pastaj dola te komuniteti i rock’n’rollit, dhe kështu ia dolëm disi në krye. Pastaj gjetëm ‘Glitterbeat Records’, kompani gjermano-sllovene incizimi që po nxirrte muzikë të mrekullueshme anembanë botës, dhe drejtuesit e saj ishin shumë entuziastë të merreshin me ‘Saz’ison’».

Me Ry Cooderin bashkë me ta, duke lavdëruar «këtë album si ‘deep soul’ nga Shqipëria jugore», duket se Boydi përsëri po zbulon dhe prodhon muzikë të jashtëzakonshme.

NDALOHET RIBOTIMI NGA MEDIA TË TJERA.