«Made in Germany» ngjit më shumë…

Markat zvicerane konsiderohen si të besueshme dhe luksoze. Por, sipas një studimi, markat gjermane po fitojnë më shumë emër se ato zvicerane.

Foto: Castleski / Shutterstock.com

Shumë prodhues produkteve të tyre iu bëjnë publicitet me prejardhjen e tyre. Etiketa zvicerane atyre iu jep besueshmëri, shkëlqim, ekskluzitivitet… Tani një studim i Universitetit të St. Gallenit nxjerr që prodhimet dhe shërbimet zvicerane kanë rënë nga froni dhe zënë vendin e dytë. Për pak prinë «Made in Germany». Këto artikuj kanë fituar 8 nga dhjetë pikë në anketimin e qytetarëve, kurse ato zvicerane 7,9 pikë.

Pas këtyre dy vendeve vijnë Japonia me 7,6 pikë dhe SHBA-të me 7,4 pikë. Për studimin janë intervistuar rreth 8’000 persona nga 15 vende. Më së keqi në edicionin e fundit të Swissness-Worldwide-Report janë ndarë prodhimet e Brazilit, Kinës dhe të Indisë, transmetojnë mediat zvicerane, përkatësisht Tages Anzeiger.

Po ta shohësh në detaje, shumë prodhime zvicerane qëndrojnë akoma në majë; ato shihen si sidomos ekologjike, të besueshme dhe simpatike. Disavantazhet e prodhimeve zvicerane ngelin të njëjtat: nuk shquhen në aspektin teknologjik dhe nuk shihen si mbimesatarisht inovative. Në këto pika prijnë Japonia, SHBA-të dhe Gjermania. Nuk shkëlqen posaçërisht as tregtimi i prodhimeve zvicerane.

Më së miri prodhimet zvicerane vlerësohen nga vendasit me 8,8 nga 10 pikë. Markat zvicerane vlerësohen sidomos mirë në tegjet e Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës. Dhe, kjo i inkurajon hartuesit e studimit për shkak se këto vende kanë edhe rritjen më të lartë, ku jeton 40 për qind e popullsisë botërore. Në mënyrë më kritike prodhimet dhe shërbimet zvicerane vlerësohen në Japoni, Francë, Spanjë dhe Britaninë e Madhe. Japonezët, për shembull, prodhimeve zvicerane iu japin vetëm 7 pikë.

Në mënyrë të admirueshme është rritur vlerësimi për prodhimet kineze brenda tetë viteve. Në përgjithësi prodhimet dhe shërbimet kineze marrin vlerësimin 5,4; mirëpo ato po fitojnë gjithnjë e më shumë respekt në tregjet ndërkombëtare në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. ks